Së shpejti pa qenë i vaksinuar nuk do të mund të futesh në kafiteritë e Kosovës

Aktuale

Së shpejti pa qenë i vaksinuar nuk do të mund të futesh në kafiteritë e Kosovës

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 16:29
Foto ilustrim

Derisa e gjithë bota po vazhdon përballjen me Covid-19, lokalet në shumë vende të ndryshme, duke përfshirë në Evropë, nuk po i lejojnë qytetarët që të hynë brenda, nëse nuk janë të vaksinuar. E një nismë të tillë, po e konsiderojnë edhe gastronomët në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomeve, Arian Vranica, që sipas të cilit, imunizimi është obligim për secilin qytetar.

‘’Ne po kërcënohemi nga COVID-19 dhe e vetmja mundësi është që procesi i vaksinimit të shkojë në mënyrë në rregull, prandaj edhe po shkojmë duke i marrë shembuj vendet e tjera për kushtëzimin e vaksinimit. Italia është njëri ndër vendet që ka bërë që kushtëzim të jetë vaksinimi për të frekuentuar lokalet ku do të pranohen vetëm ata që janë të pajisur me certifikatë të vaksinimit ose me test serologjikë, prandaj për një periudhë të shkurtë edhe këtu mendojmë që të fillojmë me këtë ndryshim’’, tha Vranica.

Vranica shton se Shoqata e Gastronomeve iu ka bërë thirrje edhe lokaleve për imunizim të tërësishëm të stafit, në mënyrë që të jenë gati për shërbim të qytetarëve.

‘’Së pari ne si Shoqatë kemi bërë thirrje te lokalet dhe gastronomet për vaksinim të stafit para se të kalojmë në obligimin e vaksinimeve duke e bërë funksionimin vetëm me kartela të vaksinimit. Nuk kemi të dhëna lidhur me numrin e stafit të vaksinuar, por do të mundohemi t’i nxisim më shumë për vaksinim”, tha ai.

Vranica thotë se ky sektor po përballet edhe me një problem tjetër, pasi ka mungesë të stafit.

‘’Gastronomia po hasë probleme akoma e tani po përballet edhe me mungesë të stafit, dhe problemi është edhe mos-hapja e universiteteve dhe mbajtja e mësimit online, prandaj po mundohemi të menaxhojmë këtë situatë në mënyrën më të mirë të mundshme’’, tha ai.

Sot në kryeqytet u pa se disa lokale kanë nisur që të ofrojnë pije falas për të vaksinuarit, gjë të cilën Vranica e komenton si pozitive.

‘’Ofrimi i pijeve falas nga këto lokale janë një nxitje pozitive për vaksinim dhe është pritë shumë mirë nga qytetarët prandaj edhe ka pasur një frekuentim më të madh këto ditë të ofertës’’, përfundoi Vranica.

Kujtojmë se brenda 24 orëve në vend dy persona kanë vdekur dhe 195 të tjerë janë infektuar me COVID-19 nga 3 mijë e 730 testime të bëra.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 469 mijë e 857 doza të vaksinës. Ndërsa deri më sot 164 mijë e 290 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat