​Miratohen ndryshimet që lehtësojnë gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, deputeti serb lëshon mbledhjen

Aktuale

​Miratohen ndryshimet që lehtësojnë gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, deputeti serb lëshon mbledhjen

Më: 19 prill 2021 Në ora: 13:29
foto nga vendi ngjarjes

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka miratuar plotësim-ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, për të lehtësuar gjykimin në mungesë të krimeve të luftës. Megjithëse pati përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës, në fund të gjithë anëtarët e komisionit u shprehën pro kërkesës urgjente të Ministrisë së Drejtësisë, përveç deputetit nga Lista Serbe i cili në momentin e votimit doli nga salla.

Kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi tha se përmes këtij projektligji do të bëhet ndryshimi i tre neneve që kanë të bëjnë me gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, për të cilat tha se është kërkesë edhe e Prokurorisë Speciale.

Rrustemi: Ndryshimi eliminon pengesat me gjykimin në mungesë për krimet

“Ky ndryshim thjesht ka të bëj me eliminimin e disa pengesave për Prokurorinë Speciale që ndërlidhet me gjykimin në mungesë për krimet e luftës në Kosovë. Unë e di, siç e dini edhe ju në legjislaturat e kaluara në plotësim-ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale është paraparë gjykimi në mungesë, por disa kritere të përcaktuara dhe dellogimi i nenit të përcaktuar, pezullimi i hetimeve ka krijuar pengesa që kanë quar në moszbatim të gjykimit në mungesë. Më tepër se kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë, siç e shihni është kërkesë dhe propozim i Prokurorisë Speciale”, tha ai.

Kritika për urgjencën e trajtimit të këtij projektligji adresoi deputetja e PDK-së në këtë komision, Blerta Deliu Kodra.

Deliu-Kodra: Koha po dëshmon se keni qenë të gabuar me propozimet në të kaluarën

“Ndryshimi ad-hoc konsideroj se nuk është qasje profesioniste edhe e duhur. Aq më pak kur flasim për një bazë ligjore të tillë që kërkon një trajtim serioz dhe profesional. Ka qenë pikërisht propozim i LVV-së dhe koha po dëshmon se keni qenë të gabuar me propozimet që i keni dhënë në të kaluarën. Andaj tani edhe me urgjencë ne e kemi në trajtim ndryshimin jashtë procedurave të rregullta, që tashmë nuk janë të pazakonshme në komisionin për legjislacion”, tha ajo.

Të njëjtës iu kundërpërgjigj, Adnan Rruestemi nga Vetëvendosje, i cili tha se tek adresimi i krimeve të luftës duhet të kishte pajtueshmëri të plotë dhe se nuk bëhet fjalë për nxitim dhe nguti.

Rrustemi: Tek adresimi i krimeve të luftës duhet të kishim një pajtueshmëri të plotë

“Adresimi i krimeve të luftës në Kosovë të mos na ndajë. Besoj që këtu duhej të kishim një pajtueshmëri të plotë dhe më vjen keq për këtë diferencim në qëndrim. Ne tashmë jemi vonë në adresimin e krimeve të luftës në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për nxitim dhe nguti kemi humbur 20 vjet për të nxjerrë para drejtësisë kriminelët që kanë bërë krime lufte në Kosovë”, deklaroi ai.

Këtë reagim, deputetja Deliu-Kodra e konsideroi si devijim dhe theksoi se janë pro kërkesës së Prokurorisë Speciale për gjykimin në mungesë.

Deliu-Kodra: Ne përkrahim kërkesën për gjykimin në mungesë

“Mos tento asnjëherë të devijosh qëndrimin tim si deputete sepse ne jemi të vetëdijshëm për konsensusin tonë shoqëror dhe politik për gjykimin e krimeve të luftës. Të kërkoj në këtë takim të dytë të komisionit që asnjëherë diskutimet dhe qëndrimet e mia t’i devijosh sepse atëherë do të kemi përplasje pafundësisht. Po e them në fund se ne e mbështesim kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe jemi që këto krime në mungesë të gjykohen”, tha ajo.

Megjithëse u pajtua në parim për këto ndryshime, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj adresoi vërejtje për mënyrën e trajtimit të këtij projektligji.

Selmanaj; Se kam pa shpjegimin e urgjencës, sepse pajtohem për këtë temë

“Se kam pa shpjegimin e urgjencës, sepse pajtohem për këtë temë. Nëse është bërë lëshim, është bërë se Kuvendi nuk e ka trajtuar si duhet, vetëm para pak muajsh ky projektligj ka marrë votën në Kuvend. Kjo i bie që me urgjenca të tilla nuk po arrijmë t’i bëmë ligjet e mira”, u shpreha ai.

Ndërkohë, pro kësaj nisme u shpreh Besnik Tahiri nga AAK-ja.

Tahiri: Zbardhja e krimeve të luftës është e drejtë e jona

“Zbardhja e krimeve të luftës është e drejtë e jona, dihet e vërteta. S’kemi çka flasim për këtë temë, kjo është krejt në rregull. Po ku e kam problemin, iu lus që në këto tema me pas një përzgjedhje të komunikimit politik dhe publik”, tha ai. 

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.06/L-091, i cili do të përcjellët në një nga seancat e radhës së Kuvendit, me rekomandimin për shmangie nga procedurat e rregullta.

Po ashtu, është marrë vendim për formimin e Grupit punues për hartimin e Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës, si dhe të Grupit për përgatitjen e tekstit të konkursit për zgjedhjen e dy anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe një anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës, përfaqësues i shoqërisë civile, në përbërje nga një anëtar nga grupi parlamentar.

Nga ky komision, Hydajet Hyseni është caktuar anëtar në Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish-të dënuarve dhe të ish-të përndjekurve politikë, kurse Blerta Deliu- Kodra, anëtare në Komisionin Qeveritar për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat