Konflikti izraelito-palestinez nxit reagime në Kosovë

Aktuale

Konflikti izraelito-palestinez nxit reagime në Kosovë

Më: 14 maj 2021 Në ora: 20:51
Sulme ajrore nga Izraeli në Khan Yunish në Rripin e Gazës më 12 maj.

Tensionet dhe më pas përleshjet ndërmjet forcave të Izraelit dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor, të cilat në ditët e fundit janë përshkallëzuar në luftime të ashpra, kanë nxitur reagime në Kosovë, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Madje, të premten, më 14 maj, në Prishtinë u mbajt një marsh mbështetës për palestinezët, ku u kërkua që të ndalen luftimet dhe të lirohen të burgosurit.

Tensionet janë rritur për shkak të xhamisë Al-Aksa – që është vendi i tretë i shenjtë në fenë islame – dhe për dëbimin potencial të palestinezëve nga shtëpitë dhe tokat e tyre, ku janë planifikuar që të ndërtohen vendbanime hebreje.

Reagimet në opinion, për dhe kundër të dyja palëve, janë shënuar përmes komenteve në shkrimet e publikuara nga Radio Evropa e Lirë në Facebook, të cilat kanë pasqyruar ngjarjet dhe zhvillimet e ditëve të fundit në Jerusalem. Ky qytet ka qenë cak i raketave të gjuajtura nga militantët palestinezë, ndërkaq që në Rripin e Gazës, ushtria izraelite, përmes sulmeve ajrore ka pasur për cak militantët palestinezë. Luftimet izraelito-palestineze të ditëve të fundit, kanë rezultuar me dhjetëra të vrarë, të plagosur dhe të lënduar nga të dyja palët.

Komentet për dhe kundër palëve në konflikt

Komente të llojit: “Free Palestina” (Liri për Palestinën), “Zoti i shkatërroftë zullumqarët”, “Mallkuar qoftë Natanjahu”, “Jerusalemi i takon shtetit palestinez dhe do të jetë kryeqytet i tyre”, kanë shprehur mbështetjen e disa prej komentuesve për palestinezët.

Ndërkaq disa komentues të tjerë kanë shpreh mbështetjen për Izraelin përmes komenteve sikurse: “Rroftë sa malet Izraeli”, “Hamasi është një grup përçarës që e nxitë luftën civile”, “Mos harroni se Palestina është kundër Kosovës”, e të tjera. Por, janë shënuar edhe komente të paanshme, sikurse “Ju ka çuar Zoti peshë, ndaleni këtë luftë” ose “O shqiptarë, i keni ndreqë ju punët e juaja, vetëm Palestina ju ka mbetur mangut”.

Islami: Çdo konflikt i përgjakshëm krijon emocione

Por, çfarë e shkakton gjithë këtë vëmendje në Kosovë ndaj konfliktit izraelito-palestinez?

Nehat Islami, drejtor ekzekutiv Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, si dhe ish-korrespondent nga Kosova në Lindjen e Mesme, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin që reagimet e komentuesve në rrjetet sociale lidhur me këtë konflikt janë normale. Sipas tij, fillimisht, gjenerata të tëra të qytetarëve të Kosovës e kanë përcjellë në vazhdimësi çështjen palestineze. Jo rrallë sipas tij, shqiptarët e Kosovës, me të drejtë ose pa të, e kanë krahasuar çështjen e pazgjidhur të tyre në kuadër të ish-Jugosllavisë, me çështje e pazgjidhur të palestinezëve. Por, situata e tanishme në konfliktin izraelito-palestinez, është ndryshe.

“Tani është një problem i natyrës humanitare, i natyrës ku njeriu nuk e ndjen veten mirë kur sheh të vdekur nga të dyja anët. Kjo është e natyrshme, sepse çdo konflikt i përgjakshëm krijon emocione, aq më parë te ne që e kemi përjetuar vet gjatë kohës së sundimit të serbëve, gjatë viteve 90. Do të thotë që megjithatë ekziston një solidaritet që kjo çështje, që kjo gjakderdhje të përfundojë dhe të zgjidhet politikisht ky problem, i cili është vërtetë shumë i vështirë”, theksoi Islami.

Hasani: Reagime që shkaktojnë dëme të pariparueshme

Përveç reagimeve përmes komenteve në rrjete sociale lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, përmes një shkrimi në Facebook, më 11 maj, ka thënë se ka përcjellë me shqetësim “eskalimin e situatës në Jerusalem që filloi me dëbimin e dhunshëm të palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Sheik Jarrah, për të vazhduar me atakimin dhe përdhosjen e institucionit të xhamisë së shenjtë Al-Aksa”.

“Shpreh brengën time të thellë dhe të besimtarëve myslimanë për dhunën e ushtruar ndaj banorëve palestinezë në Jerusalem dhe në territoret palestineze”, ka shkruar Tërnava.

Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së Religjionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mediat sociale ka pasur reagime, siç i quan ai, “të pakripë”, për ose kundër njërës apo palës tjetër në konflikt, nga njerëz që potencialisht nuk kanë informacion dhe njohuri për zonën e konfliktit, e cila sipas tij, në esencë është çështje gjeostrategjike. Qasjet e tilla, sipas tij, sjellin mjaft dëme.

“Dëmet e pariparueshme që mund të bëhen janë nga reagimet jo vetëm nëpër portale, por edhe nga reagimet në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës. Kryemyftiu, me deklarimin pro palestinezëve, përkatësisht u vu në mbrojtje të palestinezëve, pa pasur informacione. Mbase edhe mund të ketë informacione, por Kosova është aq e vogël dhe me aq potenciale modeste, në të gjitha aspektet, sa që nuk e ka luksin as niveli qeveritar që të prononcohet për ose kundër”, theksoi Hasani.

Paradokset e thellimit të kundërshtive

Megjithëse Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që autoritetet palestineze nuk e kanë bërë këtë, komentet në rrjete sociale në favor të palestinezëve, sipas Nehat Islamit, janë reflektim i lirisë së shprehjes nga ana e qytetarëve.

“Është liria e mendimit. Prandaj unë nuk shoh asgjë të keqe aty, nëse dikush mendon ashtu apo kështu. Dihet një gjë që populli shqiptar, në përgjithësi, kudo qoftë, është gëzuar shumë me rastin e njohjes në mes të Kosovës dhe Izraelit dhe llogaritet që kjo njohje do të sjellë suksese edhe ekonomike, por edhe politike. Ndërsa për sa i përket Palestinës, është çështje e sentimentit që ka mbetur, por jo e ndonjë interesi të ndërsjellë”, theksoi Islami.

Megjithatë, sociologu Ismail Hasani, vlerëson se reagimet e komentuesve në rrjete sociale nuk duhet neglizhuar dhe praktikat kanë treguar se ato mund të çojnë drejt ndarjeve në shoqëri, por edhe të jenë stimuluese për individë të caktuar, pikëpamjet e të cilëve kanë sfond fetar, që t’i bashkëngjiten konflikteve të huaja. Pas gjithë këtyre reagimeve, sipas tij, është i domosdoshëm një reagim i matur i Qeverisë së Kosovës, për të shprehur qëndrimin institucional lidhur me përplasjet e fundit izraelito-palestineze.

“Reagimi institucional, mbase do të ndikonte në zbutjen e këtyre përplasjeve (të komentuesve në rrjete sociale), që çojnë ka krijimi i taborreve të kundërta e që më vonë ekziston rreziku edhe i thellimit të këtyre kundërshtive, që kam drojën se mund të përsëritet Siria e dytë”, theksoi Hasani. Ai shtoi se në konfliktin brenda Sirisë, kanë marrë pjesë një numër i caktuar i qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me përplasjet e dhunshme të fundit izraelito-palestineze, Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk ka reaguar për të shprehur çfarëdo qëndrimi.

Liderë të ndryshëm të botës u kanë bërë thirrje palëve për t’i dhënë fund dhunës në Jerusalem.

Së fundmi, përleshjet ndërmjet forcave izraelite dhe palestinezëve nisën mbrëmjen e 7 majit. Mbi 220 persona, shumica palestinezë, u lënduan, pasi policia izraelite hyri në xhaminë Al-Aksa pasi thanë se palestinezët kishin hedhur në drejtim të tyre gurë dhe fishekzjarrë.

Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, derisa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat