Grupi i Grave Deputete organizon Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, në fokus luftimi i dhunës me bazë gjinore

Aktuale

Grupi i Grave Deputete organizon Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, në fokus luftimi i dhunës me bazë gjinore

Nga: Bota sot Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 18:02
Fotoilustrim

Grupi i Grave Deputete do të organizojë nesër, më 25 nëntor, Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, në kuadër të hapjes së fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Ngjarja do të mbahet në orën 10:00, në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”.

Në këtë aktivitet do të bëhen bashkë gratë deputete dhe gratë asambleiste, me qëllim diskutimin e mundësive për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

Diskutimet do të përqendrohen në rritjen e ndikimit të grave në hartimin e politikave, si dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të mbijetuarave të dhunës me bazë gjinore.

Asambleja synon të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në adresimin e pandëshkueshmërisë, duke vënë në fokus drejtësinë dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat