Efektet reale të ofensivës së Albin Kurtit në duelin me Vuçiç

Aktuale

Efektet reale të ofensivës së Albin Kurtit në duelin me Vuçiç

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 11:10
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Qëndrimi i Kurtit në gjuhën serbe për Tanjug-un është marrë me detaje e po analizohet fjalë për fjalë nga diplomatë e ish-diplomatë.

Me një fjalë, Serbia sot është në një amulli sa i përket përballjes me shqiptarët, dhe nuk ka më asnjë justifikim apo “incident” që të mbulojë mosdëshirën për ta njohur shtetin e Kosovës.

Për Beogradin ka thjesht dy rrugë: ose të mos e njohë Kosovën siç ka ndodhur deri më sot, ose ta marrë vendimin e njohjes.

Aleksandër Vuçiç, duket hapur se nuk ka dashur e as nuk i ka mundësitë ta bëjë këtë kapërcim të madh. Është shumë i vështirë për konceptin e tij të ngushtë dhe zemrën e vogël si njeri e si politikan.

Por kur Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia do ta zyrtarizojnë njohjen e Kosovës, çka pritet në këtë vjeshtë, Beogradi do të jetë politikisht i dërrmuar.

Nuk do të ketë asnjë rrugë, apo shteg ku Beogradi të dalë nga thelbi i çështjes që është njohja.

Albin Kurti deri tani, në dy raundet e dialogut me Serbinë, ka tentuar të rrisë sa më shumë pazarin për ta bërë sa më pak dhimbje atë që pritet që të marrë Serbia. Që sipas gjasave është Asocacioni, për të cilin Albin Kurti, e ka ristartuar edhe këtë argument, duke sjellë idetë e tij për të.

Asocacioni, duket është argumenti, për të cilin Presidenti francez Emanuel Macron i ka kërkuar Albin Kurtit në Pallatin Elysee, gjatë takimit të tyre pak kohë më parë. Por si preambul apo parantezë Kurti kërkon garanci nga Serbia, që janë Marrëveshja për Paqen, por edhe një deklaratë e përbashkët. Një qëndrim që e ka destabilizuar Vuçiçin, i cili kërkon të marrë diçka pa dhënë asgjë.

Në fakt e gjithë kjo situatë, realisht mjaft e favorshme për Kosovën, nuk ka ardhur vetëm për meritën e Albin Kurtit.

Çezari të marrë atë çfarë i takon, pasi një meritë për të gjithë këtë gjendje e ka edhe Hashim Thaçi e krerët e UÇK-së që janë sot në Hagë. Për të gjithë njerëzit pranë tyre, por edhe për gjithë shqiptarët, burgosja e tyre është e padrejtë, por realisht kjo situatë i ka hequr Beogradit një mundësi të madhe për të spekuluar.

Duke kërkuar burgosjen e Thaçit, e nga ana tjetër bënte bisedime me të, Vuçiç po përdorte një shantazh të pastër, i cili duket u kap menjëherë sidomos nga Gjermania, e cila ndërhyri fuqishëm për të ndaluar shkëmbimin e territoreve, çka mund të mbyllej si Pazar nga Donald Trump, që i duheshin ca pikë për fushatën presidenciale.

Megjithatë, merita e Albin Kurtit është pikërisht në atë që një politikan duhet të ketë: zgjuarsinë, formimin intelektual dhe përdorimin gjakftohtë të strategjisë dhe taktikës në një betejë. Çka deri tani Albin Kurti është në ofensivë dhe ka arritur ta vendosë Serbinë në qoshe. Problemi është që në këtë rast të ketë një strategji dalje, e këtu natyrisht vlen argumenti final, apo pjesa që Kosova do të ofrojë. Thelbi i kësaj strategjie është që Asocacioni të mos i japë serbëve të Kosovës, kompetencat që Republika Srbska ka në Bosnjë. Ndryshe, nuk ka çfarë i duhet Kosovës njohja e Serbisë.

Më mirë të vazhdohet kështu. Por nëse dështojnë negociatat, tashmë nuk është Kosova që fajësohet, është pikërisht Serbia, duke qenë edhe në situatë të rëndë politike, ngaqë ka vetëm një parti në parlament dhe gjithë opozitën jashtë.

Vuçiç e di mirë se kjo situatë nuk vazhdon gjatë, mund ta sulmojnë nëse njeh Kosovën, por edhe nëse negociatat dështojnë për faj të tij, ka gjasa që jo vetëm të bjerë nga pushteti, por edhe të hapen dosjet e tij “të zeza”. Njëra u hap para pak ditësh kur  baroni i mafies serbe Velko Belivuk riktheu në vëmendje dosjen e financimit të familjes dhe partisë së Aleksandar Vuçiçit. Nuk duket se është rastësi…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat