OVL-UÇK më në fund reagon për flamurin serb në Koshare

Aktuale

OVL-UÇK më në fund reagon për flamurin serb në Koshare

Më: 13 qershor 2021 Në ora: 21:29
Pamje nga vendi i ngjarjes

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) në Pejë, e ka quajtur akt provokimi nga Serbia vendosjen e flamurit serb në kullën e vrojtimit në Koshare në mesin e disa flamurëve të shqyer kuq e zi.

OVL-UÇK e Pejës ka kërkuar të ndërmerren masa të menjëhershme nga Qeveria dhe institucionet e sigurisë, derisa kritika ka pasur edhe për institucionet e apostrofuara. Organizata e veteranëve në Pejë këtë reagim e kanë bërë përmes një postimi në ‘Facebook’.

“Qeveria e vendit, organet e sigurisë, të marrin masa që të ndalen përgjithmonë këto dukuri të shëmtuara dhe që fajtorët të dënohen. Në të kundërtën çfarë na mbetet ne? Të heqim dorë edhe nga kjo shtetësi që e kemi, pasi që as në shtetin që e ndërtuam vet, nuk ndjehemi më të sigurt”, thuhet në reagimin e tyre.

“Ju përgjegjësit e institucioneve shtetërore dhe atyre të sigurisë, nëse nuk doni ose nuk dini të mbani shtet, deklarohuni dhe lëshoni rrugë”, deklarohet tutje.

Një foto e bërë disa ditë pas 22 vjetorit të përfundimit të njërës prej betejave më të lavdishme të UÇK-së në këtë vend, paraqet një gjendje të turpshme të kullës së vrojtimit, në ballë të së cilës është vendosur flamuri serb.

Fotoja, e cila u publikua në një faqe në Instagram nga serbët, shfaq flamurin serb që valëvitet në rrënojat e kullës së vrojtimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat