Konferenca e ministrave të jashtëm të Ballkanit, çfarë kërkoi ministri gjerman

Aktuale

Konferenca e ministrave të jashtëm të Ballkanit, çfarë kërkoi ministri gjerman

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 09:54
Heiko Maas

(E plotësuar 16:00) - Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, sot ka folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.

Mass ka thënë se mesazhi gjerman është i qartë.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do ta rriste vetëm stabilitetin rajonal por do të hapte gjithashtu edhe rrugën për perspektivat e të dy vendeve për Bashkimin Evropian”, ka thënë Mass në një konferencë për media.

Kryediplomati gjerman ka thënë tutje se kur flitet për pragmatizëm, atëherë beson që “Bashkimi Evropian duhet përfundimisht që t’ia japë Kosovës liberalizimin e vizave, vendit të vetëm që vazhdon të jetë i përjashtuar nga e drejta për udhëtim në Evropë”, ka potencuar Mass.

Ai tutje ka bërë thirrje për bashkëpunim rajonal dhe pajtim.

“Të gjithë njerëzit në Evropë mbajnë barrë historike. Por historia nuk duhet të jetë një pengesë në formimin e një të ardhmeje të përbashkët”, ka shtuar krye diplomati gjerman.

Ndër të tjera, Mass ka thënë se përkrahin punën që po bëhet nga Josep Borell dhe Miroslav Lajcak në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

***

Nën drejtimin e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, nisi punën konferenca e ministrave te jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Mëngjesin e sotëm Ministri Federal i Punëve të Jashtme Heiko Maas çeli takimin virtual mes Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit. Në fjalën e tij, si mikpritësi i këtij takimi, Ministri Maas nënvizoi domosdoshmmërinë për të çuar përpara procesin e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë progres të qëndrueshëm në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me Marrëveshjen e Prespës Shkupi dhe Athina treguan lidership politik me rëndësi historike. Kjo është arsyeja pse bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të nisin tani. Falënderoj Presidencën Portugeze për marrjen përsipër të kësaj detyre për më tej – do të ketë mbështetjen tonë të plotë! Më lejoni të jem i qartë: të gjithë ne e dimë që politika e brendshme mund të kufizojë hapësirën e lëvizjes për politikën e jashtme. Kuptojmë gjithashtu që çështje të caktuara të historisë dhe identitetit janë delikate. Por çështje të tilla dypalëshe nuk do të duhej të pengonin gjithë procesin e anëtarësimit”, tha kryediplomati gjerman.

Mw tej ai ka shtuar se "Një Ballkan Perëndimor i prosperuar dhe paqësor ka nevojë që të gjitha vendet në rajon të bashkojnë duart - me pragmatizëm dhe guxim, me realizëm dhe ambicie.Varet nga ju që të bëni ato zgjedhje - Gjermania është e gatshme të ofrojë mbështetje".

​Nis konferenca e ministrave të jashtëm të Ballkanit, merr pjesë edhe Gërvalla

Ka nisur takimi virtual i ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian, në të cilin do të bisedohet për ecurinë e Procesit të Berlinit.

KosovaPress merr vesh se ky takim ka nisur nga ora 09:00 dhe se në të po merr pjesë edhe ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz.

Zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse, ka bërë të ditur se ky takim po zhvillohet nën drejtimin e ministrit të jashtëm gjerman, Heiko Maas. Në takim po marrin pjesë edhe komisioneri i BE-së për zgjerim, Oliver Varhelyi dhe sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino

Konferenca e sotme po i paraprinë samitit të ardhshëm me kryeministrat e Ballkanit, i cili pritet të zhvillohet gjatë muajit korrik, nën drejtimin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Kujtojmë se me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, Merkel krijojë Procesin e Berlinit si nismë më 2014. Ndër të tjerash, nisma synon edhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat