Sfida e madhe për qeverinë në ardhje, ja çka po kërkon BE-ja nga Kosova

Aktuale

Sfida e madhe për qeverinë në ardhje, ja çka po kërkon BE-ja nga Kosova

Më: 21 mars 2021 Në ora: 11:36
Bruksel

Bashkimi Evropian po pret nga qeveria në ardhje (Kurti), themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Sipas BE-së, institucionet kosovare duhet të respektojnë angazhimet që kanë marrë në kuadër të dialogut me Serbinë. Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese nuk kanë pranuar të përgjigjen rreth qasjes së tyre për këtë temë, ndërsa njohësit politikë, shprehën të vendosur se asociacioni duhet të formohet, por vetëm sipas vendimit të kushtetueses.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano përmes një përgjigje, thotë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin po keqinterpretohet në Kosovë, sipas tij e njëjta asnjëherë nuk ka thënë që Asociacioni nuk mund të themelohet.

Megjithatë, nuk e ka bërë të ditur nëse kjo temë do të hapet qysh në takimin e parë të rifillimit të dialogut.

“Kosova hyri në një marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është tërhequr. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me shumicën e 2/3. Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një obligim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. Vendimi i gjykatës kushtetuese më 2015 lidhur me Asociacionin keqinterpretohet vazhdimisht. Gjykata kurrë nuk ka thënë që Asociacioni nuk mund të themelohet. Prandaj, ne presim që Kosova të respektojë angazhimet që ka ndërmarrë në Dialog”, thotë ai.

Asociacioni, sipas Arton Demhasaj nga Çohu mund të themelohet, por vetëm në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai shprehet kategorik kundër që Asociacioni të themelohet në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

Demhasaj: Mund të lejohet të formohet Asociacioni, por vetëm sipas aktgjykimit të Kushtetueses

“Për aq kohë që këtë Kushtetutë që e kemi mbetet në fuqi dhe nuk ndryshohet. Nuk guxon dhe nuk mundet askush të krijojë një asociacion që lidhet me marrëveshjen e Brukselit dhe bie kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi është obligativ dhe nuk mundet askush në kundërshtim me atë vendim të krijojë një statut për asociacionit që bie në kundërshtim me atë vendim dhe Kushtetutën tonë. Pra mund të lejohet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës, vetëm mbi diçka të tillë është e pranueshme. Por jo në zbatim dhe korrelacion të marrëveshjes së Brukselit që ka dalë se shkel goxha shumë parime të Kushtetutën tonë”, thotë ai.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thotë se edhe statuti i Asociacionit duhet t’i dërgohet paraprakisht Kushtetueses për interpretim.

Krasniqi: Duhet edhe statuti i ri t’i dërgohet paraprakisht gjykatës për interpretim

“Duhet edhe statuti i ri t’i dërgohet paraprakisht gjykatës për interpretim. Kështu që Asociacioni duhet të bëhet vetëm ashtu siç ka përcaktuar Kushtetuta dhe në asnjë mënyrë tjetër...Asociacioni ka mundur të bëhet qysh të nesërmen kur Gjykata e ka nxjerr atë interpretim. Por të bëhet në bazë të aktgjykimit dhe jo në bazë të marrëveshjes e cila është nënshkruar në Bruksel për asociacionin”, thotë ai.

Për shkak të temës së Asociacionit vitin e kaluar u bllokua edhe dialogu Kosovë-Serbi. Kjo pas kërkesës së palës serbe për themelimin e tij dhe refuzimit kategorik të institucioneve kosovare, që i njëjti të formohet jashtë aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat