​Kërkohet suspendimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore dhe prokurorit në rastin e Sebahate Sopit

Aktuale

​Kërkohet suspendimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore dhe prokurorit në rastin e Sebahate Sopit

Më: 17 mars 2021 Në ora: 14:12
Instituti i Kosovës për Drejtësi

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) po kërkojnë suspendimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore dhe prokurorit në rastin Sebahate Sopit. Sipas tyre, këto institucione nuk kanë përmbushur obligimet ligjore në rastet ku cenohet integriteti i grave tek veprat penale të dhunës në familje. Për më tepër, IKD dhe RrGK po thonë se këto institucionet kanë bërë shkelje të së drejtës elementare për jetë.

Të dy këto organizata kanë reaguar ndaj neglizhencës që sipas tyre ka treguar Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës ne rastin e Sebahate Sopit.

Dyshohet se me 14 mars, L.S se në lagjen “Emshir” në Prishtinë me armë zjarri ka vrarë fillimisht bashkëshorten e tij Sebahate Sopi, e më pas e ka vrarë edhe vetën.

IKD dhe (RrKK), kanë publikuar gjetjet preliminare të hulumtimit të rastit të vrasjes së Sebahate Sopit: “Shteti me mos veprim, privon nga jeta Sebahate Sopin”.

Ehat Miftaraj nga IKD tha se me kushtetutë e drejta për jetë është elementare dhe duhet të garantohet nga shteti, por që një gjë e tillë nuk është përfillur në rastin e Sopit.

Miftaraj: Prokuroria Themelore ka dështuar të ushtrojë kompetencat e saj

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dështuar të ushtrojë kompetencat dhe detyrat saj për t'iu ofruar mbrojtje në këtë rast viktimës Sebahate Sopit. Çka ishte edhe më e ndjerë ishte fakti që Prokuroria Themelore në Prishtine dje dërgoi një komunikatë për media përmes së cilës u mundua fatkeqësisht në mënyrë amatoreske dhe aspak njerëzore t’i ikë përgjegjësisë dhe të gënjejë publikisht se kjo prokurori ka ndërmarrë të gjitha veprimet në lidhje me këtë rast”, theksoi ai.

Ai ka njoftuar se e ndjera ka qenë viktimë e dhunës në familje në vitin 2019, dhe si rezultat i saj kishte një urdhër-mbrojtje të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan. Urdhri për mbrojtje kishte skaduar në vitin 2020. Vajza e Sebahate Sopit me 3 mars kishte raportuar dhunën në familje ndaj nënës së saj. Miftaraj theksoi se Prokurori i Shtetit vetëm me një intervistim ishte mjaftuar që të mos ndërmarrë veprime shtesë.

Miftaraj: prokurorët e shtetit po i shfrytëzojnë privilegjet por nuk po i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre

“Prokurorët e shtetit në Republikën e Kosovës duhet të kuptojnë se pozita e prokurorit nuk është privilegj për të marrë në fund të muajit 20 mijë euro, 30 mijë euro deri në 60 mijë euro në muaj që marrin disa prokurorë. Por, pozita e prokurorit është përgjegjësi para kushtetutës, është përgjegjësi para ligjit, është përgjegjësi në raport para sistemit prokurorial dhe qytetarëve. Fatkeqësisht sot prokurorët e shtetit po i shfrytëzojnë privilegjet por nuk po i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre që u kanë kushtetuta dhe ligjit”, shtoi ai.

E, Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës theksoi se gratë për vjet me radhë po e raportojnë dhunën, por që institucionet gjegjëse po refuzojnë të ofrojnë mbështetje, çka po rezulton me përfundim të jetës me fatalitet.

Berisha: Të shkarkohen prokurorët të cilët e kanë pasur këtë rast

"Ne do të kërkojmë që të gjenden edhe prokurorët të cilët, e që e dimë cilët janë edhe të tjerë të cilët nuk po e zbatojnë punët dhe detyrën e tyre ashtu siç duhet. Dhe do të kërkojmë shkarkimin e tyre dhe masat e tjera të cilat janë ndëshkuese për këta ushtrues detyre në institucionet zyrtare”, tha ajo.

Hulumtuesi Shala nga IKD shtoi se prokurori i shtetit në komunikatën e djeshme duke u munduar ta mbulojë fajin e vet ka dëshmuar neglizhencën e treguar.

Shala: Sikur prokuroria të ndërmerrte veprime, do të bëhej distancimi në mes dorasit dhe viktimës

"Prokuroria Themelore në Prishtinë përpos faktit që ka pasur të deponuar një rast, ka pasur edhe të dhëna kriminale që i njëjti paraprakisht për dhunë ndaj së njëjtës është mbajtur në paraburgim dhe ndaj së njëjtës ka pasur edhe një urdhër-mbrojtës. Bëhet fjalë për dhunë sistematike ndër vite dhe që rreziku i shpërthimit ka qenë evident, moment pas momenti. Mirëpo, përkundër kësaj prokuroria nuk ka marrë asnjë veprim në kuadër të kompetencave të saj. Sikur prokuroria të ndërmerrte veprime në kuadër të kompetencave të saj, arsyeshëm besohet se do të bëhej distancimi në mes dorasit dhe viktimës”, ka shtuar ai.

Tutje ai ka shtuar se institucionet gjegjëse ia kanë shkelur të drejtën për jetë Sebahate Sopit.

Shala: Të suspendohet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore dhe prokurori i rastit

“IKD dhe RrGK kërkon nga sistemi prokuroria që urgjentisht ta trajtojë aspektin e llogaridhënies në lidhje me këtë rast. Dhe aspekti i parë që duhet është që të suspendohet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe prokurorin e këtij rasti. Dhe po ashtu kërkojmë që të formohet një grup punues që të zbardhet ky rast”, ka përfunduar ai.

Sipas Shales ky grup punues duhet të përfaqësohet nga një prokuror i cili nuk është nga Themelorja në Prishtinë, një përfaqësues i viktimës dhe dy përfaqësues të shoqërisë civile.

Në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhet se me datën 4 mars ka ftuar në polici për deklaratë shtesë Sebahate Sopin, por e njëjta nuk është paraqitur Stacion Policor.

E njëjta dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj me 14 mars, i njëjti më pas ka vrarë edhe vetën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat