Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kujtuar gazetarin dhe veprimtarin politik Xhemajl Mustafa, në 26-vjetorin e vrasjes së tij.
Përmes një postimi, Gashi ka thënë se përkujtimet janë të dhimbshme, sidomos kur bëhet fjalë për vrasje të figurave politike, autorët e të cilave ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Ai e ka cilësuar Mustafën si njeri të urtë në mendime, të vendosur në veprime dhe të mprehtë në shkrime, duke vlerësuar kontributin e tij intelektual dhe shoqëror.
“Përkujtimet janë gjithmonë të dhimbshme, e veçanërisht kur lidhen me vrasjen e padrejtë të figurave politike që i mungojnë shoqërisë dhe vendit, ndërsa autorët e këtyre vrasjeve ende nuk janë përballur me drejtësinë dhe nuk kanë marrë dënimin e merituar.
Sot kujtojmë Xhemail Mustafën, njeriun e urtë në mendime, të vendosur në veprime dhe të mprehtë në shkrime. Një intelektual që la gjurmë me fjalën, qëndrimin dhe përkushtimin e tij” – shkruan ai.