​Ekspozohen rrobat e Ukshin Hotit, Kurti: Busullë që na tregon cila është rruga e drejtë në politikë

Aktuale

​Ekspozohen rrobat e Ukshin Hotit, Kurti: Busullë që na tregon cila është rruga e drejtë në politikë

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 10:14
Albin Kur

Në 78-vjetorin e lindjes së veprimtarit Ukshin Hoti po ekspozohen disa nga rrobat që ai më së shumti i kishte veshur. Në njërën nga dhomat e shtëpisë muze në Krushë të Madhe, tani e tutje do të ruhet më mirë xhemperi dhe kostumi me të cilin e mbajnë mend të gjithë ditën kur Ukshin Hoti u lirua nga burgu për herë të parë.

Kryeministri Albin Kurti atë po e konsideron busullë e cila tregon se cila është rruga e drejtë në politikë dhe shoqëri.

Shefi i ekzekutivit në këtë përvjetor ka vizituar shtëpinë muze dhe ka bërë nderime pranë bustit të Ukshin Hotit. Ai bashkë me deputetin Avni Dehari kanë shfaqur veshjet e Hotit në kornizën prej xhami.

Kurti: Baca Ukë nuk ka varr, rrobat e tij do të qëndrojnë në muze

"Erdhëm të bëjmë nderime këtu te busti i tij në shtëpinë muze, sepse baca Ukë nuk ka varr. Vazhdon të jetë i pagjetur sepse u zhduk me dhunë pas lirimit nga burgu në maj të vitit 1999. Jemi këtu jo vetëm për të shënuar ditëlindjen e tij për njëkohësisht edhe për të shfaqur rrobat e tij të cilat tash do të qëndrojnë në muze. Bëhet fjalë për xhemperin më të dashur që e ka pasur dhe gjithashtu për një kostum që ai e ka veshur menjëherë pas daljes nga burgu i parë dhe pranë atij kostumi që tash ndodhet i ekspozuar në shtëpinë muze ndodhet edhe fotografia ku ai e ka pasur të veshur atë kostum në një koncert të Shkurte Fejzës në Kërçovë", ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se Ukshin Hoti është një figurë e jashtëzakonshme e kombit, me një jetë vepër dhe me librat e tij të cilat duhet rilexuar.

Kurti: Baca Ukë është një busullë që na tregon cila është rruga e drejtë në politikë e shoqëri

"Baca Ukë është një busullë e cila na tregon se cila është rruga e drejtë në politikë dhe shoqëri. Por gjithashtu është edhe një figurë e cila brezave të ardhshëm jo vetëm politikanëve, t'iu mësohet nga institucionet tona. Posaçërisht nga sistemi arsimor meqenëse nuk ka një tjetër si ai", ka shtuar Kurti në Krushë të Madhe.

Kurti në Krushë të Madhe është shoqëruar nga deputetë të tjerë dhe familjarë të Ukshin Hotit, ku mes tjerash ka thënë se sot po shënojnë edhe përmbylljen e "Javës së Lëvizjes".

Zhdukja e Ukshin Hotit mbetet e mistershme. Ai punoi për filozofinë e çlirimit të Kosovës, ishte i përndjekur vazhdimisht nga forcat jugosllave. Nga maji i vitit 1999 nuk dihet gjë për fatin e tij.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat