Osmani për pushime ia mësyn Turqisë

Aktuale

Osmani për pushime ia mësyn Turqisë

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 16:48
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani dje pasdite ka udhëtuar për pushime drejt Turqisë.

Nuk dihet nëse riviera turke është destinacioni i saj apo e ka shfrytëzuar këtë vend si transit, mësohet se presidentja Osmani dhe familja e saj kanë udhëtuar për t’i kryer pushimet verore.

Nga burime të afërta me Osmanin mësohet se ajo ka udhëtuar vetë e gjashta dje pasdite dhe do të pushojë deri në gjysmë të muajit gusht.

Zyra e Presidentes nuk ka njoftuar për këtë vizitë të presidentes Osmani dhe nuk është përgjigjur nëse ajo ka shkuar për pushime dhe ku do të qëndrojë, në resort privat apo shtetëror.

Megjithatë, Turqia këto ditë po ballafaqohet me zjarre të mëdha, të cilat kanë shpërthyer të mërkurën e javës së kaluar dhe tani po kërcënojnë qytetet Antalia, Bodrum dhe Marmaris, ku qindra turistë dhe banorë u evakuuan nga hotelet dhe shtëpitë e tyre këtë të diel.

Bashkimi Evropian ka dërguar tre aeroplanë zjarrfikës për ndihmë në Turqi.

Tre Canadairs nga Kroacia dhe Spanja u mobilizuan të dielën, pasi Ankaraja aktivizoi mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian mbi zjarrin në jug të vendit. Rusia, Ukraina, Azerbajxhani dhe Irani gjithashtu kanë dërguar bomba uji në Turqi.

Më shumë se 1,100 njerëz u evakuuan me anije, ka thënë kryebashkiaku i Bodrumit të dielën, pasi që rrugët nuk ishin më të përdorshme.

Tetë persona kanë humbur jetën nga zjarret dhe mbi 10 mijë të tjerë janë evakuuar vetëm në provincën Mugla.

Në total, 129 zjarre që shpërthyen në mbi 30 provinca janë shuar. Më shumë se 4,000 zjarrfikës janë duke u munduar t’i mbajnë nën kontroll zjarret që kanë shpërthyer në territorin e Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat