Pupovci: Mësimi i humbur nuk mund të rikuperohet plotësisht

Aktuale

Pupovci: Mësimi i humbur nuk mund të rikuperohet plotësisht

Më: 14 maj 2021 Në ora: 19:27
Dukagjin Pupovci

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se prioritet i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është ta stabilizojë gjendjen dhe ta kthejë normalitetin në procesin mësimor pas vitit pandemik.

Ai ka thënë se pandemia me COVID-19 ka lënë pasoja shumë të mëdha në sistemin arsimor dhe se do të duhet të merren me stabilizimin e gjendjes para se të mendohet për masa reformuese. Pupovci ka shtuar se sistemi arsimor nuk mund të rikuperohet në tërësi me mungesat që ka lënë pandemia.

“Nuk mund të rikuperohet në tërësi, mund të rikuperohen vetëm pjesërisht dhe kjo pjesërisht do arrihet me mësim plotësues i cili po organizohet në shkolla ku shkolla vendosë me cilët nxënës do punojmë. Fokusoi do jetë me lëndët, matematikë, gjuhë amtare dhe shkencave të natyrës, ku nxënësit kanë nevojë më shumë për mbështetje. Kjo nuk do të thotë rikuperim i plotë, por do duhet që gjatë mësimit vijues, mësimdhënësit t’i rikthehen përmbajtjeve nga vitet e kaluara”, ka thënë ai.

Pupovci ka treguar se përmbajtjet të cilat janë humbur nga mosmbajtja e mësimit për shkak të rrezikut për përhapje të koronavirusit do të zëvendësohet me mësim plotësues.

“Në mesin e fëmijëve kemi që nuk janë të shkëlqyeshëm në mësime, kemi fëmijë që gjendjen materiale e kanë të tillë që nuk kanë mundur ta përcjellin mësimin online dhe këta janë caku primar i mësimit plotësues”, ka shtuar ai.

Zëvendësministri Pupovci ka sqaruar disa nga pikat nga Programi i Qeverisë për arsimin. Ai ka thënë se programi i publikuar për publikun është vetëm përmbledhje më e shkurtër.

Ka treguar planin për edukimin parashkollor të fëmijëve, për të cilin ka thënë se në Kosovë është problem për shkak të pjesëmarrjes së ulët.

“Në edukimin parashkollor në Kosovë problem është pjesëmarrja e ulët, kemi diku vetëm 7 për qind të moshës 0-5 vjeç që marrin pjesë në edukimin parashkollor. Ky është hendikep i madh sepse një numër i madh i fëmijëve fillon arsimin fillor pa përgatitje paraprake të edukimit parashkollor. Në zonat urbane kjo nuk do të thotë shumë sepse jetojnë në një standard më të lartë, por në një mjedis ku familja jeton në gjendje shumë të vështirë ekonomike, ku nuk ka libra dhe ai fëmijë nuk e vijon as mësimin parashkollor. Kjo mund të arrihet në dy mënyra, me rritjen e kapaciteteve të çerdheve dhe e dyta me adaptimin e klasave që po lirohen gjithnjë më shumë sidomos në zonat rurale dhe të adaptohen për nevoja të edukimit parashkollor”.

Pupovci foli për punësimin e stafit të ri të mësimdhënësve dhe adaptimin e klasave në çerdhe.

“Çdo vit pensionohen rreth 700-800 mësimdhënës, nëse pensionohet ata që vendet e punës të të cilëve më nuk janë të nevojshme, atëherë punësohet stafi i mësimdhënësve të specializuar për punën me fëmijët parashkollorë. Ka raste kur mund të ritrajnohet, si një mësues i shkollës fillore mund të trajnohet për fëmijët 4-5 vjeç. Kur adaptohen klasat, vjen çështja e pagesës. Njerëzit me të ardhura të një niveli të caktuar e paguajnë çmimin e plotë, për të tjerët ka shkallë të lirimit apo pa pagesë”.

Pupovci ka sqaruar planin për heqjen e tarifës studentore. Më praktike, e quajti këtë plan pasi shtoi se tarifat kanë shkaktuar probleme te shqyrtimi i aplikacioneve në universitete.

“Te universitetet pse duhet të hiqen tarifat studentore. Së pari, ato janë minimale. Studentët e paguajnë tarifën, për vitin e parë nuk paguajnë fare, ata që janë në gjendje të vështirë ekonomike, aplikojnë tek universiteti për rimburësim të tarifës. Universitetet pothuajse të gjitha ato që i përfitojnë në fund u kthejnë studentëve që nuk kanë mundësi dhe krijohet problem te shqyrtimi i aplikacioneve. Prandaj është më praktike të aplikohet lirimi nga tarifat për regjistrimin e vitit”, ka thënë ai.

Sa i përket vlerësimit të nxënësve nga klasa e parë deri në të katërtën pa nota vlerësuese, Pupovci ka thënë se nuk është vendimtare dhe se kjo do të shqyrtohet me ekspertë dhe vetëm pas shqyrtimit dhe analizimit do të vendoset mbi këtë çështje.

Ndërkaq, përmendi edhe planin për cilësinë e librave shkollorë. Hapi i parë për këtë tha se do të jetë ndryshimi i Ligjit për tekstet shkollore.

“Për këtë vit shkollor procesin e teksteve shkollore e kemi gjetur pothuajse të mbyllur. Hapi i parë është ndryshimi i ligjit për tekste shkollore. Duhet të përkujdesemi të ndërtojmë instrumente të tilla ligjore që të kemi proces kredibil të vlerësimit të teksteve sepse ne aty dështojmë. Nuk është se nuk kemi autorë të mirë të teksteve, por shpeshherë procesi ka qenë i dëmtuar, ndonjëherë me dyshime për korrupsion… shtëpitë botuese kur aprovohet ligji i ri do të mund të aplikojnë edhe me ide për përkthim të librave të tyre”, ka shtuar zëvendësministri.

Pupovci shtoi se planifikohet të krijohen kënde të veçanta në kuadër të bibliotekave në nivel komunash për literaturën e mësimdhënësve ku ata mund të avancohen.

Ai ka thënë se do të shtojnë edhe numrin e inspektorëve të arsimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat