Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka marrë pjesë në seancat gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Nivelles, në kuadër të procesit për vrasjen e veprimtarit të të drejtave të njeriut, Enver Hadri.
Hadri u vra në Bruksel më 25 shkurt 1990, ndërsa, sipas drejtësisë belge, atentati ndaj tij ishte organizuar dhe kryer nga shërbimet sekrete jugosllave.
Gjatë pjesëmarrjes në seanca, ambasadori Bajrami shprehu solidaritetin e Republikës së Kosovës me familjen Hadri dhe përfaqësuesit e saj ligjorë, të cilët prej dekadash kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e plotë të përgjegjësisë për vrasjen.
“Enver Hadri u vra për veprimtarinë e tij dhe për angazhimin e palëkundur në mbrojtje të të drejtave të popullit të Kosovës. Vrasja e tij ishte pjesë e politikës shtypëse të Beogradit ndaj Kosovës, e cila nuk përfundoi në vitin 1990. Ajo vazhdoi me krimet e rënda gjenocidale, përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1998–1999, ndërsa vazhdon të manifestoj politikën e njejtë edhe sot përmes mohimit të këtyre krimeve”, thuhet në njoftim.
Sipas ambasadorit, fakti që institucionet e drejtësisë belge vazhdojnë ta trajtojnë këtë çështje, më shumë se 36 vjet pas vrasjes, dëshmon rëndësinë e kërkimit të drejtësisë pavarësisht kohës së kaluar.
“Fakti që institucionet e drejtësisë belge vazhdojnë ta trajtojnë këtë çështje, më shumë se 36 vjet pas vrasjes, dëshmon rëndësinë e këmbënguljes në kërkimin e drejtësisë, pavarësisht kohës së kaluar. Kosova i shpreh mirënjohjen Belgjikës për përkushtimin dhe vendosmërinë në këtë proces. Drejtësia për Enver Hadrin dhe familjen e tij mbetet një çështje e ndërgjegjes, e përgjegjësisë dhe e drejtësisë që nuk njeh afate kohore”, thuhet në njoftim.