​Deputetët e komisionit për Arsim zotohen se do të punojnë për adresimin e problematikave në arsim

Aktuale

​Deputetët e komisionit për Arsim zotohen se do të punojnë për adresimin e problematikave në arsim

Më: 13 prill 2021 Në ora: 15:24
Foto nga vendi i ngjarjes

Është konstituar sot Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku anëtarët e këtij komisioni kanë deklaruar se do të punojnë bashkërisht për të adresuar problematikat e fushës së arsimit.

Në mbledhjen e parë të këtij komisioni u tha se sfida kryesore aktuale e sistemit arsimor është pandemia, ku u potencua se për shkak të saj arsimi do të ketë pasoja shumë të mëdha.

Kryetari i Komisionit, Ardian Gola, tha se do të përpiqet që të ndërtojë një klimë konstruktive të bashkëpunimit. Ai gjithashtu ka kërkuar nga anëtarët e komisionit që jenë konstruktiv dhe bashkëpunues rreth temave që do të trajtohen në këtë komision.

Gola: Ju lus që të jemi maksimalisht konstruktiv dhe bashkëpunues

“Ju premtoj që do të përpiqem maksimalisht që të ndërtojë një klimë konstruktive të bashkëpunimit, për shkak se të gjithë e ndjejmë peshën e kësaj fushe dhe në këtë kuptim iu kërkojë edhe iu lus që të jemi maksimalisht konstruktiv dhe bashkëpunues rreth të gjitha temave, çështjeve që lidhen me fushëveprimtarinë e këtij komisioni”, tha ai.

Nënkryetarja e komisionit, deputetja Albena Reshitaj, tha se si deputetë të këtij komisioni duhet t’i shqetësojë gjendja e sistemit arsimor në Kosovë në këtë periudhë të pandemisë.

Ajo tha se duhet të kërkojnë plan konkret të veprimit edhe nga qeveria se si do të ballafaqohen me pasojat në sistemin arsimor pas pandemisë.

Reshitaj: Të kërkojmë nga qeveria një plan konkret të veprimit se si do të ballafaqohemi si vend

“Ne e dimë që jemi në një situatë të jashtëzakonshme me pandeminë dhe njëra prej çështjeve që më së shumti normalisht edhe neve si komision do të duhet me na shqetësu është edhe gjendja e sistemit arsimor në Kosovë, sidomos në këtë periudhë të pandemisë. Ashtu ne e dimë si e kemi arsimin dhe si e kemi sjell deri këtu, mirëpo për ne besoj si komision është shumë më rëndësi të kërkojmë edhe nga qeveria aktuale një plan konkret të veprimit se si do të ballafaqohemi si vend, si institucione me pasojat në sistemin arsimor pas pandemisë”, tha ajo.

Anëtarja e komisionit nga LDK, Vlora Dumoshi, tha se për shkak të pandemisë, pasoja shumë të mëdha do të ketë edhe arsimi.

Dumoshi: Sfida kryesore është pandemia e cila do të ketë pasojë shumë të madhe sidomos në arsim

“Sfida kryesore është pandemia e cila do të ketë pasojë shumë të madhe sidomos në arsim, duke filluar nga arsimi fillor, i mesëm dhe universitar...Ne ende nuk e kemi një program qeveritar, sigurisht programi i cili pritet të hartohet nga kjo qeveri dhe ne do t’i shohim se cilat do të jenë prioritetet për arsimin, kulturën, rininë dhe sportin”, tha ajo.

Anëtari i komisionit nga LVV, Fitim Uka, tha se gjatë këtij mandati duhet urgjentisht të adresojnë hendekun që ekziston në legjislacionin në fushën e arsimit.

Ai potencoi se mandatin e fundit si komision nuk kanë trajtuar as edhe një iniciativë ligjore të dërguar nga Qeveria, derisa tha se të vetmin sukses e kanë miratimin e statuteve të universiteteve publike.

Uka: Duhet urgjent të adresojmë hendekun që ekziston në legjislacionin në fushën e arsimit

“Duhet urgjentisht të adresojmë hapësirat, hendekun e jashtëzakonshëm që ekziston në legjislacionin në fushën e arsimit dhe këtë në radhë të parë na duhet të fillojmë në mënyrë urgjente prej Ligjit për Agjencionin e Akreditimit të Kosovës, sepse ju e dini që si komision edhe si anëtarë duke qenë pjesë të universitetit apo pjesë të trupave të tjerë akademike që është përjashtuar Kosova nga ENCA dhe EQAR. Gjithashtu, është e rëndësisë jetike që ne të rikthejmë anëtarësimin në trupa të tilla dhe ka një kusht atje që detyrimisht na duhet të shtyjmë përpara një agjendë të atillë që mundëson aprovimin e një ligji për Agjencionin e Akreditimit të Kosovës. ”, tha ai.

Anëtarët u dakorduan që ky komision të mbajë mbledhje ditën e martë nga ora 11.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat