Udhëheqësit institucionalë zotohen për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

Aktuale

Udhëheqësit institucionalë zotohen për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

Më: 27 prill 2021 Në ora: 12:11
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Udhëheqësit e institucioneve në Kosovë kanë deklaruar përsëri se do të angazhohen në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sot kur Kosova shënon Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, presidentja, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri kanë takuar familjarët e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Krerët institucionalë kanë vendosur lule në memorialin për të pagjeturit prej ku kanë deklaruar që kërkesë themelore e kanë zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se për Kosovën nuk ka asgjë më të rëndësishme se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

Osmani: Kërkesa jonë themelore do të jetë zbardhja e fatit të personave të pagjetur

“Barrën e kemi të përbashkët, plagën e hapur e kemi të përbashkët, dhimbjen e kemi të përbashkët dhe të jeni të sigurt që të gjithë që zëri juaj do të dëgjohet çdo kund, që kërkesa jonë parësore, themelore mbi të gjitha do të jetë zbardhja e fatit të më të dashurve tuaj e tanë. I kujtojmë sot bashkërisht për të ja përkujtuar vetvetes sonë, gjithë rajonit, e gjithë aleatëve tanë, që për Kosovën nuk na gjë më të rëndësishme sesa zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë”, tha Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se në Serbi ka dhjetëra varreza masive të shqiptarëve të cilat Serbia po i mban të fshehura.

Konjufca: Nuk mund të ketë qetësi pa drejtësi në Kosovë

Image

“Shumë prej atyre ende nuk janë zbuluar dhe Serbia i mban të fshehura, nuk i tregon, e ato mund t’i dinë vetëm autoritetet e Serbisë meqenëse shteti serb ishte përgjegjës për krejt gjenocidin dhe të gjitha ato vuajtje e krime të cilat ja shkaktoi popullatës shqiptare gjatë luftës së vitit ‘98-99[...]Të bëjmë çmos që drejtësia të ndodh dhe të vijë në vend meqenëse nuk mund të ketë qetësi pa drejtësi në Kosovë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili pritet të udhëtojë sot në Bruksel, nuk është përgjigjur nëse do të flas për çështjen e të pagjeturve në dialogun me Serbinë i cili pritet të rifillojë së shpejti.

Kurti: Në raport me Serbinë duhet të bëhemi bashkë dhe të kërkojmë përgjegjësinë

Image

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, bashkë me presidenten e vendit dhe kryetarin e Kuvendit, jemi zotuar se do të bëjmë krejt çka mundemi e dimë, në mënyrë që edhe të jemi pranë këtyre familjarëve por njëkohësisht edhe të ndihmojmë sjelljen e drejtësisë për gjetjen e të vërtetës… Në raport me Serbinë, e për hirë të së ardhmes sonë dhe të historisë sonë, ne duhet të bëhemi bashkë dhe të kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës edhe në institucionet tona dhe në secilën pozitë që mbajmë”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i shoqatës së personave të pagjetur “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkinaj ka thënë se plaga për më të dashurit e tyre të zhdukur mbetët e pashërueshme.

Qerkinaj: Plaga për të pagjeturit mbetët e pashërueshme për ne familjarët

Image

“Një plagë e cila ende është e pashërueshme dhe do të jetë e pashërueshme për ne familjarët deri të shkojmë në atë botë. Mirëpo respekti i juaj ndaj familjarëve të të pagjeturve e zbutë, por edhe puna, që bëhet me vepër. Kjo është porosi prej familjarëve”, tha Qerkinaj.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat