Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon lirimin me kusht, thotë se të akuzuarve po u shkelen të drejtat

Aktuale

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon lirimin me kusht, thotë se të akuzuarve po u shkelen të drejtat

Më: 19 maj 2021 Në ora: 07:24

(E plotësuar 16:15) - Në konferencën mbi ecurinë e çështjes Thaçi dhe të tjerët sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja ka kërkuar lirimin nga paraburgimi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimi.

Avokatët kanë adresuar kritika ndaj Prokurorisë duke thënë se po vonohet me nxjerrjen e materialeve hetimore dhe se po dorëzon dokumentet jo të plota.

Në anën tjetër prokuroria ka deklaruar që parashohin vazhdim të hetimeve, por sipas tyre një gjë e tillë nuk e pengon që procesi i gjykimit të fillojë në vjeshtën e këtij viti, çka pastaj është kundërshtuar nga avokatët.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të tregojë afatin e përfundimit të hetimeve dhe kohën kur do të dorëzojë dosjen paragjyqësore.

Lawson: Hetimet tona do të vazhdojnë për një të ardhme të parashikueshme

“Parashtrimi ynë lidhur me hetimet është i pandryshuar siç e kemi vënë në dukje në parashtrimin me shkrim. Hetimet në përmbushjen e mandatit tonë parashikohen të vazhdojnë për një të ardhme të parashikueshme, por kjo nuk do të ndikojë në afatin e gjykimit. Ne jemi të vetëdijshëm se do të na kërkohet autorizim gjyqësor dhe kur të dalin materiale shfajësuese ato do t’i nënshtrohen nxjerrjes, lidhur me rregullën 95/4, materialit të kësaj rregulle, këto janë në listat e dëshmitarëve dhe provave. Ne jemi në gjendje që këto materiale t’i paraqesim në mesin e tetorit 20-21”, ka thënë prokurorja Claire Lawson.

Ajo ka shtuar se do të dorëzojnë dosjen paraprake në kohën e propozuar me parashtrimet me shkrim.

Lawson: Jemi në fazën kritike të procesit

“Ka një ndryshim nga parashikimi që kishim bërë përpara në shtator. Siç thamë në parashtrimet e mëparshme, në konferencën e fundit, dhe në parashtrimet me shkrim, në shtator ishte data më e hershme e parashikuar për të dhënë materialin, që atëherë na është bërë e qartë se të gjitha burimet tona do të punojnë për të përfunduar nxjerrjen e materialeve. Jemi në fazën kritike të këtij procesi dhe duke pasur parasysh problemet logjistike ka dalë një punë që i ka marrë të gjitha burimet tona, andaj ne parashikojmë që të vazhdojmë deri në shtator, 20-21, këto përpjekje, dhe duke pasur parasysh gjithë këta faktor ne kemi paraqitur një datë tjetër. Sa i takon kalendarit, parashtrimi ynë është që do të mbetet siç ka qenë, pra do t’i bëjmë parashtrimet lidhur me kohën e propozuar dhe dorëzimin e dosjes paraprake”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë ka reaguar mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, avokati Pierre Richard Prospe, i cili ka thënë se të akuzuarit po privohen nga liria meqë Prokuroria nuk është gati me hetimet e saj.

Prosper: Pse jemi këtu nëse Prokuroria nuk është gati?

“Mendoj që e vetmja mënyrë për të përshkruar reagimin tim është që kam mbetur pa gojë. Prokuroria kërkon të kemi durim dhe se kanë shumë për të bërë, është një punë që ka përfshirë gjithë pjesëtarët e zyrës. Unë e kuptoj dhe duhet të jetë një përpjekje e bërë nga e gjithë zyra, sepse nuk kanë mandate tjetër përveç kësaj, nuk e di se çka tjetër mund të bëjnë këta. Pse jemi këtu nëse ata nuk janë gati, pse jemi këtu nëse hetimet janë akoma në vazhdim? Është një çështje që ka të bëjë me procesin e rregullt që lidhet me të drejtat e njeriut. Të akuzuarit kanë të drejtë të dihet pse akuzohen dhe ne nuk e dimë. Prokuroria vazhdon të thotë se jemi duke bërë hetime, të cilat do të vazhdojnë në një të ardhme të parashikueshme, cila është kjo e ardhshme e parashikueshme, unë mund të flas për shembull për 2030, për këtë afat flasin? Ne duhet ta dimë për çfarë bëhet fjalë këtu, ju e keni parë si ata i ndryshojnë datat. Në këtë pikë po them se po bëhet fjalë për njerëz të privuar nga liria dhe nga e drejta e tyre”, ka thënë Prosper.

Avokati Prosper ka kërkuar lirimin nga paraburgimi për ish-krerët e UCK-së, siç ka thënë ai deri kur Prokuroria të jetë gati.

Prosper: Katër njerëz po privohen nga liria sepse Prokuroria nuk është gati

“Të gjithë klientët tanë rrinë në paraburgim, larg nga familjet dhe nuk e dinë ende të gjithë tërësinë e akuzave të ngritura kundër tyre, pikërisht se Prokuroria nuk është gati, derisa Prokuroria vazhdon hetime në të ardhmen e parashikuar, atëherë duhet t’i kthehemi lirimit të përkohshëm të klientëve tanë për një të ardhme të parashikueshme, dhe kur Prokuroria të jetë gati të mblidhemi dhe ta rifillojmë përsëri çështjen. Më falni, zoti gjykatës por kjo shkelë çdo normë të të drejtave të njeriut që lidhet me proceset e rregullta gjyqësore, konventa evropiane të të drejtave të njeriut, e të tjera, dhe krijon një ide negative për këtë institucion, duke lejuar që të ndodhë kjo gjë do të njollosë edhe më tej këtë institucion për të ardhmen”, ka thënë ai.

Lirimin e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit deri në fillim të procesit gjyqësor, e ka kërkuar edhe mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Avokati Ben Emmerson ka thënë se nga provat e deritanishme, nuk ka asgjë që tregon se Kadri Veseli ka kryer ndonjë krim.

Emmerson: Provat e deritanishme nuk tregojnë kryerjen e ndonjë krimi nga Veseli

“Vetëm një mbrojtje e çmendur, duke pasur parasysh burimet e kufizuara nga ajo që kemi në dispozicion, mund të fillojë të hetojë krimet që ka ngjarje që mund të mos jenë fare pjesë e juridiksionit të kësaj gjykate. Provat që deri tani i kemi në dispozicion për zotin Veseli nuk tregojnë asnjëra kryerjen e ndonjë krimi nga zoti Veseli. Nëse Prokuroria ka ndonjë gjë që ende po e mban për vete e nuk na e ka dhënë, e cila do të ishte shkelje shumë serioze e procesit të drejtë juridik, ose nëse nuk ka fare gjë për zotin Veseli, ne aktualisht nuk kemi asgjë për zotin Veseli, çfarë hetimi mund të bëjmë ne lidhur me të... Asnjë skuadër, asnjë ekip mbrojtje i përgjegjshëm nuk do të ndërmerrte një hetim të tillë në 44 vende të ndryshme në gjithë Kosovën dhe Shqipërinë, ndërkohë që në dokumentacionin dhe shkresat që kemi deri tani nga prokuroria nuk kemi asnjë indicie për përfshirje ne klientëve tanë në krimet në fjalë”, ka thënë Emmerson.

Ai ka thënë se ende nuk ka asnjë indikacion se ku do të dorëzohet dosja paraprake nga ana e Prokurorisë.

Emmerson: Nuk kemi ndonjë indikacion kur do të dorëzohet dosja paraprake

“Ne ende nuk kemi ndonjë indikacion kur do të dorëzohet dosja paraprake, duhet të ishte dorëzuar, siç tha zoti Prosper me të drejtë, këta njerëz janë në paraburgim në bazë të faktit se procedurat do të përfundonin dhe do të fillonte gjyqi. Fakti i çështjes është që Prokuroria është copë-copë në punën e saj, dhe këta njerëz po mbahen në paraburgim pafundësisht teksa prokuroria po përpiqet të paraqesë çështjen e saj në një farë renditje. Ju kërkoj të siguroni që këta burra të mos mbahen më në paraburgim dhe misionet paraprake të trajtohen sa më shpejt që të jetë e mundur, ndryshe do të shikoni që kjo gjykatë do të mbajë katër burra në paraburgim pa i filluar ende gjyqin”, ka thënë Emmerson.

Ai ka kritikuar Prokurorinë se e njëjta paraprakisht kishte deklaruar se do të jetë e gatshme të fillojë gjyqin e rregullt në shtator ndërsa tani, sipas avokatit Emmerson, nuk është gati të nxjerrë materialet për fillimin e hetimeve në shtator. Sipas tij, nuk mund të fillojë procesi i rregullt gjyqësor deri nga mesi i vitit 2022.

Deklaratat e Prosper dhe Emmerson janë mbështetur edhe nga mbrojtja e Krasniqit dhe Selimit, të cilët kanë kritikuar Prokurorinë se informacionet e dorëzuara të mbrojtja nuk janë të plota.

Avokatët kanë kërkuar që Prokuroria t’u jep numrin e materialeve që i përkasin rregullës 107, numrin e organizatave nga të cilat i marrin materialet dhe numrin e regjistrimi të provave që lidhen me to.

Por, Prokuroria ka deklaruar se mbrojtja nuk ka të drejtë të marrë informacione statistikore lidhur me provat që ka mbledhur Prokuroria.

Në fund të seancës, gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhër që vendimet për mocionet paraprake të nxirren të premten më 16 korrik.

Gjithashtu ka urdhëruar ZPS-në që të dorëzojë parashtrime për nevojën e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarve deri më 28 maj dhe përgjigjja e ekipeve mbrojtëse deri më 7 qershor

Prokuroria tregon se kur fillon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, mbrojtja ka një kërkesë urgjente për klientët

Gjykatësi Nicola Giu ka pyetur ZPS-në nëse mund të japin datë për dorëzimin e dosjes paraprake. Ai ka thënë se data e synuar është mesi i tetorit.

Prokurorja ka thënë se parashtrimi i tyre për hetimet është i pandryshuar.

Ajo ka thënë se hetimet në përmbushjen e mandatit parashikohen të vazhdojnë dhe kjo nuk do të ndikojë në afatin e paragjykimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm që do të na kërkohet autorizim gjyqësor dhe kur të dalin materialet shfajësues do t’i nënshtrohen nxjerrjes. Ne jemi në gjendje që këto materiale t’i paraqesim në mesin e tetorit. Ka një ndryshim nga parashikimi që kishim bërë më herët për në shtator. Në konferencën e fundit data në shtator ishte data më e hershme e parashikuar. Që atëherë na është bërë e qartë. Jemi në fazën kritike të këtij procesi dhe parashikojmë të vazhdojmë deri në shtator të vitit 2021. Parashtrimi ynë do të mbetet siç ka qenë. Do t’i bëjmë parashtrimet lidhur me kohën e propozuar dhe dorëzimin e dosjes paraprake”, ka thënë prokurorja.

Avokati Prosper ka thënë se ka mbetur pa fjalë. Sipas tij Prokuroria kërkon që të kenë durim, por ai pyet, përse janë ata aty nëse ata nuk janë gati.

“Të akuzuarit kanë të drejtë të dinë pse akuzohen dhe ne nuk e dimë. Prokuroria thotë se janë duke bërë hetime të cilat do të vazhdojnë në një të ardhme të parashikueshme. Unë mund të flas edhe për vitin 2030. Ne duhet ta dimë se për çfarë afati bëhet fjalë. Këta njerëz janë privuar nga liria. Të gjithë klientët tanë rrinë larg familjeve pse prokuroria nuk është gati. Derisa prokuroria vazhdon hetimet atëherë duhet t’i kthehemi çështjes së lirimit të klientëve tanë derisa Prokuroria të jetë gati”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se duke lejuar që të ndodhë kjo gjë, ky institucion do të njolloset.

Avokati Ben Emmerson ka thënë se kishte parashikuar se afati i parashikuar nga Prokuroria për gjyqin në shtator ishte krejtësisht absurd.

Ai ka thënë se është akuzuar nga kryetari i tribunalit se kishte dhënë një parashikim të rremë për këtë afat.

“Prokuroria tani po përmend shtatorin për fillimin e gjyqit. Ne ende nuk kemi informacion se kur do të dorëzohet dosja paraprake”, ka thënë ai.

Mbrojtja në Speciale kërkon nga Gjykatësi t’i japë urdhër Prokurorisë për dorëzimin e numrit të materialeve

Avokati Nick Kaufman ka thënë se ka tendencë nga shumë prokurorë hetues që të provojnë dobishmërinë e materialeve të tyre e pas asaj duke mos pasur një fushë pamje të gjerë të tyre nuk i japin mbrojtjes materiale duke thënë se ato nuk janë të nxjerrshme.

“Pra të përmendësh rregullin 107 e ta vësh si etiketë te materialet nuk është e pranueshme. Mbrojtja iu ka kërkuar Prokurorisë të jap të dhënat për të vlerësuar materialet që ka Prokuroria në kontrollin e vet, e gjitha që dha Prokuroria ishte pak a shumë e njëjtë, me atë në konferencat tjera. Për të vënë shifra të kuptimshme e domethënëse, do të varej nga informacioni shfajësues e kjo na shqetëson. Në lidhje me këtë që duhet që prokuroria të plotësojë e përmbush detyrimet e veta në lidhje me materialet që duhet të nxjerrin. Kërkojmë gjykatës që të jepni urdhër prokurorisë të na jap sa më shpejt numrin e materialeve që i përkasin rregullit 107, numrin e organizatave materiale, datat kur janë krijuar këtu.”, ka thënë ai.

Prokuroria ka thënë se nuk ka të drejtë të marrë këto informacione në këtë fazë të procedurës.

“Nuk ka të drejtë të marrë informacione statistike me prova të mbledhura nga Prokuroria gjatë kësaj faze. Zbulimi i tyre do të shkelte disa kushte. Prokuroria ka detyrimin që të sigurojë që materialet që duhet nxjerrë në bazë të këtyre rregullave ose duhet të nxirren ose të vendosen përjashtime përkatëse. Dje kemi marrë një paketë materiale në lidhje me rregullin 107. Që janë miratime të materialet. Shifrat ndryshojnë vazhdimisht”, ka thënë prokurorja.

Avokati i Thaçit: Dokumentacioni që na është dhënë nga Prokuroria është i paplotë

Ka nisur të mbahet konferenca e pestë për ecurinë e rastit të Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Gjykatësi Nicolas Giu ka thënë se seancën e kaluar ka kërkuar nga palët që të japin parashkrime për nxjerrjen e informacioneve, gjendjen e hetimeve të ZPS-së, gjendjen e hetimeve nga mbrojtja si dhe çështje të tjera.

Të martën, ai ka thënë se mbrojtja e Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë parashtruar ceshtjet e tyre me shkrim.

Ai ka thënë se mbrojtja e Krasniqit ka ngrehur çështjen e përkthimeve, duke shtuar se në konferencën e 16 shkurtit, Zyra e Administrimit ka thënë se mund të vë në dispozicion 150 faqet e para të përkthyera jo më vonë se data 20 prill 2021.

Zyra e administrimit ka thënë se nuk ka qenë e mundur që këto 150 faqe të dorëzohen me datën 20 prill dhe se janë duke punuar në përfundimin e tij. Ai ka shtuar se më datë 31 do të jetë në dispozicion.

“Kemi edhe një vendim për konfirmim që është gati 300 faqe, por nuk do të jetë gati për këtë kohë”, ka thënë zyrtari nga Zyra e administrimit.

Prokurorja ka thënë se për nxjerrjen e dokumenteve, të gjitha dokumentet e mbetura dhe që u janë treguar të akuzuarve janë nxjerrë me 1 prill 2021.

Ajo ka thënë se janë nxjerrë edhe masa tjera mbrojtëse, duke shtuar se parashikojnë edhe masa tjera.

“Ka burime domethënëse të cilat janë përdorur për të bërë funksionale të gjitha materialet e nevojshme. do të vazhdojmë që të punojmë në zyrën e administrimit për zgjedhjen e çështjeve teknike. Ne po vijojmë për rishikimin e materialit shfajësues, kemi bërë kërkesë për një masë mbrojtëse për një pjesë të materialit shfajësues. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë masa mbrojtëse sipas nevojës. Kemi bërë shumë progres në nxjerrjen e dokumenteve”, ka thënë ajo.

Avokati Pierre Richard Prosper ka thënë se ka ende informacione që nuk i kanë marrë nga prokuroria.

Ai ka thënë se ende po mundohen që të përpunojnë dhe analizojnë informacionet.

“Informacioni që është vënën në dispozicion është pothuajse i palexueshëm. Dokumentacioni që na është dhënë nuk është i plotë”, ka thënë ai.

Avokati Nick Kaufman ka thënë se është thelbësore që ata ta kenë dosjen paraprake.

“Siç e kemi përmendur në parashtrimin 315 ne kemi komunikuar me Prokurorinë për ruajtjen e të dhënave që kanë të bëjnë me konfidencialitetin. Duket se nuk është bërë përparim nga Prokuroria për të kryer detyrat e saj për materialet bazë shfajësuese t’i jepen mbrojtjes në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Në këto momente ka filluar seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Speciale.

Sot dihet se çfarë do të ndodhë me Thaçin dhe tjerët

Prokurori në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sot do të mbajë konferencë për ecurinë e çështjes.

Në kalendarin e Dhomave të Specializuara thuhet se konferenca do të mbahet në orën 11:00.

 “Për të përcjellur seancën nga galeria për publikun ose qendra për median duhet të regjistroheni paraprakisht. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik në [email protected](link sends e-mail) në të cilin do të shënoni emrin dhe mbiemrin, statusin, datën e lindjes, shtetësinë dhe numrin e pasaportës. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është deri të hënën, më 17 maj në ora 17:00. Seanca mund të ndiqet edhe përmes internetit, me një vonesë, dhe në këtë rast nuk nevojitet regjistrimi”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat