​Siguria dhe shëndeti i punëtorëve vazhdon të mbetet në nivel jo të kënaqshëm në Kosovë

Aktuale

​Siguria dhe shëndeti i punëtorëve vazhdon të mbetet në nivel jo të kënaqshëm në Kosovë

Më: 28 prill 2021 Në ora: 13:11
Foto

Siguria dhe shëndeti i punëtorëve po vazhdon të jetë jo i kënaqshëm në Kosovë. Kjo po vlerësohet se ka dalë në pah edhe në periudhën e pandemisë, ku shumë punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e mos sigurimit adekuat të masave antiCOVID-19 nga punëdhënësit dhe institucionet.

Në Ditën botërore të sigurisë dhe shëndetin në punë, në tryezën e Fondacionit “Freidrich Ebert Stiftung”, u kritikua edhe mos koordinimi ndër-institucional për implementimin e Ligjit për siguri dhe shëndet në punë.

Organizatorja e kësaj tryeze, Besa Luzha tha se vëmendja e institucioneve duhet të jetë më e madhe në sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Luzha: Për shkak të mos sigurimit të masave antiCOVID shumë punëtorë kanë humbur jetën

“Pandemia COVID-19 ka ndikuar që punëtorët shëndetësorë, punëtorët në organizata të ndryshme kanë humbur (jetën), pikërisht për shkak nuk janë siguruar masat e duhura anticOVID ose nuk janë respektuar kufizimet e ndryshme që janë bërë. Përkundër masave, kanë humbur jetën punëtorë shëndetësorë, shumë punëtorë nga policia, mësimdhënës dhe nga institucione tjera. Kështu sot t’i kujtojmë të gjitha ata që sot nuk janë me ne, për shkak që vendet e tyre të punës nuk kanë qenë të sigurta, për shkak që punëdhënësit dhe institucionet nuk e kanë kryer punën mirë detyrën e tyre. Thjesht, kanë ndikuar që këto jetë të mos jenë më... Kemi arritur që Ligji për siguri të punë dhe shëndet në punë të miratohet në Kuvend, por gjatë procesit të implementimit është vërejtur për pengesën e mjaftueshme të inspektorëve të punës, mangësi në legjislacion në aspektin praktik. Është parë që nuk ka qenë e mundshme zbatimi i masave apo ndëshkimet ndaj sektorëve, bizneseve apo institucioneve që nuk i kanë respektuar rregullat dhe punëtorët të pësojnë”, tha ajo.

Përmirësim të gjendjes së punëtorëve nuk po sheh Avni Hajdini nga BSPK.

Hajdini: Përmirësim nuk ka, derisa me 40 inspektorë tentojmë të inspektojmë mbi 80 mijë biznese

“Përmirësim nuk ka, derisa me 40 inspektorë tentojmë të inspektojmë mbi 80 mijë biznese. Edhe këta janë në hall të madh, si mund të inspektohen aq shumë biznese me kaq pak inspektorë. Për atë arsye, themi që nuk është puna e kënaqshme me sigurinë dhe shëndetin në punë”, tha ai.

Përkundër numrit të vogël të inspektorëve, Agim Millaku nga Inspektorati i Punës tha se ka mungesë të bashkëpunimit me përfaqësues sindikal për realizimin e inspektimeve.

Millaku: Kemi probleme edhe gjatë inspektimeve

“Kemi probleme. Ne shkojmë në inspektime, por nevojitet një bashkëpunim dhe përcjellje e përfaqësuesve sindikalë gjatë inspektimit. S’kanë fare këta organizim në subjekte të caktuara. Përfaqësuesi i tyre mungon, punëtori si i vetëm nuk e merr guximin t’i prezantojë shkeljet e dispozitave ligjore të punëdhënësit në kurriz të tyre pasi që e ndjen vetën të rrezikuar në mungesë të organizimit sindikal që dikush të flasë në emër të tij. Ashtu ai mbetet i pambrojtur”, u shpreh ai.

Dita Botërore për sigurinë dhe shëndetin në punë është një pjesë integrale e Strategjisë Globale mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë e drejtuar nga ILO, e cila promovon krijimin e një sigurie globale parandaluese dhe të një kulture shëndetësore me përfshirjen e të gjithë aktorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat