​Punëtorët e ATK-së në grevë, ofrojnë shërbime vetëm nga tri orë në ditë këtë javë

Aktuale

​Punëtorët e ATK-së në grevë, ofrojnë shërbime vetëm nga tri orë në ditë këtë javë

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 16:40
Arlinda Bajraj

Punëtorët e Administratës Tatimore të Kosovës(ATK) këtë javë do të punojnë vetëm me gjysmë orari të punës.

Punëtorët e ATK-së janë në grevë nga sot deri të premten prej orës 08:00 deri në orën 12:00, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave të tyre.

Sekretarja e sindikatës së punëtorëve të ATK-së, Arlinda Bajraj, theksoi se kërkojnë nga Qeveria që të përfillen kërkesat e tyre për kushte të përshtatshme të punës, për ndryshim të statusit dhe për kompensime.

Në të kundërtën, paralajmëroi se nga java e ardhshme do të futen në grevë tërë javën, nga ora 8:00 deri në orën 16:00.

Bajraj: Këtë javë do të punohet vetëm me gjysmë orari

“Kryesia e sindikatës ka mbajtur një takim të premten ku është vendosur dhe diskutuar në lidhje me vijueshmërinë e grevës. Sot është dita e katërt e grevës, ndërsa sot janë shtuar edhe masat dike filluar prej orës 8:00 deri në orën 12:00, orar ky që do të jetë për gjithë javën që jemi aktualisht. Në qoftë se nuk do të ketë ndonjë reagim apo ndryshim në lidhje me kërkesat tona, javën tjetër është vendosur që greva të mbahet me orar të plotë duke filluar nga pra 8:00 deri në orën 16:00, përfshirë edhe aktivitetet jashtë orarit gjatë vikendeve”, theksoi Bajraj.

Sekretarja e sindikatës theksoi se ende nuk janë ftuar për ndonjë takim me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për t’i shqyrtuar ose aprovuar kërkesat e sindikatës.

Bajraj: Ende nuk kemi pasur takim me Ministrinë e Financave

“Kërkesat janë propozim ndryshimi për statusin e Administratës Tatimore, pastaj janë kushtet e punës për objektin që jemi aktualisht edhe kompensimet tjera sipas kërkesave paraprake… Deri në këto momente nuk kemi pasur njoftim zyrtar për takim. Të shohim ndoshta në ditët në vijim do të ketë ndonjë reflektim”, thekson ajo.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat