Pozhari: Dikush i afërt t’i tregojë Abdixhikut se është duke gabuar rëndë

Aktuale

Pozhari: Dikush i afërt t’i tregojë Abdixhikut se është duke gabuar rëndë

Nga: A.Zh Më: 18 mars 2021 Në ora: 17:34
Lumir Abdixhiku dhe Xhevdet Pozhari

Gazetari Xhevdet Pozhari, ka thënë se kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, po gabon rëndë me deklarimet e tij të fundit.

Ai ka thënë se përvoja nga paraardhësi i tij Isa Mustafa, duhet t’i shërbejë se çka nuk duhet bërë, e jo se si t’i bëjë veprimet e njëjta me maskë të re, përcjell Bota sot.

Gazetari ka kërkuar nga kreu i LDK-së që të heshtë edhe nëse është kundër bashkimit kombëtar, pasi njerëzit kanë vdekur për këtë ideal.

Sipas Pozharit, Vjosa Osmani lartëson “rugovizmin”, po aq sa Abdixhiku. Ai ka shtuar se momenti i Abdixhikut do të vjen me opozitarizëm konstruktiv dhe kur njerëzit nuk do ta shohin si kopje të Isa Mustafës.

Reagimi i Pozharit në Facebook:

Lumir Abdixhiku me deklarimet e tij thjeshtë po e mat pulsin publik. Por, dikush i afërt duhet t'i tregojë se është duke gabuar rëndë.

E para, të gjithë e dinë se duhen reforma rrënjësore në LDK. Emërimi i tij në krye të partisë është veç një hap. Se si shfrytëzohen përkohësisht kuadrot në këtë parti e kemi parë edhe në rastet kur kandidatë si Vjosa Osmani kanë sjellë rezultatin më të mirë dhe në momentin që kanë provuar të sjellin një standard të ri në politikbërje, janë përjashtuar.

E dyta, edhe nëse je kundër bashkimit kombëtar, hesht më mirë. Ka njerëz që kanë vdekur për atë ideal.

E treta, përvoja nga mentori i tij Isa Mustafa do të duhej t'i shërbente se çfarë nuk duhet bërë, e jo se si t'i bëjë veprimet e njëjta me një maskë të re. Inati nuk të çon askund! Nëse rrëzimi i qeverisë në kohë pandemie ishte gabim siç ka deklaruar vetë, atëherë mosformimi i institucioneve (zgjedhja e presidentit në këtë rast) në rrethana kur qeveria ka dështuar të sigurojë edhe vaksinat, është gabim akoma më trashanik. Sidomos kur kësaj radhe partia që ka fituar zgjedhjet e realizoi suksesshëm referendumin.

Dhe e fundit për tani, Vjosa Osmani ka qenë 15 vite në LDK. Sot e kësaj dite 'rugovizmin' e lartëson po aq sa ti. Në mos edhe më shumë. Po, ajo din të jetë e ashpër kundër hajnave, por pro tyre nuk besoj të jesh as ti. Pos nëse pavërejtshëm ke nis të biesh nën ndikimin e tyre dhe mos ta kuptosh se ata hallin e kanë se si të shpëtojnë nga burgu, e jo se kush do të jetë presidente!

Prandaj Lumir është shumë herët të futesh në beteja ku humbjen e ke të sigurt. Prite momentin tënd. Ai do të vjen me opozitarizëm konstruktiv dhe kur ta kesh betonuar identitetin tënd, atëherë kur njerëzit nuk do të shohin si kopje të Isa Mustafës. Ndryshimet kozmetike sot nuk i hanë askush.

Në dorë, tani për tani, e ke veç respektin! Është diçka që nuk mund ta rikthesh më nëse e humb. Se frikën s'ta kanë hiq se hiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat