Osmani përfundon vizitën dyditore në Zvicër, merr mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Aktuale

Osmani përfundon vizitën dyditore në Zvicër, merr mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Më: 4 mars 2021 Në ora: 16:46
Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën dyditore në Zvicër, ku ka qëndruar me ftesë të Parlamentit Zviceran

U.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën dyditore në Zvicër, ku ka qëndruar me ftesë të Parlamentit Zviceran.

Përgjatë kësaj vizite, ajo është takuar me krerët e shtetit zviceran, me të cilët u diskutua bashkëpunimi ndërmjet të të dy shteteve, ndihma në fushën e zhvillimit, identifikimi i fushave të reja në sferën e bashkëpunimit bilateral si dhe projekte konkrete.

 Osmani ka falënderuar për mikpritjen dhe takimet përmbajtësore Presidentin e Këshillit Kombëtar, Andreas Aebi, Presidentin e Senatit Zviceran (Këshillit të Shteteve), Alex Kuprecht,  Zëvendëspresidentin dhe ministrin e punëve të jashtme, Ignazio Cassis, nënkryetaren e parë të Këshillit Nacional të Zvicrës, Irène KÄLIN, Grupin e Miqësisë Kosovë-Zvicër dhe zyrtarë të tjerë shtetëror.

Në takime është diskutuar mundësia për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë nga ana e shtetit zviceran. Autoritetet shtetërore të Zvicrës, kanë shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur rrugën e Kosovës për në BE, sikurse edhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, një numër i madh i të cilave e kanë selinë në Zvicër.

“Sundimi i ligjit, demokratizimi, siguria dhe transparenca e llogaridhënia mbeten objektiva të përbashkëta dhe aleatët tanë do vazhdojnë të jenë pranë nesh në promovimin e tyre ashtu siç kanë qenë edhe deri më tani. Gjersa, në fushën e zhvillimit, theksova që e ardhmja e Kosovës do të orientohet kah investimi në kapital njerëzor e në këtë drejtim bazë e çdo suksesi është investimi në arsim, në të cilin drejtim mora përkushtimin e partnerëve tanë për mbështetje në drejtim të prezantimit të sistemit dual të edukimit në vendin tonë”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.

Në takimet me krerët shtetërorë të Zvicrës, zonja Osmani ka diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në kontekst të të cilit është përmendur dialogu Kosovë-Serbi. U.d. Presidentja ka theksuar se epilogu i këtij dialogu duhet të jetë njohja e ndërsjellë me kufijtë̈ aktual të Republikës së Kosovës.

Është diskutuar edhe mundësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe është paralajmëruar fillimi i një projekti për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e parlamentarizmit.

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat