Tre deputetët e LDK-së që nuk marrin pjesë në votimin e Osmanit për presidente

Aktuale

Tre deputetët e LDK-së që nuk marrin pjesë në votimin e Osmanit për presidente

Më: 2 prill 2021 Në ora: 14:38
LDK

Seanca për votimin e presidentit pritet të mbahet pasditen e sotme.

Lëvizja Vetëvendosje, tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në garë, përveç Vjosa Osmanit do të kandidojë edhe Nasuf Bejta.

Ish-partia e Osmanit, LDK-ja, gjatë kësaj jave ka thënë se nuk do të pengojnë zgjedhjen e presidentit të ri.

Mirëpo, merret vesh se tre deputetë të LDK-së nuk do të marrin pjesë në votimin e Osmanit për presidente.

Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj kanë dalë kundër vendimit të Kryesisë së partisë dhe ata pritet të mos marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet sot për votimin e Osmanit për presidente.

Kundër zgjedhjes së Osmanit janë deklaruar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.

Më 22 mars është konstituuar kuvendi dhe po të njëjtën ditë është zgjedhur edhe qeveria e re. Qeveria e Kurtit mori mbështetjen e 67 deputetëve.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat