Vjen reagimi i Qeverisë pas paralajmërimit të Vuçiqit për ndërtimin e rrugës

Aktuale

Vjen reagimi i Qeverisë pas paralajmërimit të Vuçiqit për ndërtimin e rrugës

Më: 24 prill 2021 Në ora: 21:11
Qeveria e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para disa ditësh përmendi ndërtimin i rrugës Mitrovicë – Jarinje, që sipas tij do të jetë një pasqyrë, “e jo diçka që do t’i bënte me turp serbët nga gropat e shumta”.

Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt të madh dhe një rrugë të rëndësishme, për të cilin paratë janë ndarë nga Qeveria e Serbisë.

“Duhet të lidhë Mitrovicën Veriore me pjesën më të madhe të serbëve të Kosovës, të gjithë serbët e Dukagjinit, dhe serbët e Kosovës, së paku, të them kështu, nga Prilluzha, Plemetini, Babinmosti, pra nga gjithë ajo pjesë në mes të Mitrovicës, nëpër Vushtrri e Obiliq, deri në Prishtinë”, është deklaruar Vuçiq

E zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se deklarimet e tilla nga Qeveria e Serbisë janë të pamatura dhe se çdo veprim eventual në këtë drejtim është papranueshëm për Republikën e Kosovës.

“Rruga Jarinjë-Mitrovicë është rrugë rajonale në Republikën e Kosovës. Përkujdesja ndaj saj është përgjegjësi e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sikurse edhe të gjitha rrugët tjera rajonale brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ne tashmë jemi në proces të vlerësimit të gjendjes aktuale dhe nevojës potenciale për investime në atë rrugë. Deklarimet e tilla nga Qeveria e Serbisë janë të pamatura dhe çdo veprim eventual në këtë drejtim është papranueshëm për Republikën e Kosovës”, kanë thënë nga Zyra e Kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat