Vinca: Presidentja flet rrjedhshëm, Kurti është një djalë me kulturë, por edhe Glauku s’është larg

Aktuale

Vinca: Presidentja flet rrjedhshëm, Kurti është një djalë me kulturë, por edhe Glauku s’është larg

Më: 24 prill 2021 Në ora: 00:27
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, shkrimtari ynë, Agim Vinca, ka vlerësuar se Kosova nuk po përjeton ditë shumë të mira në lidhje me leximin.

Në një intervistë ai mes tjerash tha se sot më shumë çmohet standardi dhe të ardhurat, si dhe ka njerëz që mburrën me mos-lexueshmërinë e tyre.

“Jetojmë në një kohë kur vlerat shpirtërore janë margjinalizuar, ku në plan të parë në shoqërinë tonë është politika e biznesi. Libri – që është baza e qytetërimit dhe e formimit shpirtëror e dijes, fatkeqësisht përjeton ditë jo shumë të mira”.

“Si njeri i librave mendoj se i gjithë viti duhet të jetë muaji i librit, ashtu siç hamë bukë çdo ditë për ta ushqyer barkun, duhet të lexojmë që ta ushqejmë shpirtin”.

“Ne çalojmë në shumë plane. Së pari sistemi arsimor në të gjitha nivelet, nuk kanë një plan të qartë të edukimit të të rinjve me librin e vlerat që ofron ai. Madje mund të thuhet që sa më lartë që ngjitemi, aq më keq është”.

“Celulari, interneti e kompjuteri na marrin shumë kohë, por libri klasik që preket e që ka edhe aromë e që shfletohet, është i pazëvendësueshëm. Nuk e përjashtoj mundësinë që të lexohet edhe libri elektronik, por mendoj se shoqëria duhet të ketë disa politika kulturore – bibliotekat, libraritë e krijuesit”.

“Ne jetojmë në një shoqëri komerciale, ku çmohet standardi, të ardhurat, veshmbathja, mënyrat moderne të komunikimit deri aty sa thuhet me mburrje që ‘unë s’lexoj’. Mund të jetohet edhe pa libër, por nuk është mirë”.

“Duhet dhënë shembullin se nëse fëmijët nuk i shohin prindërit e të rriturit me libër në dorë, nuk kanë nga ta marrin edukimin. Mjafton të shihet diskursi i ligjërimit publik të disa politikanëve për të kuptuar se ku qëndrojnë, ka edhe politikanë që mburren se nuk lexojnë, e kjo është pasojë që përcillet në shoqëri”.

“Sot fatkeqësisht kemi më shumë shkrimtarë se lexues. Zgjedhje ka, çmimi i librit është mesatarisht i lirë ose i shtrenjtë, mund të jetë edhe më i lirë. Botuesit e libraritë përfitojnë, autorët janë të diskriminuar”.

“Këtu te ne ka garë se kush flet më keq, e gjuha mësohet përmes letërsisë. Kemi pasur kryetarë kuvendesh që thoshin fjalën ‘absolutikisht’ në vend të absolutisht, deklaroi ai.

Vinca vlerësoi edhe disa prej politikanëve që sipas tij janë të artikuluar dhe të lexuar, duke thënë se shpreson që tani ta tregojnë veten edhe në udhëheqje të shtetit.

“Kemi rreth pesë zonja të ngritura dhe të përgatitura, Edhe presidentja ka një gjuhë shumë të mirë, flet rrjedhshëm, por gjithsesi në Qeveri kanë nevojë për redaktorë gjuhësorë”.

“Sa i përket Albin Kurtit, veç kush s’do ta thotë – sepse ai është një djalë me kulturë, por edhe Glauku s’është larg, pra këta janë të përgatitur”.

“Tani dua që të mos na zhgënjejnë. Ky popull i ka votuar dhe pret prej tyre. Ata kanë marr përgjegjësi të lartë. Duhet të punojnë drejt e pa hile për t’i vënë në binarë proceset, se kanë shumë probleme të trashëguara”.

Vinca e shprehu edhe një shqetësim të tij, duke thënë se shumë pak merret mendimi i intelektualëve dhe se nëpër bisedime politikanët tanë ka ndodhur që kanë shkuar me duar në xhepa.

“Duhet më shpesh të marrin mendim”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat