PLE: Vendimi i Supremes i papranueshëm, do të ankohemi në Kushtetuese

Aktuale

PLE: Vendimi i Supremes i papranueshëm, do të ankohemi në Kushtetuese

Më: 12 mars 2021 Në ora: 20:48
Veton Berisha

Partia Liberale Egjiptiane e ka vlerësuar si të papranueshëm vendimin e Gjykatës Supreme për të mos ia anuluar votat subjektit Romani Iniciativa në Graçanicë, Mitrovicë e Veriut dhe Kamenicë.

Sipas tyre, Supremja ia ka refuzuar ankesën subjektit Romani Iniciativa që pretendon se nuk ka pasur orkestrim të votave ndërsa ka refuzuar edhe Liberalët Egjiptianë të cilët pretendojnë se ka pasur orkestrim të votave e sipas tyre kjo nuk ka kuptim.

PLE vlerëson se nëse në një çështje, objekti i lëndës është i njëjtë dhe pretendimet janë të kundërta atëherë njërës nga këto palë të përfshira do të duhej t’i miratohej ankesa dhe tjetrës t’i refuzohej, ndërsa në çështjen në fjalë Gjykata Supreme i kishte refuzuar të dyja palët.

“Për çudi në të njëjtin aktgjykim, Gjykata Supreme ia refuzon ankesën e Romani Iniciativa duke konfirmuar se ka pasur orkestrim të votave, ndërsa në të njëjtin aktgjykim neve si subjekt politik PLE na refuzohen pretendimet në ankesë duke konfirmuar se nuk ka pasur orkestrim të votave në komunat Graçanicë, Mitrovicë e Veriut dhe Kamenicë. Tani shtrohet pyetja se a ka pasur orkestrim të votave apo jo!?”, thuhet në reagim.

PLE thotë se në Graçanicë, ku Romani Iniciativa ka fituar 1773 vota ndërkaq numri i popullsisë rome është në tërësi 745 banorë. Në Kamenicë, ku Romani Iniciativa ka fituar 283 vota ndërkaq numri i popullsisë rome është në tërësi 240 banorë. Në Mitrovicë Veriore, ku Romani Iniciativa ka fituar 198 vota ndërkaq numri i popullsisë rome është në tërësi 40 banorë.

Duke u bazuar në të dhënat e lartpërmendura, PLE vlerëson se Gjykata Supreme nuk ka përdorur standard unik në kuptimin se me të njëjtat prova dhe argumente miraton si të bazuara pretendimet duke anuluar votat në disa komuna ndërsa në disa komuna të tjera refuzon pretendimet ankimore dhe kështu gjykata ka krijuar pabarazi para ligjit.

“Subjekti politik PLE, nuk e pranon këtë rezultat zgjedhor të 14 shkurtit, për arsye tashmë të ditura publikisht dhe për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe ligjore të votueseve të komunitetit egjiptian në Kosovë, ne do të procedojmë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me qëllim të konfirmim të të drejtës sonë”, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat