E konfirmon Kusari-Lila: Seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet sot në orën 18:00

Aktuale

E konfirmon Kusari-Lila: Seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet sot në orën 18:00

Më: 3 prill 2021 Në ora: 12:56

(E plotësuar 16:02) - Ushtruesja e detyrës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se seanca për votimin e presidentit do të mbahet nga ora 18:00 të shtunën.

Kusari-Lila këtë konfirmim i bëri nëpërmjet një konference të mbajtur pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

“Seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet sonte në ora 18:00. Ne si grup parlamentar kemi shpreh gatishmërinë që të marrim të gjitha hapat e duhur për mbarëvajtje të suksesshme të një séance për zgjedhjen e presidentes”, deklaroi ajo.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancë për zgjedhjen e presidentit të vendit nëse pozita nuk heq dorë nga projektligji për zgjedhje të përgjithshme.

​Nëse nuk tërhiqet projektligji për zgjedhje, LDK nuk ia bënë kuorumin Vjosa Osmanit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, tha se presin që projektligji të tërhiqet, ndërsa ka thënë se kanë vërejtje edhe sa i përket nënshkrimeve për kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ai tha se nuk do të marrin pjesë në seancë nëse nuk marrin garanci që do të ketë një reformë zgjedhore substanciale.

Gashi: Si LDK presim që të tërhiqet ai projektligj

“Ne kemi vërejte se ka një ndërhyrje në listën nënshkruese të deputetëve të cilët janë nënshkruar si përkrahës të njërit nga kandidatët dhe kjo ndërhyrje duhet të sqarohet, duhet të shihet se si ka ndodhur sepse kemi një moment kur janë shlyer në mënyrë fizike tre emra dhe është vazhduar me tre emra të tjerë. Kjo ndërhyrje është ndërhyrje fizike, pra është mbuluar kush ka qenë këtu nënshkrues dhe ne nuk e dimë çka ka ndodhur me këto lista të nënshkruara. Prandaj, ne si LDK presim që të tërhiqet ai projektligj, që të merret garanci që do të kemi reformë substanciale në aspektin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë sepse nuk ka emergjencë, nuk ka emergjencë, ai ligj nuk ndikon tek zgjedhjet lokale... Këto akrobacione që ia ka bërë z.Kurti mbrëmë dhe partia e tij janë të rrezikshme për demokracinë dhe ky shembull, kjo mendësi e sjelljes në Kuvend dhe në vend duhet të ndalojë. Pra, ne duam garanci që kjo do të ndalojë dhe normalisht pastaj do të marrim vendimet dhe veprimet tona... Pa u zgjidhur këto probleme ne nuk marrim pjesë...”, tha ai.

Gashi tha se janë për reformë substanciale zgjedhore dhe që diasporës t’i mundësohet votimi në ambasada dhe në konsullata, por që tha se nuk janë që kjo të bëhet në mënyrë arbitrare

Gashi: Ne kërkojmë që të kemi një proces i cili është proces transparent

“Nuk e dimë se çka ka thënë z.Konjufca, ne kërkojmë që të kemi një proces i cili është proces transparent, gjithëpërfshirës ku përfshihen edhe shoqëria civile edhe partitë parlamentare edhe partitë jashtëparlamentare se bëhet fjalë për rregullat e kandidimit për zgjedhje. Pra, bëhet fjalë për një gjithëpërfshirje, nuk bëhet fjalë për sjellje apo teke individuale sepse dihet që për herë të parë një parti e cila është në pushtet kërkon që t’i vendos rregullat, kjo është e papranueshme. Nuk ka asnjë vend demokratik që e bënë këtë punë, këtë procese në të gjitha vendet demokratike i udhëheq opozita, ndërsa ajo që kemi pa mbrëmë ka qenë sjellje e çoroditur politike, e paarsyeshme, e pakuptueshme”, tha ai.

I pyetur rreth qëndrimit të LDK-së për votimin e presidentit të vendit, ai tha se ka një qëndrim të kryesisë së LDK-së.

Gashi: Kemi një qëndrim të kryesisë së LDK-së që ne do të marrim pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit

“Do ta shqyrtojmë, ne kemi një qëndrim të kryesisë së LDK-së që ne do të marrim pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, nuk kemi fol për emra konkret se nuk kemi pasur deri në këtë moment propozime konkrete, tash kemi propozime konkrete për president dhe tek propozimi konkret ka vërejtje se është ndërhyrë në dokumentin origjinal”, tha ai.

Seanca për zgjedhjen e presidentit të vendit do të mbahet në orën 18:00.

LDK lëshon mbledhjen e Kryesisë, deklarohet Arben Gashi 

LDK-ja ka lëshuar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, teksa Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi tha para mediave se Ligji nuk është tërhequr dhe situata s’ka ndryshuar.

“VV ka kërcënuar dhe shantazhuar me Ligjin për Zgjedhje ne kemi kërkuar që të tërheqë projektligjin, nuk kemi tërheqje prandaj jemi në situatën e njëjtë”, tha Gashi.

Ai tha poashtu që Ligji duhet të tërhiqet automatikisht dhe të jepet garanci për reformë zgjedhore substanciale.

“Duhet automatikisht të tërhiqet dhe të jepet garanci për një reformë zgjedhore substanciale përfshirë edhe kërkesën e VV-së. Për seancën e jashtëzakonshme ka ndërhyrje në listën e nënshkruesve te deputetët që janë nënshkruar si përkrahës të njërit kandidat, kemi një moment që janë fshirë në mënyrë fizike tre emra”, tha Gashi.

Shefi i deputetëve të LDK-së tha se partia e tij është që të organizohen zgjedhje edhe në ambasada e konsulata.

“Kërkesa jonë është me arsyeshmëri, përherë të parë në Kosovë një shumicë parlamentare tenton në mënyrë arbitrare të ndryshojë rregullat e lojës dhe procesin zgjedhor. Ne jemi që të përfshihen të gjitha komentet dhe sygjerimet, ne jemi për reformë substanciale dhe jemi që ambasadave dhe konsulatave të ju mundësohet organizimi i zgjedhjeve”, tha ai.

Tutje deputeti Gashi tha se pa u zgjidh problemi me listën e nënshkruesve nuk marrin pjesë në seancë.

“Do ta shqyrtojmë, kemi një qëndrim që do të marrim pjesë në seancë, nuk kemi folur për emra konkretë, tash kemi edhe te propozimi konkret ka vërejtje se është ndërhy në dokumentin origjinal. Pa u zgjidh problemi nuk marrim pjesë”, tha ai.

***

Tashmë ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Mbledhja është duke u kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit edhe u.d i presidentit, Glauk Konjufca.

Në këtë mbledhje pritet të caktohet seanca për zgjedhjen e presidentit.

Image

Në mbledhje po marrinë pjesë edhe shefat e Grupeve Parlamentare të opozitës por jo edhe ata të Listës Serbe.

Ndërkohë që KosovaPress ka mësuar që seanca për presidentin do të mbahet në ora 18:00.

***

Kryesia e Kuvendit do të mbajë mbledhje në ora 15:00. 

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Kuvendi i Kosovës.

Rendi i ditës

1.      Kërkesa e 41 deputetëve për thirrjen e Seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës  së Kosovës.

***

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot në ora 14:30.

Takimi do të mbahet me shefat e grupeve parlamentare dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet edhe mundësia e caktimit të seancës për zgjedhjen e presidentit.

Pas presionit publik, kryeministri Albin Kurti është tërhequr nga plotësim-ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, përgjatë një takimi të mbajtur ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kandidates për president Vjosa Osmani, kanë vendosur të tërhiqen nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Tutje, thuhet edhe se nuk do bëhet më veprimet pa u konsultuar me opozitën sa i përket ndryshimit për Ligjin e Zgjedhjeve të Përgjithshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat