VOA: Lajçak në Prishtinë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi

Aktuale

VOA: Lajçak në Prishtinë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi

Më: 1 mars 2021 Në ora: 18:22
Miroslav Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, fillon të hënën vizitën treditëshe në Prishtinë prej nga më pas do të shkojë në Beograd, në një përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

Bisedimet pushuan në vjeshtën e vitit të kaluar për shkak të zgjedhjeve në Kosovë, që u mbajtën më 14 shkurt. Zyrtarët e Bashkimit Evropian që presin rifillimin e tyre pas themelimit të institucioneve të reja të Kosovës janë shprehur të shqetësuar më deklarimet e kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet të udhëheq qeverinë e re. Zoti Kurti ka thënë se bisedimet nuk do të jenë përparësi e punës së tij.

Analistët në Prishtinë thonë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të mësojë nga ngecjet e qeverive të kaluara në procesin e bisedimeve dhe duhet të çojë përpara tema që janë në interes të vendit.

Image
Arbër Fetahu

“Kjo qeveri i ka numrat, e ka legjitimitetin, e ka forcën politike që ndoshta qeveritë tjera nuk e kanë pasur dhe kjo është një plus që të shtyjë përpara më fuqishëm në këtë proces gjithmonë duke pasur interesat e shtetit dhe disa tema të cilat nuk negociohen”, thotë Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Duke e ditur që kemi një qeveri të re që nuk ka presion siç ishte në administratën e kaluar amerikane me zotin ambasadorin (Richard) Grenell duhet të kemi një qartësim të procesit dhe një pozicionim të qartë të Kosovës. Kjo nuk do të thotë ta ndalim dialogun por ne duhet ta shohim atë si një proces afatgjatë dhe të planifikojmë si të tillë, jo duke u planifikuar hap pas hapi dhe duke dalur diçka ad-hok dhe vepruar në atë drejtim”, thotë Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Analistët thonë se qeveria e ardhshme duhet të ketë një platformë për mënyrën e zhvillimit të bisedimeve të ardhshme me Serbinë dhe nuk presin që ato të vazhdojnë njëlloj sikurse nga qeveria pararendëse.

Image
Jeta Krasniqi

“Nuk mund të presim që ajo të vazhdojë aty ku ka mbetur me diskutimin ku tema e fundit ka qenë e drejta pronësore që është diskutuar dhe nuk mund të presim që qeveria Kurti menjëherë tani të futet brenda këtij procesi dhe ta diskutoj atë. Është mëse e pritshme që kjo qeveri do të duhej ta riformatoj atë, t’ia jap atë dorën e vet dhe ta bëj këtë normalisht në diskutim me zotin Lajçak”, thotë Jeta Krasniqi.

“Një qasje e bashkëdyzuar BE dhe SHBA dhe një qasje e strukturuar e Kosovës karshi këtyre dy superfuqive do të krijonte një incetivë të re në raport me Kosovën por edhe Kosova duhet të krijojë asi pozicioni që të qetë tema përpara dhe ndoshta të kërkojë edhe një afat për një temë të caktuar për një marrëveshje që nuk është zbatuar nga pala serbe dhe të mos jemi ne gjithmonë në defansivë ku vihemi në kritikë për mos zbatim të marrëveshjeve të caktuara”, thotë Arbër Fetahu.

Shtetet e Bashkuara që janë mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, në disa raste ditëve të fundit theksuan se mbështesin bisedimet Kosovë-Serbi të mundësuara nga Bashkimi Evropian, dhe presin “një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi që do të çonte në një njohje të ndërsjellë”. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat