Molliqaj thotë se VV doli kundër faljes së gjobave gjatë pandemisë vetëm që t’i dalin kundër PSD’së

Aktuale

Molliqaj thotë se VV doli kundër faljes së gjobave gjatë pandemisë vetëm që t’i dalin kundër PSD’së

Më: 31 maj 2021 Në ora: 19:53
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i ka reaguar ushtrueses së detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se falja e gjobave ndaj qytetarëve përgjatë pandemisë do t’i dekurajonte ata në zbatimin e ligjit.

Molliqaj, nëpërmjet një reagimi në ‘Facebook’, e ka pyetur Kusari-Lilën se “si e arsyetojnë faktin që ishin po të njëjtit që para pak ditësh votuan dhe ua paguan 11 milion euro serbëve në veri për rrymën e pa paguar?”.

Tutje, ai ka thënë se kjo kundërshti po bëhet vetëm për faktin që PSD ndërmori iniciativën për peticionin që bën thirrje për faljen e gjobave ndaj qytetarëve, të dënuar konform Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19.

Përgjatë ditës, shefja e grupit parlamentar të VV’së ka treguar qëndrimin e subjektit politik të cilin e përfaqëson karshi faljes së gjobave përgjatë pandemisë.

“Falja e gjobave për bizneset dhe qytetarët është bërë përmes një ligji i mbështetur nga partia që po e propozon tash faljen e gjobave, nëse përcaktohet me një normë ligjore, pastaj vendosja e gjobave në interpelanca shkon jashtë normave të ligjshmërisë. Ata që kanë aplikuar të gjitha normat po bien viktimë, e ata që kanë shkelur ligjin po falen me kërkesa përmes interpelancave”, ka deklaruar ajo.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Shefja e deputetëve të VV-së paska dalë kundër faljes së gjobave të pandemisë ndaj qytetarëve. Qenkan ”arsyetuar” se falja e gjobave do t’i dekurajonte qytetarët që respektuan ligjet.

Nëse qeveria e VV nuk do të dëshironte që t’i dekurajoj qytetarët që respektojnë ligjet, si e arsyetojnë faktin që ishin po të njëjtit që para pak ditësh votuan dhe ua paguan 11 milion euro serbëve në veri për rrymën e pa paguar?

Ky kundërshtim i faljes së gjobave të pandemisë nga VV është banal dhe vjen vetëm e vetëm për faktin që është PSD-ja ajo që ndërmorri iniciativën për peticion, iniciativë kjo që po mbështetet çdo ditë nga mijëra qytetarë.

Hipokritët në qeveri duhet t’i ndalin qasjet e tyre selektive. Gjobat e pandemisë janë të padrejta, sepse janë pikërisht qeveritarët ata që i kanë shkelur masat, anipse i kanë përpiluar vetë ato.

Peticioni vazhdon, deri në arritjen e qëllimit tonë të përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat