Kurti me dedikim prekës për ikjen e dy artistëve, Lefter Çipa dhe Zef Kakoca

Aktuale

Kurti me dedikim prekës për ikjen e dy artistëve, Lefter Çipa dhe Zef Kakoca

Nga: A.Z Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 16:52
Albin Kurti

Kreu i VV-së, Albin Kurti ka shkruar për ikjen nga kjo botë të dy artistëve, sikur janë poeti nga Piluri, Lefter Çipa dhe poeti e këngëtari arbëresh, Zef Kakoca.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka bërë një dedikim prekës për këto figura të shquara të artit.

"Dy atdhetarë të mëdhenj, dy kulme të një forme shprehëse e cila shkon kah nënshtresat më të thella të gjuhës e qenies sonë, duke nxjerrë prej lashtësisë fjalën dhe këngën e rrënjëve e duke i aktualizuar ato për një publik të gjerë e bashkëkohor.", ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Këto ditë pat lajme të hidhura për dashamirët e muzikës sonë folklorike. Më 18 shkurt u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare flamuri i Bregut e i Labërisë, poeti nga Piluri, Lefter Çipa, e më 20 shkurt është shuar në moshën 62 vjeçare edhe poeti e këngëtari i shquar, promovuesi i kulturës e i folkut arbëresh, Zef Kakoca (Giuseppe Cacozza).

Dy atdhetarë të mëdhenj, dy kulme të një forme shprehëse e cila shkon kah nënshtresat më të thella të gjuhës e qenies sonë, duke nxjerrë prej lashtësisë fjalën dhe këngën e rrënjëve e duke i aktualizuar ato për një publik të gjerë e bashkëkohor.

Lefter Çipa, ky autor i mijëra këngëve e poezive, që mes shumë çmimeve të tjera mbante dhe çmimin “Nder i Kombit” prej Republikës së Shqipërisë, ka folur e do t’u flasë edhe brezave të ardhshëm me gojën e polifonisë së Bregut, ku Piluri i tij rri si rrufepritës para detit të stuhishëm apo si verandë soditëse para detit dashuror. Gjatë fushatës teksa udhëtonim nëpër aktivitete, dëgjova dy aktivistë që po këndonin si nëpër dhëmbë e me zë të ulët këngën “Tundu bejkë”. Sigurisht ata nuk e dinin se ajo këngë, që njihet si popullore, është me tekst të Lefter Çipës. Por s’ka dert, me rëndësi është se edhe rinia e Kosovës po i mëson e i mban gjallë ato këngë të polifonisë himariote. Ky është shpërblimi për Lefter Çipën e paharrueshëm i cili shkruante: “Më besoni, për Kosovën / Dhe të vritem do të ngjallem”.

Në festivale e konkurse, sidomos në atë të Gjirokastrës, mbase Lefter Çipa do të jetë takuar me Giuseppe Cacozza-n, ose siç prezantohej vetë ai, me Zef Kakocën. Mjeshtri nga Arbëria, i lindur në Shën Mitër (San Demetrio Corone) ka qenë i laureuar me urdhrin “Naim Frashëri” prej Republikës së Shqipërisë, e në Napoli me çmimin prestigjioz “Premio Mediterraneo d’arte e creativita”. Mbledhës e përpunues i këngëve arbëreshe, Kakoca shkruante edhe vetë poezi e muzikë për to. Veç kësaj, shkruante dhe drama e prozë, e ishte aktiv në publicistikë, në çështje të ndryshme shoqërore e kombëtare. Botues i revistës së parë online arbërisht, të famshmes Arbitalia, Kakoca ka qenë i angazhuar shumë edhe për çështjen e Kosovës. “Sot jemi gjithë me tia, o Kosovë” shkruante ai në vitet e vështira të luftës, e më vonë ai ka qenë ndër veprimtarët arbëreshë që kanë kërkuar pranë qeverisë italiane të bëhet trysni për lirimin e të burgosurve nga burgjet e Serbisë, ndër të cilët isha edhe unë. Në një poezi të tijën ai shprehte dëshirën që “shpirti të fiuturonjë ajër arbëresh”.

Me një dëshirë të tillë bashkohem edhe unë, teksa shkruaj ngushëllimet e mia për familjarët, dashamirët e publikun e gjerë, i cili ka humbur dy njerëz të gjallë, por jo dy poetët, shpirti i të cilëve do të vazhdojë të marrë frymë, labërisht e arbërisht, sepse jeton te ne e te kombi ynë që nuk shuhet.

I paharruar qoftë Lefter Çipa i Pilurit e i gjithë shqiptarëve.

I paharruar qoftë Zef Kakoca i Shën Mitrit e i gjithë shqiptarëve.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat