Akuzat për vaksina ndaj ministrit Arben Vitia, reagon Donika Gërvalla

Aktuale

Akuzat për vaksina ndaj ministrit Arben Vitia, reagon Donika Gërvalla

Nga: A.Zh Më: 16 prill 2021 Në ora: 23:27
Donika Gërvalla

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, ka reaguar pas akuzave ndaj ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia se kinse ai ka rrezikuar ardhjen e një kontingjenti vaksinash në Kosovë.

Gërvalla ka treguar se sot ka marrë pjesë në një konferencë me institucione të BE-së, ku është diskutuar për vaksinat anti-Covid, por ka thënë se përmbajtja e saj ishte konfidenciale.

Kryediplomatja ka siguruar qytetarët se Qeveria dhe ministri Vitia kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe kanë plotësuar të gjitha kushtet formale për të mos humbur as edhe një vaksinë të vetme për qytetarët e Republikës.

Ajo i ka quajtur të pavërteta raportimet e sotme, duke thënë se po tentohet manipulimi me gjendjen e rëndë të pandemisë dhe frikën e qytetarëve nga pasojat e sạj.

Reagimi i plotë i Gërvallës në Facebook:

Vaksinat dhe të pavërtetat rreth tyre

Absolutisht asgjë të vërtetë nuk ka në akuzat e sotme drejtuar ministrit Vitia, se gjoja nuk paska nënshkruar një kontratë të caktuar dhe në këtë mënyre paska rrezikuar ardhjen e një kontigjenti të caktuar vaksinash.

Sot, si Ministre e Punëve të Jashtme kam qenë pjesë e një konference me institucione të BE-së me ministrat e Ballkanit Perëndimor. Kemi biseduar vetëm rreth vaksinave. Përmbajtja e konferencës është konfidenciale dhe natyrisht që nuk do ta shkel konfidencialitetin e premtuar.

Ju siguroj që Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbi të gjitha Ministri i saj i Shëndetësisë Arben Vitia kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe kanë plotësuar të gjitha kushtet formale për të mos humbur as edhe një vaksinë të vetme për qytetarët e Republikës. Përkundrazi, të gjitha zvarritjet dhe pengesat e paraardhësve tanë të pakujdesshëm i kemi elimininuar dhe në këtë aspekt jemi në një hap me të gjithë fqinjtë tanë.

Informacionet e portaleve të ashtuquajtura "informative" janë duke manipuluar me gjendjen e rëndë të pandemisë dhe frikën e qytetarëve nga pasojat e sạj.

Më lejoni që me përgjegjësi të plotë t'ju siguroj, si e përfshirë në të gjitha proceset e sigurimit të vaksinave, që as edhe një rresht i vetëm nga publikimet e sotme nuk është i vërtetë. Ministria e Shëndetësisë nuk ka rrezikuar asnjë afat të vetëm dhe të gjithë së bashku do të shohim gjatë ditëve në vijim rezultatin e përpjekjeve kolosale për sigurimin e vaksinave për të gjithë qytetarët e Republikës. Spekulimet e përmendura janë thjesht të pavërteta.

Lus portalet e ndryshme që në vend të shpërndarjes së gënjeshtrave të heshtin kur nuk janë të gatshëm të ndihmojnë. I bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të kërkojë përgjegjësi ligjore nga të gjithë ata që me shpërndarjen e gënjeshtrave përpiqen të krijojnë panik të panevojshëm dhe të destabilizojnë vendin.

Së fundi, nga përvoja e fituar gjatë javëve të fundit, dëshiroj të falënderoj Ministrin Vitia dhe të gjithë e ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhimin kolosal në përballimin e pandemisë dhe pasojave të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat