Reagimi i Visar Ymerit pas rrahjes së djalit të Nenad Rashiqit, ja kë e fajëson

Aktuale

Reagimi i Visar Ymerit pas rrahjes së djalit të Nenad Rashiqit, ja kë e fajëson

Nga: N.SH Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 17:23
Visar Ymeri

Edhe Visar Ymeri, ish deputeti i Kosovës, ka reaguar ndaj sulmit të djalit të Nenad Rashiqit.

Ymeri përmes një postimi në Facebook, thotë se, ky sulm është, sulm ndaj demokracisë, lirisë dhe ndaj Kosovës, andaj sipas tij, është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Ymeri ka shkruar edhe për ndërhyrjen e pushtetit të Serbisë në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Ymeri thotë se nuk mund të ndahet ndërhyrja flagrante e pushtetit të Serbisë në vullnetin politik të komunitetit boshnjak dhe atij romë të Kosovës nga ky sulm.

“Ky shtrembërim i vullnetit politik rrezikon përfaqësimin autentik të këtyre komuniteteve, që është shkelje flagrante e të drejtave të tyre njerëzore dhe qytetare”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

SULMI NDAJ DJALIT TË NENAD RASHIQIT DHE SHTREMBËRIMI I VULLNETIT ZGJEDHOR TË BOSHNJAKËVE DHE ROMËVE JANË PJESË E PANDASHME E NDËRHYRJEVE TË PUSHTETIT TË SERBISË Sulmi i djeshëm ndaj djalit të Nenad Rashiqit, ish-ministër dhe ish-deputet i Republikës së Kosovës, është sulm ndaj demokracisë, lirisë, por edhe ndaj Republikës.

Si i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Organet e rendit duhet ta zbardhin këtë sulm me prioritet dhe fajtorët të gjykohen e dënohen.

Nuk është hera e parë që politikanët serbë të Kosovës janë viktimë e vrasjeve dhe dhunës politike, vetëm sepse kundërshtojnë homogjenizimin dhe instrumentalizimin e serbëve të Kosovës për interesat e pushtetit në Beograd (në vete autoritar dhe antipluralist).

Ky sulm nuk mund të ndahet nga ndërhyrja flagrante të pushtetit të Serbisë (nëpërmjet Listës Serbe) në vullnetin politik të komunitetit boshnjak dhe atij rom të Kosovës, duke e “bartur” përfaqësimin e tyre në vendet e rezervuara në Kuvendin e Republikës, sipas nevojave të Vuçiqit dhe Beogradit zyrtar.

Ky shtrembërim i vullnetit politik rrezikon përfaqësimin autentik të këtyre komuniteteve, që është shkelje flagrante e të drejtave të tyre njerëzore dhe qytetare. Në rrethana të tilla, institucionet nuk mund të mos veprojnë, duke mos mbrojtur kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend. Të dyja po shkelen brutalisht këto ditë nga pushteti i Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat