SHBA-ja e sheh si urgjente arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi

Aktuale

SHBA-ja e sheh si urgjente arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi

Më: 6 mars 2021 Në ora: 14:52
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të imponojnë një zgjidhje për çështjen e Kosovës dhe të Serbisë, por një marrëveshje për normalizim raportesh duhet të jetë e pranueshme për të dy popujt, ka thënë zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer.

Në një intervistë për “N1”, Palmer ka thënë se nuk pret që të ketë ultimatum për arritjen e marrëveshjes, por ka shtuar se SHBA-ja e sheh “çështjen si urgjente”.

“Sa më shumë që presim, më vështirë do të jetë, dhe sfidat do të komplikohen më shumë”, ka thënë Palmer.

Ai ka shtuar se SHBA-ja përkrah Bashkimin Evropian dhe emisarin e saj për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe ka shtuar se shpreson që dy palët të nisin shpejt bisedimet.

Sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Palmer ka thënë se implementimi i saj është i obligueshëm.

Ai ka shtuar se nuk sheh kontradikta në deklarimet e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, (që fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit) se nuk e sheh dialogun si top prioritet.

“Kam dëgjuar se prioritetet e tij janë transparenca, menaxhimi i mirë, luftimi i korrupsionit... këto janë edhe prioritetet tona”, ka thënë ai duke shtuar se Kosova megjithatë duhet të merret edhe me politikë të jashtme e bashkëpunim me fqinjët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat