Në gjykimin për korrupsion ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo dhe të tjerëve, drejtoresha e Departamentit për Politika Zhvillimore (DPZH) në këtë ministri, Shqipe Demaj, ka deklaruar se ligji nuk parasheh programet e veçanta, por se i parasheh vetëm ato të rregullta.
Këtë deklarate Demaj e ka dhënë në seancën e së hënës, në gjykimin ku bashkë me Rikalo po akuzohen edhe sekretari i përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Miodrag Brklaq, që mbron të akuzuarin Rikallo, dëshmitarja Dema ka deklaruar se nuk ekziston ndonjë rregullore që thotë se përpilimi i programit të veçantë është kompetencë e departamentit të saj, pasi nuk ka në realitet programe të veçanta dhe ekskluzive.
Ndërsa, kur është pyetur ku janë shkruar procedurat për ndërtimin e programit të veçantë, ajo ka thënë se nuk ka procedurë të programit të veçantë.
Avokati Brklaq ka pyetur dëshmitaren nëse mund t’ia sqaroj gjykatës se si sigurohen mjetet nga buxheti, gjegjësisht si i siguron departamenti i saj mjetet për punën e saj.
“Kërkesat buxhetore i prezantojmë çdo vit në grup punues, Nga ministria e financave i kërkojmë mjetet. Kërkesat shkojnë shkallë-shkallë, secili departament i prezanton në grup punues dhe është zyrtari kryesor financiar me kryetarin e grupit punues, të cilët e bëjnë përmbledhjen e përgjithshme të krejt departamenteve”, ka thënë ajo, duke shtuar se më pas kjo shkon në Ministri të Financave.
Pastaj ajo tha se përgatitet korniza buxhetore, e cila aprovohet në qeveri dhe parlament. Sipas Demës, në rastin konkret për programin e veçantë nuk janë bërë këto procedura.
“Sa jam e informuar, sa e kam pa Ligjin e Buxhetit edhe planin e punës së ministrisë, nuk kena pas aktivitete për masa speciale”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, dëshmitarja tha se sipas Ligjit për Buxhetin, të gjitha mjetet ndahen nëpër departamente përmes ministrisë.
Avokati Brklaq deklaroi se në polici dëshmitarja ka thënë se është shkelur Ligji për Administrimin e Financave Publike, me arsyetimin se është kontraktuar shumë më shumë se buxheti i planifikuar.
“Po, është shumë e qartë ngaqë me Ligjin për Financat Publike organizatat buxhetore janë të obliguara t’i përmbahen planit dhe buxhetit dhe nuk më kujtohet cili nen është, por kështu është e caktuar me ligj dhe organizatat buxhetore duhet t’i përmbahen planit ose ligjit buxhetor dhe unë jap përgjigje vetëm për atë që di”, ka thënë ajo.
Tutje, avokati Brklaq ka thënë se kur dëshmitarja është pyetur a është respektuar Ligji 03/L – 090, pastaj principet për zbatim, masat e politikave bujqësore, e të tjera, e të tjera, dëshmitarja ka thënë se nuk mendon që është respektuar.
“Unë mendoj se nuk është respektuar ky ligj, sepse fituesit janë përzgjedhur në mënyrë selektive nga komuna përfituese, kurse ligji parasheh që të ju jep mundësi të barabartë që të gjithë komunat mund të aplikojnë në këtë program”, ka deklaruar ajo.
“Unë kam thënë dhe prapë po them sa i përket programit të rregullt, edhe ligji e përcakton se programi i rregullt e mbulon gjithë territorin e Kosovës, mandej konkluzionet a u shkel ligji a nuk u shkel, janë çështje individuale.”, ka thënë tutje ajo.
Dëshmitarja Dema ka thënë se ligji nuk parasheh programet e veçanta dhe vetëm të rregullta, e se është vetëm një program.
Avokati Brklaq e ka pyetur dëshmitaren nëse e ka lexuar tekstin përfundimtar të programit të veçantë që është lëndë e kësaj aktakuze, çka dëshmitarja tha se e ka lexuar, por jo detajisht.
Më pas, avokati e ka pyetur dëshmitaren nëse është në dijeni se a ka pasur ndonjë komunë të anashkaluar, për cka e njëjta tha: “Nëse kanë qenë 5 -6 komuna përfituese, të tjerat kanë qenë të anashkaluara”.
Sa i përket raporteve me ish-ministrin Rikallo, dëshmitarja ka deklaruar se kanë pasur raporte korrekte zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Artan Qerkini, mbrojtës i Kapllan Halimit, e ka pyetur dëshmitaren nëse janë zbatuar në praktikë programet për bujqësi dhe zhvillim rural, që nuk janë aprovuar nga Kuvendi.
“Unë e kam përmend edhe në seancën e kaluar. Programi 2014 shtatë vjeçar nuk është aprovu as në qeveri as parlament. Ministria e Bujqësisë e ka aprovuar në parlament përmes Ligjit të Buxhetit sipas procedurave që i tregova”, është përgjigjur Dema.
Tutje, Qerkini ka pyetur nëse e parasheh ligji që programi për bujqësi dhe zhvillim rural të aprovohet si program i veçantë apo përmes Ligjit për Buxhet, për cka dëshmitarja tha se nuk përcaktohet.
“Do të thotë dëshmitarja po thotë që nuk ndalohet që programi për bujqësi dhe zhvillim rural të aprovohet së bashku në Kuvend me Ligjin për Buxhetin?”, ka pyetur Qerkini.
Dëshmitarja Dema ka thënë se programi nuk mund të zbatohet nëse nuk aprovohet përmes Ligjit të Buxhetit në parlament.
Avokati Qerkini ka pyetur nëse në periudhën 2014-2020 kanë qenë të gjitha investimet nga ministria në harmoni me këtë program, e që sipas tij, siç po shihet nuk janë aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Lidhur me këtë, dëshmitarja tha se të gjitha kanë qenë të parapara sipas programit.
Tutje, ajo tha se sekretari i ministrisë duhet të nxjerr vendime për formimin e grupeve punuese sipas propozimeve për çështje të caktuara, megjithatë sipas saj mund të ketë çështje që edhe vet sekretari i inicion.
Dëshmitarja Dema ka deklaruar se për programin e zhvillimit rural ose grantet buxheti është i ndarë në kode buxhetore sipas departamenteve, të cilat i kanë edhe përshkrimet i punës se çfarë do të bëjnë.
“E vërtetë është që ministri vendos, por propozimet shkojnë përmes departamenteve teknike”, ka thënë ajo.
Shefki Zeqiri ka pyetur dëshmitaren nëse është e vërtetë se ai në takimet jo formale dhe formale, duke përfshirë edhe takimin me ministrin dhe grupin punues, nuk është pajtuar me këtë program dhe e ka kundërshtuar në çdo takim.
“Po në takimin ku unë kam marr pjesë, e theksova edhe më herët që është kundërshtuar. Ndërsa, në takimin me ministrin dhe grupin punues nuk kam qenë pjesëmarrës, kolegët tjerë kanë qenë mund t’i pyesni ata”, ka thënë ajo.
I akuzuari Zeqiri ka pyetur nëse është e vërtetë që asnjëri nga anëtarët e grupit punues nuk e ka mbështetur në kërkesën e tij, që ky draft të mos hartohet dhe miratohet, për cka dëshmitarja deklaroi se edhe më herët e theksoi se nuk ka pasur mbështetje propozimi i Zeqirit.
Avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi, mbrojtëse e Leon Thaçit, e ka pyetur dëshmitaren nëse është lejuar që personi mbi kontratë mbi vepër, në këtë rast klienti i saj, të jetë pjesë e komisioneve të ndryshme në ministri.
“Sa i përket se a është e rregulluar me ligj apo jo, unë nuk e di. Megjithatë, mendoj se pjesëmarrja në komisione të këtij lloji është përgjegjësi shumë e madhe dhe mendoj se është dashur të jenë zyrtar të emëruar në pozita”, ka thënë dëshmitarja Dema.
Tutje, dëshmitarja ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, Mentor Bajraktari.
“Unë po mendoj që gati prej fillimit, email-in e parë kur i jam përgjigj zonjës Laman, i kam thënë se është në kundërshtim me politikat e përbashkëta bujqësore dhe procedurat e rregullat që i ka departamenti im. Unë muj me thënë që është në kundërshtim brenda asaj që unë e di dhe unë kam kompetencë”, ka deklaruar dëshmitarja.
Gjykatësi Bajraktari e ka pyetur atë nëse ka qenë prezent sekretari i ministrisë në takimin kur i akuzuari Zeqiri ka ngritur shqetësimet se është në kundërshtim me ligjin, për cka dëshmitarja e mohoi një gjë të tillë. Ajo tha se sekretari nuk ka qenë prezent në atë takim.
Ndërkaq, investimi më i madh që kanë marrë përfituesit e subvencionit nga departamenti i saj, dëshmitarja tha se ka qenë 200 mijë euro.
Në fund, dëshmitarja Dema gjithashtu tha se nuk ka njohuri nëse programi i vecantë ka qenë i paraparë me rishikim të buxhetit.
Ndryshe, Dema kishte nisur dëshminë e saj në seancën e mbajtur më 27 prill, gjatë së cilës është përgjigjur në pyetjet e prokurores Habibe Salihi.
Pas dëgjimit të saj, gjykatësi Bajraktari e ka caktuar seancën e radhës për 10 qershor, në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, akuzohen se në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që tu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “ Novus” SH.P.K, për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes grandeve), koncorziumit “ DOO Zubin Potok” për fitimin e grandit “ Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.
Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grandit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, me datë 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç ‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.
Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerr vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale , duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.
Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.
Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëj kontroll administrative, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural, kështu i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.
Sipas akuzës, Të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësoj përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanësh pallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grandit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”.