Një vit nga shfaqja e dy rasteve të para me COVID në Kosovë

Aktuale

Një vit nga shfaqja e dy rasteve të para me COVID në Kosovë

Më: 13 mars 2021 Në ora: 07:09
Ilustrim

Një konferencë e jashtëzakonshme e ftuar nga kryeministri i kohës, Albin Kurti dhe ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 13 mars 2020, në ora 17:30 minuta, ishte konfirmim për dy rastet e para me virusin SARS-COV-2 në vendin tonë.

Një 77-vjeçar nga fshati Stubëll i Vitisë dhe një shtetase italiane ishin dy rastet pozitive nga 15 mostra që ishin testuar mes 12 e 13 marsit të vitit të kaluar. Qeveria mori masa strikte dhe vendi shkoi drejt mbylljes totale.

Një vit pas shfaqjes së dy rasteve të para, sot Kosova numëron 76.110 raste nga 348.381 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Grupmosha më e prekur nga kjo sëmundje mbetet nga 30-39 vjeç me 19.5% të rasteve.

Numri i atyre që nuk e fituan betejën me virusin është 1.688. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 63.892 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.530.

Prishtina vijon të jetë komuna më e prekur me rreth 30 mijë raste në total dhe mbi 250 të vdekur.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan pa asnjë dozë vaksine, ndërsa edhe shtetet e rajonit tashmë kanë filluar vaksinimin.

Shqipëria është ofruar të vaksinojë mjekët kosovarë përmes një marrëveshjeje mes dy vendeve në Kukës, por mbetet për t’u parë se si do të realizohet.

Autoritetet vazhdojnë të përsërisin premtimin e njëjtë se vaksinat do të vijnë së shpejti, ndërsa numri i rasteve ditore ka filluar të rritet si pasojë e fushatës elektorale për zgjedhjet e shkurtit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat