Në Prishtinë është mbajtur Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë, i organizuar nga RIT Kosova dhe Special Competitive Studies Project (SCSP), ku në fokus ishte ndërlidhja e teknologjisë, inovacionit dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në inteligjencën artificiale.
Në këtë forum ka marrë pjesë edhe Lulëzon Jagxhiu, i cili ka mbajtur fjalën hyrëse së bashku me ministren Mimoza Kusari-Lila, presidentin dhe drejtorin ekzekutiv të SCSP-së, Yll Bajraktari, si dhe presidenten e RIT Kosova, Albina Balidemaj-Basha.
Në fjalimin e tij, Jagxhiu ka theksuar se zhvillimet e shpejta teknologjike kërkojnë zgjedhje strategjike për një vend të vogël si Kosova, veçanërisht në përcaktimin e kapaciteteve teknologjike që duhet të zhvillohen brenda vendit, atyre që duhet të mbahen nën kontroll dhe mundësive që ofrojnë partneritetet ndërkombëtare.
Ai ka vënë në pah rëndësinë e sigurisë, besueshmërisë, mbikëqyrjes njerëzore dhe gatishmërisë institucionale në përdorimin e inteligjencës artificiale.
Një pjesë të veçantë të diskutimit ia ka kushtuar edhe përgatitjeve për themelimin e Qendrës Nacionale të Ekselencës për Inteligjencë Artificiale, e cila synon të shërbejë si qendër për ekspertizë, kërkim dhe zbatim praktik të kësaj teknologjie.
Sipas Jagxhiut, kjo qendër synon të bashkojë institucionet publike, akademinë, sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi për zhvillimin e kapaciteteve vendore në këtë fushë.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të ekspertizës, duke përmendur kontributin e mundshëm të hulumtimeve dhe rekomandimeve të projekteve si National Security and Innovation Consortium (NSIC).
Jagxhiu ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit me SCSP-në, me synimin që Kosova të mos mbetet vetëm përdoruese e teknologjive të reja, por të zhvillojë njohuritë, shkathtësitë dhe kapacitetet institucionale për përdorimin e tyre në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme.