Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar letrat e urimit që i ka marrë dhe po vazhdon t’i marrë kreu i kësaj partie, Albin Kurti nga udhëheqës shtetëror pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Mes tyre është edhe letra që Kurti ka marrë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në letrën e dërguar, tri ditë pas 14 shkurtit, përkatësisht më datën 17 shkurt, Netanyahu uron Kurtin për fitoren e shënuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Ai flet edhe për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike mes dyja vendeve, duke thënë se e ka mirëpritur këtë marrëveshje dhe se shpreson për një etapë të re të zhvillimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Izraelit.
Netanyahu ndër të tjera përmend edhe vendimin e Kosovës që Ambasadën e saj ta vendosë në Jerusalem, derisa shton se pret që ta ftojë Kurtin në inaugurimin e Ambasadës, përkundër që zyrtarë të VV-së kishin thënë se do ta shqyrtojnë vendimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael.