​Austria ndan një milion vaksina për Ballkanin Perëndimor

Aktuale

​Austria ndan një milion vaksina për Ballkanin Perëndimor

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 14:03
Pamje nga takimi

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, në një konferencë për media, pas tryezës së përbashkët me liderët e rajonit, në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor, ka bërë të ditur se shteti që ai përfaqëson ka ndarë një million vaksina për qytetarët e këtyre vendeve.

Kancelari Kurz ka thënë se Austria mbetet e përkushtuar që t’i ndihmojë vendet e këtij rajoni në luftën kundër pandemisë.

“Ne kemi dërguar mbi 600 mijë doza për Ballkanin Perëndimor. Dhe si Republikë e Austrisë duam të japim një kontribut duke i vënë në dispozicion 1 milion doza të vaksinës. Do të dërgojmë 1 milion për të mbështetur në luftën kundër pandemisë”, tha Kurz.

Përveç pandemisë, disa nga temat që u diskutuan në Samitin e sotëm ishin lufta e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm, perspektiva e BE-së për të gjitha vendet e këtij rajoni dhe mbështetja ekonomike që do t’ju ofrohet këtyre vendeve, pas krizës.

Përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë Samit morën pjesë edhe përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Malit të Zi, ai i Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe Belinda Balluku nga Qeveria e Shqipërisë.

Para Samitit, Kurz po ashtu kishte deklaruar se do t’i mbështesin vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt BE-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat