Përplasen Besnik Bislimi dhe Xhavit Haliti / “Pyes kur të du, s’mun më mëson ti”, tensione në Komisionin për Punë të Jashtme

Aktuale

Përplasen Besnik Bislimi dhe Xhavit Haliti / “Pyes kur të du, s’mun më mëson ti”, tensione në Komisionin për Punë të Jashtme

Më: 5 maj 2021 Në ora: 10:09
Besnik Bislimi

(E plotësuar 14:40) - Me debate dhe përplasje është përcjellë raportimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë (MPJD). Ky i fundit ka raportuar për vizitën në Bruksel, për çka insistoi se nuk ka qenë dialog, por informacion nga emisari i Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak. Bislimi tha se nga ky i fundit kanë marrë rreth 300 faqe dokumente, e që nga qeveria e kaluar kanë gjetur dokumente të cilat tregojnë më shumë çështje teknike. Anëtarët e opozitës e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se është “marre” të thuhet se nuk kanë dokumente të trashëguara nga qeveria e kaluar.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se për vizitën dhe takimet në Bruksel u ka dërguar mëngjesin e sotëm raport me shkrim, krerëve të shtetit, kryetarëve të partive dhe atyre të komisioneve përkatëse. Por një gjë të tillë e kanë mohuar anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka deklaruar se takimet në Bruksel kanë qenë informacion e jo vijimësi e dialogut.

Bislimi: Nuk ka pasur dialog, por informacion nga Lajçak

Image

"Nuk ka pasur dialog, por ka pasur nevojë që ekipi jonë të informohet në detaje për atë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve në Bruksel në fazën e dialogut, në fokus më të madh në periudhën e qeverisjes Hoti. Në momentin kur kemi marrë detyrën si qeveri e re, ne kemi gjetur zero dokumente për dialogun dhe kjo ka qenë shumë shqetësuese edhe hapi i parë që kemi marrë ka qenë grumbullimi i informacioneve nga burime të ndryshme. Unë kam takuar OJQ të ndryshme të cilat kanë qenë aktive në dialog, të cilët kanë pasur dokumente sporadike të cilat u kanë ardhur në duar dhe m’i kanë dërguar. Po ashtu kam takuar ish-negociatorët, ose personat që kanë qenë në negociata. Kam takuar fillimisht zotëri Veton Surroin, e pastaj Blerim Shalën dhe së fundmi zotëri Skender Hysenin. Kam provuar të takojë edhe zonjën Edita Tahiri, ajo ka refuzuar të takohet me argumentin se çështja është shumë e ndjeshme dhe nuk preferon të ketë takime. Edhe pse për mua është argument i paqëndrueshëm, çështja mund të jetë e ndjeshme me gazetarë apo mediat, mirëpo jo në raport me ish-negociatorin, me negociatorin”, ka deklaruar Bislimi.

Bislimi tutje tha se kanë kontrolluar edhe në cepet e qeverisë, por që nuk kanë arritur të gjejnë dokumente.

Bislimi: Kanë hulumtuar në cepin e katit të dytë dhe të tretë

“Ne e kemi dërguar edhe asistenten edhe shefen e kabinetit të kryeministrit, kanë hulumtuar çdo cep të katit të dytë edhe të katit të tretë, mos rastësisht janë fshehur diku nonjë dosje”, ka deklaruar ai.

Por, për këtë anëtarja e opozitës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Time Kadriaj tha se është “marre” të thuhet, madje kërkoi që të “hallakasin” e të gjenden këto dokumente.

Kadriaj: Është marre me shku me thënë që nuk kemi gjet asgjë

“Është marre me shku me thënë që nuk kemi gjet asgjë. Ti mundesh me thënë që zbrazët me pru letrën edhe me thënë qe qitu pa pas kurrgjë hiç. Edhe të detyrohesh ti të shkosh në Bruksel edhe me marrë raporte se çka është dialoguar. Nuk është transparente sepse gjithë procesit, sa herë që kryeministri ka ardhur ose kush do që ka shkuar kanë ardhur edhe kanë raportuar[...]Hallakatni në arkiva”, tha Kadriaj.

Më tej, Bislimi ka shtuar se Lajçak ka qenë i gatshëm që të dorëzojë të gjitha dokumentet që ka, ku me të njëjtin ka pasur dy takime. Ai në komision ka treguar edhe dosjen që ia ka dhënë emisari për dialog me mbi 200 faqe. Por që nga qeveria tha se i është dorëzuar një dokument i cektë për gjithë ecurinë.

I ashpër në pyetje është treguar partiaku i tij, Haki Abazi. Kryetari i këtij komisioni, ka insistuar në lidhje me atë se a është përmendur asociacioni i komunave serbe nga Ana Maria Boura, dhe a është pranuar nga paraardhësit. Por, që Bislimi tha se e njëjta nuk ka dhënë opinione të veta.

Abazi: Pyetja ishte specifike, nuk është çështje opinionesh

“Nuk është çështje opinionesh. Pyetja ishte specifike. A e ka përmendur si pjesë të reflektimit zonja Borua[...]nuk është me rëndësi a ka dhënë mendim, ajo ka përfaqësuar institucion aty. A ka thënë që është pranuar asociacioni me kompetenca ekzekutive gjatë së kaluarës”, ka pyetur ai.

Përplasjet mes anëtarëve të opozitës dhe Bislimit kanë vazhduar edhe më tej.

Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se nuk e ka të qartë cilësinë e Besnik Bislimit për dialog.

Haliti: Nuk e kam të qartë cilësinë tuaj

"Kërkoj falje që po të pyes, por desha ta di, ju jeni drejtues i bisedimeve i caktuar nga qeveria. Apo keni shkuar të zëvendësoni kryeministrin, apo si është puna se nuk e kam të qartë cilësinë që keni. Meqenëse ju keni qenë shumë atje, por përgjegjësinë politike duhet ta ketë njeri. Cila është në kuadër të delegacionit për bisedime. Sepse unë aq sa kam dëgjuar nga kryeministri, ai ka thënë që nuk kanë filluar bisedimet, bisedimet do të fillojnë në muajin qershor dhe temat për të cilat duhet të fillojnë dhe të përgatiten cilat janë ato?”, ka pyetur Haliti.

Por, për këtë ka reaguar Bislimi duke i thënë që të përgatitet më mirë.

Bislimi-Halitit: Unë jam i autorizuar për dialog, është dashur ta dini

“Duhet me u mësua çka ka obligim, e çka nuk ka obligim. Nuk është çështje e jotja çka dëshiron ti me bo. Është çështje e obligimeve tuaj që ke si ministër, zëvendëskryeministër, apo si dikush që ka ardh me raportu. Ne nuk jemi republikë qeveritare, jemi republikë parlamentare. Meqenëse jemi republikë parlamentare, ti je në kontroll tonin. Ti ki nevojë për vërejtje.
Bislimi: Është mirë me u përgatit pak për seancë, ju aspak nuk e dini se çfarë roli keni ju. Është ardhur në raportim me m’u nuk e dinë çfarë roli jam. Unë jam zëvendëskryeministër i Kosovës, i autorizuar për dialog, a mjafton kjo. Është dashur ta dini prej ditës të parë kur është formuar qeveria”, është përgjigjur ai.

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi tha se ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj nuk ka pranuar asnjë material nga Besnik Bislimi. Madje ka kundërshtuar se takimet në Bruksel nuk kanë qenë vijimësi e dialogut. Më tej, shtoi se nuk është detyrë e emisarit Miroslav Lajçak që të informojë ekipin negociator.

Shoshi-Bislimit: Ty të kam profesor të financave publike dhe jo për dialog

“Nuk është pozicion i tij me të informua, pozicion i tij është me marrë qëndrim.
Bislimi: Mos u merrni me sqarimin e pozicionit të Lajçakut, sepse nuk dini asgjë për kontratën që e ka ai. Ju nuk e keni parë asnjë rresht të kontratës që ka Lajçakut që ka me BE-në, por po lëshoheni në argumentime se ku e ka ai pozicionin e ku se ka. Është shumë amatoreske kjo që po thoni.

Shoshi-Musliu: Kjo është çështje elementare në pozita negociuese, të lutem ke nevojë me i mësua këto tema. Pozita e moderatorit nuk është ty me të jep informatë.
Bislimi: Nuk je studente duke moderuar një debat në AUK.
Shoshi-Musliu: Unë ty aty të kam pasur profesor me gjithë respektin, por unë aty të kam pas për financa publike, jo për dialog.
Bislimi: Po dua të them që i di kapacitet e tua edhe në këtë drejtim kështu që nuk ke nevojë[...]mua asnjë kurs për diplomaci nuk ma ke mbajt”, u shprehen ata.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi ka përsëritur se dialogu do të vazhdojë në pjesën e dytë të muajit qershor, duke theksuar se nuk do të ketë dialog teknik, por politik. Me këtë rast ai ka përmendur disa nga parimet e dialogut, duke theksuar se do të ketë bisedime për marrëveshje të përgjithshme e cila është ligjërisht e obligueshme, nuk preket sovraniteti territorial, nuk diskutohet për çështjet e brendshme dhe garanci për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Anëtarja e opozitës, Time Kadriaj ka pyetur se çfarë mund të mendojë Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave, ndërkohë që krerët e shtetit flasin për korrupsion dhe krim.

Bislimi: Është naivitet i madh të themi se në Kosovë nuk ka krim e korrupsion

“Duhet me pyet BE-në, unë nuk e di se çfarë mund të mendoj BE për liberalizim. Ata mua më kanë thënë që vendimet i marrin në bazë të raportimeve që departamentet brenda ministrisë së Punëve të Brendshme i përgatisin për ministrin e Punëve të Brendshme, të Punëve të Jashtme, presidentin e Francës, jo deklaratat tona politike. Kishte me qenë naiviteti më i madh me thënë se në Kosovë nuk ka krim dhe korrupsion[...]
Kadriaj: Naiviteti më i madh i krerëve shtetërorë.
Bislimi: Në rregull po ai i ka fituar zgjedhjet me atë naivitet, duhesh me kuptu këtu. Edhe naiviteti tjetër, ju jeni 7 përqind, e ne 50 përqind”, ka deklaruar Bislimi.

Sa i përket liberalizimit të vizave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Holanda dhe Franca janë dy vende të cilat e kundërshtojnë një gjë të tillë, por jo vetëm. Sipas tij, ani pse jo publikisht, thuhet se ka kundërshtime edhe nga Belgjika e Danimarka.

Anëtarët e komisionit kanë pasur pakënaqësi edhe për ftesën që i është bërë Bislimit për raportim, meqë sipas tyre kjo nuk është bërë nga kryetari Haki Abazi me miratim me anëtarët e komisionit. Më tej, raportimi ka vazhduar me dyer të mbyllura, me kërkesë të Bislimit, meqë siç tha ai, ka çështje të ndjeshme. 

Bislimi: Naiviteti më i madh kishte me qenë nëse thuhet se në Kosovë s’ka korrupsion

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi derisa po raporton në Komisionin për Politikë të Jashtme ka deklaruar se nuk do të ketë dialog teknik, por politik.

Ai para anëtarëve të komisionit ka përmendur disa nga parimet e dialogut, duke theksuar se nuk do të ri negociojnë marrëveshjet, nuk do të krijohet shtresë e re e qeverisjes në Kosovë dhe se nuk diskutohet për çështjet e brendshme.

Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj ka pyetur Bislimin se çfarë mund të mendojë Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave, ndërkohë që krerët e shtetit flasin për korrupsion dhe krim.

"A do të fillohet me dialog teknik apo politik. A do të raportoni dhe a do i bëni transparente ato agjenda sepse kësaj here nuk ka qenë publike", ka pyetur Kadriaj

Ndërsa, Bislimi tha se do të ishte naivitetet që të mendohet se nuk ka korrupsion e krim në Kosovë.

"Kurti mi dikton objektivat. Për nga qëllimi unë jam i varur nga kryeministri. Për nga inatrumentet jam i pavarur. Kur mendoj që publikimi i ndonjë informate cenon objektivin, nuk e publikoj[...]naiviteti më i madh kishte me qenë nëse thuhet se në Kosovë nuk ka korrupsion. Me atë naivitet janë fituar 50 përqind e ju 7 përqind", ka deklaruar ai.

Sa i përket liberalizimit të vizave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Holanda dhe Franca janë dy vende të cilat e kundërshtojnë një gjë të tillë, por jo vetëm.

"Jo zyrtarisht na është thënë që duhet të punojmë edhe me Danimarkën dhe Belgjikën, por na është thënë jo zyrtarisht", ka deklaruar ai.

Ndërkohë që mbledhja e komisionit po vazhdon e mbyllur, me kërkesën e Besnik Bislimit, për diskutimin e temave të cilat janë të ndjeshme.

Kadrijaj-Bislimit: Është marre me thënë që s’kemi gjetë dokumente, hallakatni

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme lidhur me vizitën e fundit në Bruksel. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e ka pyetur edhe lidhur me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se më shumë dokumente për dialogun kanë marrë në Bruksel sesa në Kosovë nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.

“Ato dokumente kurrkush nuk i ka marrë në shtëpi. Është marre me thanë që s’kemi gjetë kurrgjë”, i ka thënë Kadrijaj – Bislimit.

Ndërsa Bislimi ka treguar se çfarë sipas tij mungon në dokumentacionin e dorëzuar nga Hoti.

“Z. Hoti kur e ka dorëzuar dokumentacionin, e ka dorëzuar edhe listën. Qëto janë. Mos folni pa asnjë informatë”, tha Bislimi fillimisht.

“Hallakatni more pak”, i tha Kadrijaj.

Ndërsa Bislimi tha se në dosjen e dorëzuar nga Hoti mungon përshkrimi i procesit se si kanë evoluar qëndrimet e dy palëve në tavolinën e dialogut.

“Nuk e përmban dinamikën e tyre. Në disa pjesë nuk dihet a ka qenë ky qëndrimi zyrtar apo tjetër”, tha Bislimi.

Bislimi: Kemi kërkuar në çdo cep të katit të dytë dhe të tretë në mos janë fshehur dokumente

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme ka thënë se nuk e kanë marrë dosjen e plotë për dialogun me Serbinë nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Bislimi, ndër tjerash, ka treguar se kanë kërkuar edhe në katet e tjera të Qeverisë nëse janë fshehur dokumente të tilla.

“Çfarë interesi kam interes me thënë s’kam informata për dialogun”, tha Bislimi.

“Ne kemi dërgu edhe asistenten edhe shefen e kabinetit të kryeministrit, kemi kërkuar në cep të katit të dytë dhe të tretë mos rastësisht u fsheh ndonjë dosje”, theksoi ai.

Tutje, Bislimi i tha deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi “unë nuk të marr ty në negociata në Bruksel kurrë”, derisa po shpjegonte për rolin e Qeverisë në dialog.

Dosja nga Lajçak 200-300 faqe, Bislimi tregon dosjen që e ka lënë Qeveria Hoti dhe çfarë shkruan në të

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë për vizitën në Bruksel.

Bislimi ka sjellë me vete dosjet që ai thotë se i ka marrë me vete në Bruksel gjatë takimit informues për dialogun me Lajçakun.

Bislimi po ashtu ka prezantuar edhe një dosje të dytë që thotë se ka dikund 200-300 faqe e të cilën thotë se ia ka dorëzuar Lajçaku rreth procesit të dialogut. Ai po ashtu ka prezantuar edhe dosjen rreth procesit të dialogut që ia ka dorëzuar Qeveria e kaluar.

Bislimi ka thënë se kjo dosje nuk përmban asgjë konkrete.

“Kjo është dosja e dokumenteve që i kam marrë me vete në Bruksel vetëm për takim informues. Kjo është dosja që më është dhënë nga Lajçak në fillim të takimit, ka dikund 200-300 faqe. Kjo është dosja që na është dorëzua nga Qeveria për krejt procesin e dialogut. Aty nuk ka asgjë konkrete. Vetëm se thuhet jemi taku, me këtë aeroplan jemi kthy, takimi ka qenë i mirë. Nuk ka në substancë asgjë”, u shpreh Bislimi ndër të tjera në Komision.

***

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është duke raportuar në Komisioni për Punë të jashtme, raportim ky i cili po përcillet me tensione në mes të anëtarëve të Komisionit dhe vetë Bislimit.

Xhavit Haliti i ka drejtuar kritika Besnik Bislimit duke i thënë që të përgatitet më mirë.

“Pyes kur të du, s’mun më mëson ti. Kur të vish, përgatitu mirë”, ka thënë Haliti.

Haliti është parë i tensionuar edhe me Haki Abazin, duke i thënë që nëse do t’i drejtojë vetëm ai pyetje Besnik Bislimit atëherë le të shkon në zyrë.

“Shko në zyrë edhe të kallxon krejt”, ka shtuar tutje Haliti.

E ashpër me Bislimin ka qenë edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. Ajo i ka thënë se është turp të thuhet që s’ka pasur dokumente për dialogun, duke i kërkuar Bislimit të ballafaqohet me Avdullah Hotin.

“Shko ballafaqohu me z.Hotin, Është marre me thane qe s’ka pas dokumente”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërkohë Besnik Bislimi ka thënë se dialogu nuk do të rifillojë para pjesës së dytë të qershorit.

“Nuk do këtë takime edhe bisedime para pjesës së dytë të qershorit”, ka thënë Bislimi.

Bislimi çon në komision dosjet e Lajçakut dhe Qeverisë për dialogun

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë për vizitën në Bruksel.

Ai me vete në raportim ka marrë edhe dosjen nga emisari i Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak dhe atë që e kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara.

Ai ka thënë se në dosjen e trashëguar nuk ka asgjë substanciale por vetëm tregojnë për mbajtjen e takimeve për të cilat tregojnë se kanë shkuar mirë, gjithashtu tregojnë në sa ora kanë filluar e gjëra të tilla.

Deputetja e PDK-së, Ariana Shoshi ka thënë se ftesë për raportim është dashur t’i dërgohet edhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Shoshi ka thënë se PDK nuk ka pranuar as një raport nga Qeveria për çështjen e dialogut.

Ndërkaq kryetari i komisionit, Haki Abazi ka thënë se Gërvalla do të ftohet një ditë tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat