Profil/Kush është Albert Zogaj, kryesuesi i ri i KGJK-së?

Aktuale

Profil/Kush është Albert Zogaj, kryesuesi i ri i KGJK-së?

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 13:31
Albert Zogaj

Gjyqtari Albert Zogaj është zgjedhur sot kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Ai është zgjedhur me votat e 11 anëtarëve të KGJK-së që morën pjesë në votim kurse anëtarja Radojka Trifunovic nuk ishte e pranishme në mbledhje.

Në këtë pozitë, Zogaj do të pasojë kryesuesin aktual, Skender Çoçaj, mandati i të cilit mbaron pas pak ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mandati i Zogajt do të fillojë më 7 korrik 2021 dhe do të zgjasë tre vjet.

Albert Zogaj ishte zgjedhur gjyqtar në tetor të vitit 2010. Nga viti 2015 e deri në vitin 2020, ai kishte qenë gjyqtar i divizionit civil në Gjykatën e Apelit. Në shtator të vitit 2020 ishte avancuar në Gjykatën Supreme.

Pak muaj më vonë, ai ishte zgjedhur edhe anëtar i KGJK-së nga radhët e Supremes.

Pasi ishte zgjedhur në këtë pozitë në KGJK, ai kishte marrë edhe funksione të tjera brenda Këshillit, përkatësisht, ishte zgjedhur në pozitën e anëtarit rezervë në Komisionin e Përhershëm për Administrimin e Gjykatave, anëtar i Komisionit Vlerësues për kandidatët për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren dhe anëtar i grupit punues për hartimin e raportit fakt-mbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore (KGJK).

Po ashtu, Zogaj para pak ditësh është emëruar edhe kryetar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Një emërim i tillë ishte cilësuar kundërligjor nga opozita në Kuvendin e Kosovës si dhe nga një pjesë e shoqërisë civile.

Po ashtu, Zogaj është edhe ligjërues në Kolegjin “AAB”. Gjithashtu, ai që një kohë është edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë.

Në janar të këtij viti, ai kishte nënshkruar edhe një kontratë me një organizatë jo-qeveritare për angazhimin e tij si konsulent i pavarur për një periudhë pesë mujore.

Në paraqitjen e vizionit të tij si kryesues i KGJK-së, Zogaj ka thënë se do të heq dorë nga angazhimi në Akademinë e Drejtësisë, ndërsa pozita e gjyqtarit i pezullohet me zgjedhjen e tij si kryesues.

Ai ka thënë se përveç pozitës si kryesues i KGJK-së do të vazhdojë të mbajë edhe pozitën e kryetarit të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës dhe eventualisht angazhimin si ligjërues në fakultet.

Në deklarimin e tij të pasurisë që kishte bërë në vitin 2020, Zogaj kishte deklaruar të ardhura vjetore prej 38,710.00 euro.

Më poshtë gjeni biografinë e gjyqtarit Zogaj të publikuar në faqen zyrtare të KGJK-së:

Albert Zogaj është gjyqtar në Gjykatën Supreme, dega civile. Gjyqtari Zogaj ka diplomuar me 30.06.2004, në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet post-diplomike në drejtimin Juridiko-Civil i ka përfunduar në vitin 2008.

Nga dhjetori 2004 deri në dhjetor 2005, ka punuar si avokat-praktikat në Odën e Avokatëve të Kosovës. Në shkurt të viti 2006, përfundoi provimin e jurisprudencës ndërsa nga shkurti i vitit 2006 e deri në tetor të vitit 2010, punoi si avokat në Pejë.

Në tetor të vitit 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku ka punuar deri në dhjetor të vitit 2012. Nga viti 2013 deri më 2015 punoi si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm.

Në gusht të vitit 2015 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Prishtinë, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Në shtator 2020 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Supreme.

Prej vitit 2008 punon si ligjërues në Kolegjin AAB, njëkohësisht është edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë, në programin fillestarë dhe të vazhdueshëm të arsimimit ligjor. Ka punuar dhe ka marrë pjesë në disa hulumtim-punime profesionale me institucione të ndryshme si Qendra Juridike e Kosovës, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, Institutit Gjyqësor të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat