Lushaku për vizitën e Lajçakut: Kosova duhet ta konfirmojë pjesëmarrjen në dialog

Aktuale

Lushaku për vizitën e Lajçakut: Kosova duhet ta konfirmojë pjesëmarrjen në dialog

Më: 1 mars 2021 Në ora: 19:13
Profesoresha universitare, Jehona Lushaku

Profesoresha universitare, Jehona Lushaku, ka thënë se qëllimi i vizitës në Kosovë i Emisarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi Mirosllav Lajçak është marrja e konfirmimit nga pala kosovare për vazhdimin e dialogut.

Lushaku, në një lidhje direkte tha se Kosova duhet të japë mesazhin që është partnere në këtë proces dhe nuk tërhiqet nga dialogu.

“Kjo është një vizitë e rëndësishme e një emisari që ka për mandat që të ndërmjetësojë ndërmjet Kosovës dhe të Serbisë. Është e rëndësishme për t’u thënë se është deklaruar deri më tani nga [Mirosllav] Lajçak që synimi kryesor i kësaj vizite do të jetë që të marrë konfirmimin nga të dyja palët për rifillimin e vazhdimit të dialogut në mes të dyja vendeve. Besoj që do të insistojë në vënien e kohës dhe rifillimit të këtij dialogu”.

“Është shumë e rëndësishme që nga ana kosovare të ketë një konfirmim të pjesëmarrjes në këtë dialog dhe të ketë një intensifikim të këtij dialogu. Kosova duhet të japë mesazhin që është partnere në këtë proces dhe nuk tërhiqet nga dialogu”.

Ajo tha se nuk beson se do të ketë diskutime në detaje se si do të mund të duket marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ka rrethana të reja të krijuara pas zgjedhjeve në Kosovë dhe në anën tjetër kemi një administratë të re amerikane, sikur ka ndërruar pak skema e përgjithshme e partnerëve të involvuar në këtë dialog”.

“Tani kur akoma nuk ka përfunduar numërimi i votave të zgjedhjeve të fundit, nuk janë konfirmuar institucionet dhe nuk ka filluar punën Qeveria e Kosovës, nuk besoj që do të ketë diskutime në detaje dhe as versione se cili mund të jetë epilogu i këtij dialogu”.

“Gjithsesi do të mund të ketë diskutim të temave që mund të involvohen si pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. Mund të ketë tema për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe çka mund të përmbanin marrëveshjet e ardhshme ndërmjet këtyre dy vendeve”.

“Gjithsesi nuk pres diskutim substancial për versionet e mundshme të epilogut final të këtij dialogu. Ne ende nuk i kemi institucionet e konsoliduara dhe vetë ato duhet të krijojnë dhe legjitimojnë vizionin e tyre për dialogun. Vetë Albin Kurti ka thënë më parë disa herë se duhet të ketë rishqyrtim dhe ose rimendim të dialogut. Kjo bëhet duke involvuar institucionet që kanë fuqinë e plotë ekzekutive dhe duhet të involvojë edhe miqtë tanë që janë të përfshirë në këtë dialog – shtetet mike brenda Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat