​Testimi i mësimdhënësve, vjen reagimi i ministres Nagavci

Aktuale

​Testimi i mësimdhënësve, vjen reagimi i ministres Nagavci

Më: 4 maj 2021 Në ora: 17:44
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci ka reaguar pasi deklarimeve të SBASHK-ut se nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve.

Nagavci në një postim në Facebook ka thënë se vlerësimi i mësimdhënësve duhet të nxisë për përmirësim, bashkëpunim dhe përkrahje, dhe assesi të perceptohet si kërcënues.

“Jam e hapur për bashkëpunim e komunikim me të gjitha palët me interes përfshi dhe SBASHK-un, mirëqenia e mësimdhënësve është prioritet i të gjithëve, mirëpo kërkesa nuk bën të kthehet në kërcënim të vazhdueshëm sindikal që cenon mësimdhënien dhe mësim-nxënien, këtë nuk e lejojmë për askënd”, ka thënë ajo.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, dje ka thënë se testimi i mësimdhënësve nuk do ta lejojnë asnjëherë të bëhet.

“Atë që e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, sepse ka aty këtu informata, thashetheme për ndonjë ide eventuale që të bëhet testi me shkrim për punëtorët e arsimit. Ne ketë gjë e kemi kritikuar edhe në kohën e ministrave të tjerë dhe po e them edhe një herë, SBASHK-u nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Ne kërkojmë që të shkojnë inspektorët në orë të shohin si po punojnë ata”, është shprehur ai.

Postimi i plotë i ministres Nagavci:

Në situatë të pandemisë përkushtimi kryesor i joni vazhdon të jetë sigurimi i shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve në shkollë. Prioritet i përditshëm i Qeverisë është ngritja e cilësisë në mësimdhënie. Në këto rrethana, kur pasojat e pandemisë do të jenë afatgjata në procesin arsimor, debati për testim të mësimdhënëseve është artificial dhe i pabazë.

Legjislacioni aktual përcakton me saktësi procedurat e vlerësimit të performances së mësimdhënësve në të cilat aktualisht testimi nuk parashihet si mjet vlerësimi. Përkushtimi jonë është në mirë zbatim të legjislacionit por edhe rishikim sistematik të po të njëjtit për të siguruar një proces meritor të vlerësimit të mësimdhënësve. MASHTI mbi të gjitha do të sigurojë që kapacitetet profesionale të vlerësuesve nuk janë më të pakta se ato të të vlerësuarve.

Vlerësimi i mësimdhënësve është proces i mishëruar i punës së mësimdhënësve, që nuk guxon të kufizohet në kohë dhe instrumente. Vlerësimi duhet të nxisë për përmirësim, bashkëpunim dhe përkrahje, dhe assesi të perceptohet si kërcënues. Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve është interes dhe i vet mësimdhënësve.

Jam e hapur për bashkëpunim e komunikim me të gjitha palët me interes përfshi dhe SBASHK-un, mirëqenia e mësimdhënësve është prioritet i të gjithëve, mirëpo kërkesa nuk bën të kthehet në kërcënim të vazhdueshëm sindikal që cenon mësimdhënien dhe mësim-nxënien, këtë nuk e lejojmë për askënd.

Falënderoj të gjithë mësimdhënësit, udhëheqësit e shkollave, administruesit, si dhe përfaqësues të DKA-ve për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Ju inkurajoj dhe ftoj për angazhim të përbashkët me qëllim të përmirësimit të rezultateve në arsim, në të gjitha nivelet e institucionet. Keni mbështetjen time të pa hezituar për punën që bëni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat