Avokatët ia kërkuan incizimet e intervistave të dëshmitarëve, ky është vendimi i gjyqtarit të Speciales

Aktuale

Avokatët ia kërkuan incizimet e intervistave të dëshmitarëve, ky është vendimi i gjyqtarit të Speciales

Më: 24 mars 2021 Në ora: 07:54
Të arrestuarit nga Specialja shfaqen në publik pas shumë kohësh

(E plotësuar 15:45) - Gjykatësi i Speciales, Nicolas Guillou s’ka mundur t’i lejojë avokatët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kenë qasje në incizimet audio dhe video të intervistave të dëshmitarëve për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Guillou ka thënë se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara nuk mund të vendos mbi Prokurorinë detyrimin për t’ua vendosur avokatëve në dispozicion regjistrimet audiovizive të dëshmitareve dhe të akuzuarve.

Si rregull e përgjithshëm, ai ka thënë se aty ku intervistat janë në transkriptime, incizimet audiovizive ka nevojë të vihen në dispozicion.

“Nga ana tjetër mungesa e një dispozite të tillë ligjore për nxjerrjen e incizimeve audiovizive, nuk e përjashton mundësinë që ky informacion të vendoset në dispozicion nga ZPS nëse material është me rëndësi materiale për përgatitjen e mbrojtës. Në rastin në fjalë, argumenti i mbrojtjes lidhur me nevojën për saktësimin e transkriptimeve është i pamjaftueshëm sepse ky verifikim mund të kryhet në bazë të transkriptimeve të vendosura në dispozicion”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbrojtja s’ka arritur t’i mbështes argumentet se pse mbështetja në transkriptime nuk i jep atyre mundësi që të vlerësojë dëshminë e dhënë nga dëshmitari

***

Seanca paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ndërprerë përkohësisht pasi gjykatësi Nicolas Guillou ka thënë se do të pauzojnë për gjysmë ore. Pasi të kthehen, ai ka paralajmëruar se do të japë disa urdhra gojorë për palët.

Në seancën e sotme janë paraqitur në diskutim një sërë çështjesh. Mbrojtja e të akuzuarve e ka akuzuar Prokurorinë se po ngutet padrejtësisht që ta nis sa më shpejt gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

David Hooper, avokat i Thaçit, ka kërkuar nga organi i akuzës disa materiale të cilat i ishin paraqitur klientit të tij gjatë intervistimit në korrik të vitit të kaluar.

Më tej, avokatët e të të akuzuarve kanë kërkuar që Prokuroria t’ua japë të gjitha incizimet audio dhe video të intervistave të dëshmitarëve.

Avokati i Thaçit në seancë i ka përmendur edhe bombardimet e NATO-s për t’i dhënë fund agresionit të Serbisë mbi Kosovën.

Prokuroria ka thënë se në shtator planifikon ta dorëzojë dosjen paraprake në këtë rast, gjë që është kundërshtuar nga avokatët.

Ish-zyrtari amerikan, Pierre-​Richard Prosper, avokat i Hashim Thaçit, në seancën e sotme paragjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se s’ka mundur të takohet me ish-presidentin e Kosovës që prej kohës kur është ngritur aktakuza kundër tij, ndërsa ka shfaqur dyshime për platformën Zoom.

Avokatët i kanë pasur edhe disa ankesa tjera lidhur me hetimet që po i zhvillojnë.

***

Prokuroria e Specializuar e Hagës në seancën e sotme ndaj krerëve të UÇK-së  ka folur për dërgimin e dosjes paragjyqësore, të cilën pret ta bëj në shtator.

Prokurorja e Specializuar tha se ndryshimi në afate është bërë për shkak të afateve të reja që ka vënë gjykata.

“Është shumë e rëndësishme që të mbahet një lidhje mes afateve të përcaktuara në secilën fazë. Ne parashikojmë që materialet t’i dorëzojmë në javën e dytë të shtatorit. Arsyeja për këtë ndryshim në afat kohor është për shkak të afateve të reja që keni vënë ju gjykatës në rikategorizimin e provave. Ndonëse jemi të fokusuar tek detyrimet që kemi sa i përket nxjerrjes dhe i kemi fokusuar në këtë aspekt, kjo kërkon kohë dhe burime tjera”, tha ai.

E ndaj kësaj deklarate reagoi avokati David Hooper, që është mbrojtës i ish-presidentit Thaçi.

Ai u shpreh i çuditur se si Prokuroria po do të bëj hetime të mëtutjeshme, sot 22 vite pas ndërhyrjes së NATO-s ndaj agresionit serb.

“Mua më çudit ajo që thotë Prokurorja për hetimet. Çfarë nevoje ka për të bërë hetime në këtë fazë? Jemi 22 vjet pasi NATO bëri bombardime për të ndaluar agresionin serb kundër Kosovës, dhe ja ku jemi sot me një aktakuzë që ua kanë parashtruar deri në imtësi. Çfarë nevoje ka që prokuroria të bëj hetimet mëtejshe. Më duket se bëjnë për të përforcuar një dosje që s’është aq e fortë. Si mund të thonë që kjo nuk mund të ketë pasoja për datën kur do të nis gjyqi”, tha Hooper. 

Seanca ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, Gjykata Speciale thotë se ka siguruar edhe dy paketa me materiale për krerët e UÇK-së

Po vazhdojnë diskutime në Gjykatën Speciale në seancën ndaj krerëve të UÇK-së.

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, David Hooper ka thënë se do të ishte shumë e rëndësishme që mbrojtja përveç transkriptave të intervistave të kishte edhe audio-incizimet apo video-incizimet e intervistave.

Mirëpo këtë kërkesë e trajtoi si të pabazë Prokuroria e Specializuar.

“Kjo është një çështje që nuk është ngritur inter-partes, dhe pa bërë të ditur bazën ligjore, apo është e pabazuar. Për të gjitha  dëshmitë e dëshmitarëve nuk ka incizime audio-vizuale. Nuk është preferim i duhur t’i referohemi Gjykatës Penale Ndërkombëtare në vitin 2010 për çështjen e materialit audio-vizual. Ne i kemi vënë mbrojtjes transkriptimet në shqip dhe anglisht. Bëhet fjalë për materiale të konsiderueshme. Çdo redaktim që është bërë në transkriptim duhet bërë edhe në incizim, dhe kjo nuk është e lehtë dhe do të kërkonte një softuer të specializuar, të cilin ZPS nuk e ka. Kjo vlen për të gjitha transkriptet, në mënyrë që të përdoren redaktimet standarde”,  tha Prokurorja e Specializur.

E ndaj kësaj deklarate reagoi edhe avokati Hooper, i cili tha se duhet të evidentohet gabimet e mundshme në përkthim dhe transkriptim.

“Nuk jam dakord me Prokuroren, nuk kam asgjë kundër saj. Është mëse e logjikshme që nëse nuk ka video-incizim dëgjimor në dispozicion, apo nëse ka materiale të tilla, unë e di që nëse një fjalë është e përkthyer në gjuhë anglisht, ajo është thënë në shqip. Unë thjesht dua të kontrrolloj gjërat e rëndësishme dhe i kuptoj vështirësitë, por nëse do të na jepte mundësia që ta kontrollojmë audio, duhet të kontrollojmë përkthimet. Na duhet mundësia që t’i dëgjojmë vet, dhe t’i kontrollojmë këto materiale nga persona që marrin vesh anglisht”, tha Hooper.

Kjo kërkesë e avokatit të Thaçit u mbështet edhe nga avokatët e tjerë të krerëve të UÇK-së.

Prokurorja ndërkaq tha se intervistat në shqip nuk janë të përkthyera, dhe fjala origjinale është vendosur në dispozicion ashtu siç është thënë. 

***

 Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka folur për pretendimet e kryeprokurorit, Jack Smith ndaj mbrojtësit të Hashim Thaçi, David Hooper.

Emmerson ka thënë se pretendimet e kryeprokurorit Smith janë pretendime në keqbesim dhe se sipas tij kjo nuk është hera e parë që prokuroria sipas tij po e komenton punën e mbrojtjes.

“Kam shumë për të thënë në lidhje me këtë çështje. Në këtë fazë më lejoni të them që pretendimi i zotit Smith që mbrojtja e zotit Thaçi po kërkon që të krijojë një themel provash, apo historiku të nxjerrjes së informacioneve, është pretendim në keqbesim dhe kjo nuk është hera e parë që ZPS ka shkuar në një pozicion që ka të bëj me komentimin e punës së mbrojtjes. Kjo e fundit vetëm ka reaguar në përputhje me ligjin”, tha ai.

Ai tha se krejt çka po bën mbrojtja, janë veprime konform ligjit, dhe se kryeprokurori Smith duhet të heq dorë nga pretendimet siç i ka pasur deri tash.

“Kjo është theksuar edhe në kërkesat e tjera kur është thënë se mbrojtja ka kohën e nevojshme dhe po përdor vetëm arsye. Kjo është një kërkesë e jashtëzakonshme që po parashtrohet nga Prokuroria. Siç dëgjuam  sot, ZPS po kërkon kohë më tepër që të ofrojë detyrimet e saj. Idetë që sjellja e duhur e mbrojtjes duhet të karakterizohet si lloj pengese e punës së ZPS-së është diçka e keqe për Prokurorinë, dhe do të kërkoja nga zoti Smith të hiqte dorë nga këto. Doja që të thoja që këto sugjerime, sjellje të mbrojtjes janë thjeshtë mbrojtje dhe sjellje normale që të mund të realizohet procesi i rregullt ligjor”, tha Emmerson.

***

Në Gjykatën Speciale, ka filluar seanca paragjyqësorë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykatësi Nicolas Guillou, para të akuzuarve paraqiti agjendën statusore të kësaj konference.

Ndërsa një prokurore e Zyrës së Prokrurit të Specializuar, tregoi se kanë siguruar edhe dy paketa me materiale për krerët e UÇK-së.

“Pas konferencës së fundit, Prokuroria ka nxjerrë edhe dy paketa me materiale… Kemi depozituar një kërkesë tjetër për masa mbrojtëse ndaj këtyre materiale”, tha ajo.

Ndër çështjet që do të diskutohen në këtë seanca janë ecuria e hetimeve të Prokurorisë dhe mbrojtjes, parashtrimi i përgjigjeve ndaj mocioneve paraprake të dorëzuara paraprakisht dhe çështje të tjera që ngriten nga palët.

Në këtë seancë, mbrojtja e Thaçit është ankuar se nuk ka marrë disa nga provat materiale të cilat ikanë marrë edhe 3 të akuzuarit e tjerë.

Prokurorja thotë se po punojnë me deklaratat e dëshmitarëve, avokati i Thaçit: Po nguteni për ta nisur gjykimin

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar në seancën e sotme paragjyqësore se e kundërshton urgjencën e Prokurorisë që gjykimi në këtë rast të fillojë sa më parë.

“Urgjencën për fillimin e gjykimit sa më të shpejtë të cilin ne e kundërshtojmë për të gjitha arsyet praktike të cilat i kemi paraqitur më parë”, tha avokati.

David Hooper, avokat i Thaçit, tha se kanë vështirësi në marrjen dhe trajtimin e materialeve, ndërsa kundërshtoi prokuroren e cila paraprakisht u ankua se po punojnë në vështirësi jo të pakta.

“Unë i kuptoj vështirësitë. Ka edhe vështirësi dhe kufizime të tjera nën të cilat po punojmë të gjithë. Në një atmosferë gjithnjë e më shumë jobashkëpunuese…. Ne kërkojmë një sistem të nxjerrjes së materialeve përmes së cilit Prokuroria do t’i japë mbrojtjes materialet të cilat i kërkon”, tha Hooper.

Paraprakisht, prokurorja tha se janë duke u marrë me deklaratat e dëshmitarëve.

“Aktualisht jemi duke punuar me deklaratat paraprake të dëshmitarëve dhe do të punojmë edhe me provat”, tha prokurorja.

Ajo shtoi se “nga ana e mbrojtjes nuk vlerësohet dhe kuptophet puna e madhe që na kërkohet për përpunimin e materialeve”.

Ndërsa avokati i Thaçit pati vërejtje edhe për sistemin elektronik për pranim-dorëzimin e materialeve ndërmjet palëve.

“Ne po punojmë me një sistem që është i copëzuar dhe jo i dobishëm”, tha Hooper, duke propozuar që të bëhet një sistem i ri. 

***

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në seancë po marrin pjesë në mënyrë elektronike edhe katër të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Fillimisht, gjykatësi Nicolas Guillou paraqiti agjendën e kësaj konference, ndërsa një prokurore e Zyrës së Prokrurit të Specializuar, tregoi të rejat e fundit lidhur me materialin akuzues dhe atë shfajësues. Ajo tha se nga seanca e fundit paragjyqësore, ata kanë nxjerrë edhe dy paketa me materiale.

“Pas konferencës së fundit, Prokuroria ka nxjerrë edhe dy paketa me materiale… Kemi depozituar një kërkesë tjetër për masa mbrojtëse ndaj këtyre materiale”, tha ajo.

Ndër çështjet që do të diskutohen në këtë seanca janë ecuria e hetimeve të Prokurorisë dhe mbrojtjes, parashtrimi i përgjigjeve ndaj mocioneve paraprake të dorëzuara paraprakisht dhe çështje të tjera që ngriten nga palët.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar nga ZPS-ja.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. 

***

 Ka filluar konferenca për ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve në Hagë.

Seanca po mbahet ndaj katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.

***

Ka filluar seanca ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Thaçi dhe të tjerët sot dalin para Speciales

Sot do të mbahet konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo është konfirmuar edhe në kalendarin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasnqi dhe Rexhep Selimi do të paraqiten në seancën e radhës në gjykatë nga ora 11:00. Që të katërt akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës  të Lidhjes Demokratike të Kosovës  ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat