Ibrahim Kelmendi: E kanë zbuluar gjermanët, ky është njëri nga vrasësit e Jusuf Gërvallës - është shqiptar

Aktuale

Ibrahim Kelmendi: E kanë zbuluar gjermanët, ky është njëri nga vrasësit e Jusuf Gërvallës - është shqiptar

Nga: P.R Më: 9 maj 2021 Në ora: 19:24
Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka u vranë më 17 janar të vitit 1982 në shtetin e Gjermanisë.

Filozofi dhe analisti, Blerim Latifi, përmes një postimi në facebook ka ri aktualizuar së fundi temën e vrasjes së heroit të kombit, Jusuf Gërvalla, vajza e të cilit tani udhëheqë me Ministrinë e Jashtme, ku së fundi Donika Gërvalla po përballet me një fushatë të egër sulmesh ndaj saj.

Sipas Latifit, Jusuf Gërvallën e ka vrarë UDB-ja serbe.

“Kush e njeh veprimtarinë politike të Jusuf Gërvallës dhe kush i ka lexuar tekstet e tij politike, e kupton menjëherë se ai ideologjikisht ishte një enverist i bindur.Letrat që ia dërgonte Enver Hoxhës e dëshmojnë katërcipërisht këtë. Nëse Jusuf Gërvalla do t'i mbijetonte atentatit të UDB-së, ai do të ishte, në mos kryetar, gjithqysh njëra ndër figurat kryesore të LPK-së dhe më pas edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Besimet politike të Jusuf Gërvallës dhe ato të LDK-së nuk përputhen në asnjë pikëpamje, për të mos thënë se e përjashtojnë njëra-tjetrën”, ka shkruar Blerim Latifi.

E një postim lidhur me vrasjen e Jusuf Gërvallës e ka shkruar edhe eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, i cili ndër tjerash ka treguar se kush kanë qene atentatorët ndaj Jusuf Gërvallës.

“Vrasjen e ka organizuar SDB, me vendim të Këshillit Federativ për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues, i përberë prej 8 antarësh; 4 nga Kryesia e RSFJ-së, pastaj Kryetari i Këshillit Ekzekutiv, Sekretari Federativ i Mbrojtjes dhe Sekretarit Federativ i Punëve të Brendshme, i cili edhe e bënte propozimin. Në këtë kohë propozimi është bërë nga Stane Dolanc. Ky organ ishte kushtetues dhe i paraparë sipas nenit 331, të Kushtetutës së RSFJ-së; Në vrasjen direkte të Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit atentatorët kanë qenë Zhelko Razhnjateviq-Arkan dhe Gjorgje Bozhoviq-Gishka”, ka shkruar Kajtazi, përcjellë “Bota sot”.

E sipas ish udhëheqësit të LPK-së, Ibrahim Kelmendi, hetuesia gjermane e ka identifikuar Riza Salihun si njërin nga dy vrasësit e Jusuf Gërvallës.

“Hetuesia, prokuroria, gjykata gjermane e ka identifikua Riza Salihun si njërin nga dy vrasësit. Në janar 1990 Riza është burgos për herë të dytë. E kanë mbajt burg 16 muaj dhe Gjykata në Stuttgart (Landgericht) e ka ndërpre procesin, me arsyetim se Jugosllavija nuk po dorëzon dëshmitarët. Vrasësi tjetër është transportuar nga Zvicëra. Unë isha dëshmitar në atë proces gjyqësor”, ishte komenti i Ibrahim Kelmendit në postimin e Fadil Kajtazit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat