Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori, ka informuar përfaqësuesit e vendeve të rajonit për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe aktivitetet e misionit në kuadër të takimit të 14-të të Shefave të Mbrojtjes të Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI).
Takimi është mbajtur më 20 nëntor në Tiranë të Shqipërisë, ku Vergori ka prezantuar rolin e KFOR-it në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Sipas njoftimit të KFOR-it, komandanti ka paraqitur një pasqyrë të situatës së sigurisë në Kosovë dhe aktiviteteve të përditshme të misionit, duke theksuar se ato bazohen në prioritetet e tij të ripërtërira operacionale.
Vergori ka bërë të ditur se KFOR-i po vazhdon të optimizojë strukturën dhe pozicionimin e forcave për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e detyrave të tij.
Ai ka theksuar se ky proces është gradual dhe varet nga kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet nëse zhvillimet e sigurisë rrezikojnë stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë dhe rajon.
Komandanti i KFOR-it ka ritheksuar përkushtimin e misionit për zbatimin e mandatit të tij afatgjatë, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
Sipas tij, KFOR-i vazhdon të kontribuojë në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Iniciativa DECI, e themeluar në vitin 2012 nën udhëheqjen e Italisë, është një platformë rajonale për bashkëpunim strategjik dhe ushtarak ndërmjet vendeve të Adriatikut dhe Ballkanit Perëndimor, me synim trajtimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe forcimin e stabilitetit rajonal.