Ish-i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën: Ja pse nuk rezultoi me marrëveshje procesi i Rambujesë

Aktuale

Ish-i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën: Ja pse nuk rezultoi me marrëveshje procesi i Rambujesë

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 21:20
Wolfgang Petritsch

Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën në periudhën e viteve 1998-99, dhe shefi negociator i BE-së në bisedimet paqësore të Kosovës në Rambuje dhe Paris, në një intervistë ka treguar se pse nuk ka rezultuar me marrëveshje procesi politik, i cili ka filluar para bombardimeve të NATO-s.

Petritsch tha po ashtu se ndërmjetësimi dhe negociatat zgjatën një kohë të gjatë, mirëpo po sipas tij, në Rambuje asnjëherë nuk ka pasur negociata të direkte mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Kishin filluar nga amerikanët, nga Holbrooke e mandej nga Hill, menjëherë pas masakrës në Prekaz. BE u bashkëngjit pak më vonë. Ishin takime intensive në Beograd dhe Prishtinë, me Milosheviqin dhe ministrat e tij, si dhe me Rugovën, Fehmi Aganin, i cili më vonë u vra mizorisht nga forcat speciale të Beogradit, si dhe me të gjitha partitë tjera politike. U përpoqëm të takonim edhe UÇK-në, por ishte vështirë për shkak të gjendjes së përgjithshme të sigurisë. Prandaj na u desh që së pari të vejmë kanale joformale të komunikimit, që të ndërtojmë mirëbesim. U përpoqëm të përfshijmë lidershipin e UÇK-së në bisedime, por kjo gjithnjë kundërshtohej nga Beogradi”, tha Petritsch.

Ai tregon po ashtu edhe arsyen se pse Milosheviqi refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë.

“Ma merr mendja që ai mendonte se NATO nuk do të hynte në luftë për kosovarët. Ai spekulonte se do të kishte bombardime amerikane për disa ditë e mandej do të ndaleshin. Por, fuqitë perëndimore ishin ende të tronditura nga gjenocidi në Srebrenicë, më 1995, kur NATO kishte reaguar me vonesë. Tani slogani ishte: “Jo edhe një Srebrenicë tjetër!”. Madje edhe Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, që ishte nga Partia e Gjelbër, e përkrahte intervenimin e NATO-s që me vendosmëri ta ndal makinerinë luftarake të Milosheviqit. Sigurisht që të gjithë do të ishim më të lumtur sikur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të kishte përkrahur “intervenimin humanitar” në Kosovë, por Moska dhe Pekingu kërcënonin me veto. Prandaj Perëndimi veproi vetëm dhe, siç thonë, pjesa tjetër është histori”, tha ai.

Petritsch tregoi edhe për takimin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Por, në një nga takimet me UÇK-në, diku në një fshat të vogël në të dalë të Prishtinës, ku po negocionim lirimin e ushtarëve jugosllavë të kapur nga UÇK-ja, e kam takuar për herë të parë Albin Kurtin e ri i cili në heshtje po observonte takimin tonë. Më vonë, kur Kurti ishte burgosur nga Milosheviqi, në emër të BE-së kisha organizuar thirrjet për lirimin e tij”, tha Petritsch.

Kujtojmë se më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb , sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos tu lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranoi marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat