Koci pas këngës nacionaliste serbe në Bruksel: Kosova nuk ka pse të lutet për një vend në BE

Aktuale

Koci pas këngës nacionaliste serbe në Bruksel: Kosova nuk ka pse të lutet për një vend në BE

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 10:52
Analisti politik Melazim Koci

Analisti politik Melazim Koci ka reaguar pas incidentit në Bruksel, ku gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Koci e ka cilësuar këtë ngjarje si një poshtërim të Kosovës, duke kritikuar ashpër qasjen e Bashkimit Evropian dhe mesazhin që, sipas tij, iu përcoll vendit përmes këtij incidenti.

Në reagimin e tij, Koci vlerëson se Kosova nuk duhet të vazhdojë të kërkojë me çdo kusht afrimin me BE-në, nëse kjo e fundit nuk e trajton vendin me dinjitet dhe respekt. Ai kërkon një përgjigje të prerë nga institucionet e Kosovës, duke theksuar se orientimi strategjik i vendit mbështetet në lirinë dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Poshtërimi që iu bë Kosovës në Bruksel përcolli një mesazh të qartë: BE-ja nuk e dëshiron Kosovën në radhët e saj.

Përgjigja e Kosovës do të duhej të ishte po aq e prerë dhe sfiduese: nëse ju nuk na doni në BE, as ne nuk kemi pse të lutemi për një vend në tryezën tuaj. Kosova është projekt i lirisë dhe aleancës me SHBA-në, jo produkt i vullnetit tuaj politik.

E dimë mirë se disa në Evropë ndihen më rehat me një Serbi proruse, sesa me një Kosovë proamerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat