Jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës/ Ky është rrëfimi i truprojës, ja çfarë hodhi nje serb nga lartësia...

Aktuale

Jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës/ Ky është rrëfimi i truprojës, ja çfarë hodhi nje serb nga lartësia...

Më: 17 maj 2021 Në ora: 09:45
Ibrahim Rugova

Në emisionin “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj u trajtua jeta dhe vepra e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Babai i tij mbeti i vrarë kur ai ishte i sapolindur. Ibrahim Rugova kur ishte fëmijë u bullizua për shkak të intelektit të tij.

Vendlindja e hershme e Ibrahim Rugovës

Prejardhja e hershme ishte nga fshati Malaj i Rugovës, familja e tij ishte zhvendosur pas disa vitesh në fshatin Cerrcë të komunës së Istogut. Ishte një familje shumë e madhe, e cila përcillte gjithmonë mesazhe atdhedashurie.

Udhëtimi për në fshatin Cerrcë ishte i bukur, peisazhi piktoresk, shtëpitë prej druri, kopshte të mbushur plot pemë e drur frutor, e vishnin me hijeshi.

Sa hymë në oborrin e banesës ku kishte lindur dhe ishte rritur Ibrahim Rugova, para syve na u shfaq një pemë gjigande, që mesa duket i uronte mirseardhjen çdo mysafiri. Kjo tokë autoktone i përket familjes dhe pasardhësve të Presidentit të parë në Republikën e Kosovës Ibrahim Rugovës.

Ibrahim Rugova lindi në këtë truall, më 2 dhjetor të vitit 1944. Ai nuk i kishte njohur kurr gjyshin dhe babain, pasi ata ishin vrarë. Kjo familje u përballë me vështirësi të mëdha, pasi i gjithë territori ishte i populluar nga popullsia Serbo-Malazeze. Familja Rugova jetoi e bashkuar dhe brenda një banese deri në vitin 1952…

Si e humbi gjyshin dhe babain Ibrahim Rugova…

Gjatë përleshjeve të kohës familja Rugova më 10- janar të vitit 1945, humbi 6 anëtarë. Mes tyre Rrust dhe Ukë Rugova, gjyshi dhe babai i Ibrahim Rugovës. Ibrahimi ishte vetëm 5 javësh, asaj kohe, kështu nuk u njohë kurrë me babain e tij. Nëna Sofë, kështu e therrisnin të gjithë, ishte nëna e Ibrahim Rugovës, ishe bijë Rugoniane, ajo e vetme ishte edhe baba edhe nënë për Ibrahimin. U kujdes me përkushtim pasi ishte i vetmi fëmijë i çiftit Ukë dhe Sofë.

Trimëria, dashuria, zgjuarsia, i vinte prej Rugove, një fëmijë i ndrojtur që frekuentonte çdo ditë shkollën fillore në Istog, aty mori edhe mësimet e para që do të pasonin gjithë larmishmerinë jetësore të tij.

Një fëmijë i përgatitur, shembull për të gjithë, i mbetur jetim me një familje pothuajse të plaçkitur gjithe kohës,pati një fëmijëri shumë të vështirë e plot vuajtje.Truall i djegur disa herë, i sulmuar në të gjitha format, por kurr i shtypur. Ibrahimi ishte një fëmijë që bullizohej dhe përbuzej për shkak të mënyrës së tij intelektuale…

Lidhja e ngushtë dhe emocionale e Ibrahim Rugovës me nenen ka qenë shumë e forte, ata të dy nuk u ndan kurr nga njëri tjetri, nëna Sofë jetoi deri në momentet e fundit të jetës me të birin, për të cilin kishte debulesë…

Rrëfimi i Adnan Merovci, truproja i Ibrahim Rugovës

Adnani thotë se me Ibrahim Rugovën nuk ngopemi së njohuri! Urtësia dhe jo butësia e Rugovës, është bazament i figures shqiptare që lëkundi parashikimet e shekullit të 20-të. Historia Shqiptare për urtësi dhe mençuri dhe për trimëri dhe heroizëm përfundon me Rugovën dhe Ademin.

”Unë isha një nga truprojat personal dhe të vetëm të Dr. Ibrahim Rugoves, duke kryer shërbimin e tij jo vetëm si truperojë por edhe si shef i protokollit dhe zbatues i detyrave të ndryshme!”– tregon ai.

Rrëfimi i Adnanit do të na çeli atë derë misterioze të zyrës së vogël të Presidentit më në zë të kohrave Dr. Ibrahim Rugova.

Rrëfimet mbi jetë intelektuale, politike dhe drejtuese janë të njohura nga publiku i gjerë, por shpesh here urtësia dhe qetësia që karakterizonte personalitetin e Presidentit, na mbante shumë larg jetës së tij familjare. Adnani kishte një marrdhënie familjare me Ibrahimin, mes të tjerash ai është edhe dëshmitar i lidhjes së ngushtë shpirtërore mes Ibrahimit dhe nënës së tij.

Jeta Akademike dhe Politike e Ibrahim Rugovës

Intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar. I njohur si një nga lideret e lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.Duke patur si mbështetje të madhe Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte levizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti. U zgjodh kryetar i saj qe nga themelimi më 23 dhjetor të vitit 1989…

Rugova udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.

Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë…

Si intelektual që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës…

Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. U rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998….

Adnani rrëfeu rrugëtimin e tij disa vjeçar me Ibrahim Rugovën,duke na treguar edhe momente që është rrezikuar jeta e Ibrahim Rugovës gjatë një atentati në hyrje të banesës ku ai jetonte.

”Po ktheheshim nga një mbledhje e vonshme dhe po e shoqëroja për në shtëpi, fati i mirë ishte se ne të dy jetonim në të njëjtin pallat. Sapo u afruam te hyrja e pallatit, një shtetas serbë hodhi nga lartësia një gjë të fortë. Ishte momenti më i vështirë, që nëse nuk do të kisha vepruar, Ibrahimit ju rrezikua jeta.”- tha ish-truproja.

Rugova ishte një njeri shumë i ashpër dhe i zjarrtë, kishte aftësi që në publik të shfaqej si ëngjëll, por kishte një shpirt agresiv kundër së keqes dhe të padrejtës. Kishte atribute rezatuese prej profeti “Doktori i Fjalëve”, siç e quanin shkrimtarët. Mirëpo ai vetë nuk dëshironte që dikush ta njihte atë në hollësi apo detaje, motivi i tij ishte:

DUHET LUFTUAR PËR LIRINË E TË TJERËVE PA CËNUAR LIRINË VETVETES!

Rugova nuk komentonte asnjëherë kritikat e ardhura nga Qosja, Demaçi, Bukoshi, Kraja, apo edhe Kadare. Gjaku i tij i ëmbël e bënte atë të fliste për traditën shqiptare për begatitë popullore dhe thesaret arkeologjike që Kosova kishte nga lashtësia.
Ibrahimi ka qenë idhtar i Pavarsisë së Kosovës…..Nuk ka preferuar bashkim me Shqipërinë, ka qenë pak fanatik në këtë aspekt, ka qenë djathtist i përbetuar, ka dashur jetën dhe luksin racional.

Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006, u varros me nderime te larta shteterore dhe ushtarake. Funerali i Ibrahim Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë të historisë shqiptare.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat