Seanca e Kuvendit mbahet më 7 korrik, pikë e rendit të ditës propozim-rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë

Aktuale

Seanca e Kuvendit mbahet më 7 korrik, pikë e rendit të ditës propozim-rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 15:19
Kuvendi i Kosovës

Të mërkurën e javës së ardhshme, më 7 korrik do të mbahet seanca e rregulltë e radhës së Kuvendit të Kosovës.

Kjo u vendos në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Seanca e së mërkurës do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetjet parlamentare.

Pas këtyre pikave, Kryesia vendosi që pikë e radhës së rendit të ditës të jetë propozim- rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

Seanca e rregullt do të vijojë me debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Ëashingtonit, sipas propozimit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas debatit parlamentar, seanca do t’i vijojë punimet me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020; shqyrtimin e Raportit Vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020, dhe shqyrtimin e Raportit të punës së Akademisë së Drejtësisë për vitin 2020.

Në rend dite, Kryesia vendosi edhe shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Po ashtu, Kryesia vendosi që të fus në rend dite për këtë seancë edhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, si dhe zgjedhjen e një anëtari të Autoritetit Rregullativ të Ujit.

Kryesia, në mbledhjen e sotme, ndër tjera vendosi që të formojë një grup punues për përgatitjet në lidhje me shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat