​Konsumatorët bien pre e praktikave të pa drejta të bizneseve, institucionet nuk trajtuan as gjysmën e ankesave

Aktuale

​Konsumatorët bien pre e praktikave të pa drejta të bizneseve, institucionet nuk trajtuan as gjysmën e ankesave

Më: 15 mars 2021 Në ora: 13:41
Pamje nga takimi

Sfidues mbetet mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë, të cilët në vazhdimësi përballen me pa siguri në produktet ushqimore, mashtrim me zbritjet e mallrave, fryrje të çmimeve veçanërisht në pandemi të produkteve bazike dhe farmaceutike.

Vetëm gjatë vitit 2020 ankesat e konsumatorëve në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë (MTI) janë rritur për 100 për qind, ku as gjysma e tyre prej 1 mijë e 17 sosh nuk janë trajtuar nga institucionet përkatëse.

Kështu është thënë sot në tryezën e organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në Konferencën për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit në Kosovë me temën “Mbrojtja e Konsumatorit gjatë Pandemisë”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, Dardan Abazi nga INDEP tha se për fatin e keq ende në diskursin publik të Kosovës dominojnë temat të tjera, të cilat lënë mbrapa të drejtat e konsumatorit dhe shqetësimet të cilat i kanë konsumatorët në Kosovë.

“Ne çdo ditë po marrim ankesa sa i takon shkeljes së të drejtave të konsumatorëve që ndërlidhen me realizimin e kontratave, me çështjet e zbritjeve të cilat janë reklamuar sidomos në kohën e fund vitit, me blerjet online, me sigurinë e ushqimit dhe çështje të tjera që ndërlidhen me realizimin e të drejtave të konsumatorëve”, tha ai.

Udhëheqësi i departamentit për mbrojtjen e konsumatorëve në MTI, Nijazi Shala tha se kjo ministri është zotuar të përmirësoi pozitën e konsumatorit përmes legjislacionit në fuqi, ndërsa shtoi se sfida kryesore është trajtimi i ankesave,

Shala po ashtu tha se edhe për vitin 2021 ka ngritje të ankesave, që shumë konsumatorë kanë rënë dhe vazhdojnë të bien pre e praktikave të pa drejtave të bizneseve.

“Shumë konsumator kanë qenë dhe ende janë ndoshta pre e praktikave të të pa drejtave të bizneseve. Sfidat fillimisht kishin të bënin me rritjen apo fryrjen siç thonë të çmimeve për pajisjet mjekësore, si maska apo dezinfektues njëherësh edhe për mallra bazë të konsumit. Me kalimin e kohës pastaj sfidat me tjerash kanë paraqitur rritje gjithashtu praktika mashtruese të marketingut me internet, pasi që pandemia ka nxitur blerjet digjitale(online). Ka pasur ngritje të ankesave për më shumë se 100 përqind, nga ato ankesa që janë adresuar rreth 1 mijë e 17, vetëm 46 përqind janë trajtuar nga institucionet kompetente”, theksoi Shala.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Lamir Thaçi theksoi se në periudhën e fundit kanë qenë vigjilent dhe siç tha ai është rritur volumi i punëve në AUV dhe kontrolleve për produktet ushqimore dhe zbatimin e masave kundër COVID-19.

Thaçi ka përmendur edhe numrin e ankesave të adresuar dhe trajtuar nga AUV.

“Ne gjatë gjithë kohës kemi pranuar ankesa edhe nga konsumatorët sa I përket punës sonë, siç siguria e ushqimit. Dhe të gjitha këto janë trajtuar me kujdes si autoritet brenda 24 orësh kemi vepruar. Për shumicën e prej tyre konsumatorët kanë marrë përgjigje. Ne zakonisht shkelësit nëse vërtetohen gjithmonë i penalizojmë. Vetëm për këtë vit janë 20 ankesa të cilat janë të regjistruara, që nuk do të thotë janë vetëm këto, janë vetëm në sektorin e inspektoratit sanitar, të gjitha janë trajtuar, tri lëndë prej tyre kanë shkuar në gjykatë, ndërsa, në sektorin veterinar i kemi pasur 16 ankesa 15 prej tyre ne I kemi proceduar në gjykatë. Kjo do të thotë se ne si autoritet jemi duke punuar ngushtë me konsumatorin”, tha Thaçi.

Ai ka kërkuar nga konsumatorët që të raportojnë për çdo parregullsi që hasin ata në produktet ushqimore.

Ndërsa, Helen Leurent përfaqësuese nga Customer International, e cila u inkuadrua nga Zvicra në platformën ‘zoom’ ngriti çështjen e ndotjes nga plastika.

Laurent tha se shqetësimet e tyre janë për ndotjen plastike, përdorimi i qeseve plastike një përdoreshe. Sipas saj, këto gjësende plastike duhet të zëvendësohen dhe bizneset, prodhuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për nevojën e konsumatorëve dhe ndotjen e ambientit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat