Demonstratat e ‘81-shit bazë e shtetit të Kosovës, vihet gurthemeli që kujton lëvizjen e para 40 viteve

Aktuale

Demonstratat e ‘81-shit bazë e shtetit të Kosovës, vihet gurthemeli që kujton lëvizjen e para 40 viteve

Më: 11 mars 2021 Në ora: 15:47
foto nga vendi ngjarjes

Demonstratat e ‘81-shit bazë e shtetit të Kosovës, vihet gurthemeli që kujton lëvizjen e para 40 viteve

Në 40-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, tek mensa e studentëve ku kishte nisur gjithçka, është vendosur sot gurthemeli për monumentin që i kushtohet “Pranverës Shqiptare ‘81”.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, tha se sot janë bashkuar të gjithë ata që 40 vite më parë e bënë kthesën e madhe për liri e pavarësi.

Dita e sotme, ai tha se ngjason me ditën e 40 viteve më parë, e që tha se njësoj edhe sot përzihet dimri i acartë me pranverën në ardhje.

Ngjarja e 40 viteve më parë, Hyseni tha se kishte edhe koston e vet për studentët, por që tha se kishte kosto edhe për pushtetin serbomadh që përpiqej të thyente studentët me dhunë të paparë edhe gjenocidale.

Ai tha se muaji mars, ndër vite ka ngjarje të veçanta për popullin shqiptar.

Hyseni: Marsi ka pasur një domethënie gjithmonë të veçantë

“Në të kaluarën shqiptare marsi ka pasur një domethënie gjithmonë të veçantë, ishte diçka mes acarit dhe pranverës që po vinte, mes dimrit dhe asaj që po sillte behari. Së paku tri prej (muajve) mars të rëndësishëm historik na vijnë natyrshëm në kujtesën tonë. Ishte Epopeja e lavdishme e Mihal Gramenos, që ishte frymëzim për brezat pasues dhe kanë kaluar (muaj) mars të tjerë me këtë frymëzim. Për të ardhur tek brezi i ‘81-shit, te marsi i vitit ‘81, marsi që bëri kthesën historike në plejadën e lavdishme të rinisë studentore që e kuptimsojë edhe një herë ndryshimin e stinëve, i tha një herë e përgjithmonë jo Jugosllavisë dhe asaj që përfaqësonte dhe paralajmëroi ndryshimin e madh me kërkesat e tyre, edhe të natyrës sociale, edhe të natyrës politike, atdhetare edhe identitare. Kaluan (muaj) mars të ndryshëm për të ardhur tek marsi i madh i fundviteve ‘90, marsi i Prekazit që ishte po ashtu vazhdimësi e përpjekjeve të brezave”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së në Maqedoni, Fazli Veliu, në këtë ngjarje përkujtoi angazhimin ilegal që kishin bërë në atë kohë.

Veliu: Djemtë dhe vajzat e Kosovës vazhduan rrugën e Shotë Galicës

“Djemtë dhe vajzat e Kosovës vazhduan rrugën e Shotë Galicës, ata e treguan heroizmin e tyre që nga Ylfete Humolli deri tek Hyrije Emini e të tjera e të tjera të shumë nënave e vajzave të trojeve tona”, tha ai.

Në emër të studentëve foli Ramadan Gashi, i cili tha se të gjithë duhet ta kenë të qartë se ajo protestë që shënoi një kthesë të madhe është organizuar nga vet studentët.

Ai tha se studentët e Universitetit të Prishtinës janë përballur me diskriminime të shumta, e që kishin nxitur reagimin e tyre.

Gashi: 11 marsi i vitit 1981 ishte një revoltë studentore

“11 marsi i vitit 1981 ishte një revoltë studentore me kërkesa sociale fillimisht, po në esencën e tyre shfaqeshin pakënaqësitë për pozitën e pabarabartë të Kosovës dhe popullit të saj. Ato ishin thirrje për shkëputje nga ajo situatë që i bëhej Kosovës. Këtë më së miri e dëshmojnë parullat e asaj nate dhe të tjerave në vazhdim siç ishin ‘Barazi për shqiptarët’, ‘Lironi shokët tanë’, ‘Kosova punon Beogradi ndërton’, ‘Kosova Republikë’. Duhet ta kenë të qartë të gjithë se demonstratat e 11 marsit 1981 i kanë organizuar studentët e Universitetit të Prishtinës”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se demonstratat e vitit ’81 është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të popullit shqiptar.

Ai tha se është i lumtur që në Prishtinë do të kenë një memorial të tillë, që përkujton një ngjarje që është bazë e shtetit të Kosovës.

Ahmeti: Demonstratat e ‘81-shit janë bazë e shtetit të Kosovës

“Demonstratat e ’81-shit më të vërtetë janë bazë e shtetit të Kosovës, jo vetëm nga ajo që çka u kërkua në ato demonstrata, por ishin shenjë e një populli që jeton. Për të ngritur kohën që nga mensa e deri tek demonstratat në kohën e Jugosllavisë patjetër që nuk ishte e lehtë, patjetër se të gjithë ata edhe rrezikonin jetën për idealin dhe po them që se përcjellim gjithë historinë pas asaj në fakt bazën e kanë tek këto demonstrata, tek kjo revoltë dhe tek këto kërkesa. Prandaj, për neve si Komunë e Prishtinës për ne është nder që të kemi një memorial të tillë apo një përkujtim të tillë dhe që përkujtojmë sot në 40-vjetorin e demonstratave të vitit 1981”, tha Ahmeti.

Studentët e Kosovës më 4 mars 1981, organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981. Demonstratat gjithë popullore të marsit dhe prillit shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat